Andej-Këtej

Agim Xhafka: Si u bëra Kaso Kosa

Tregimi i së dielës

Pasi më pushuan nga puna, në emër të reformave kur isha rreth 38 vjeç, fati ma solli që shoku im Pirro më ndihmoi. Në kompaninë e tij ngarkoja e shkarkoja, por të paktën merrja një pagë që ato vite më shpëtoi nga depresioni i sigurt.

Ndodhte që në ditë të veçanta vinin dhe dy -tre maune. Na duhej të rrinim mbi dhjetë orë me kurriz ulur. Thyenim kërbishtet, por e zbrasnim komplet makinën me mallin që sillte. Mbaj mend që kur vija në shtëpi kulloja nga djersa. Gocat e mija binjake fluturonin drejt meje me peshqir në dorë. Kjo mirëseardhje më shlodhte në çast. E kujtoj dhe sot e loti më mbyt lukthin.

Në nja nga ditët kur furnizoja me shishe vere restotrantet, ndesha në rrugë Gëzimin, ish-kolegun tim, gazetar me përvojë.

-Ia kaloj mirë, - më tha. -Botoj një gazetë sportive dhe fitoj goxha. Dil ndonjë të dielë nga Ali Demi, - me ftoi te kinemaja, - aty i shpërndaj.

Të dielën e parë vajta dhe pashë një grumbull njerëzish me thasë gazetash në këmbë. Fiks si sot tek tregu Gabi. Vinin shitësat nga rrethet, dorëzonin lekët e javës dhe gazetat e pashitura. Merrnin gazetat e reja e kaq ishte. Jep e merr gazeta dhe para. Sikur ishe në bankë. Numerohej e pështyheshin gishtat. Pashë plot gazeta, me foto femrash lakuriq, me këshilla seksuale, gazeta kulture, sporti, mjekësore. Dhe pak shihja gazetarë mes tyre. Shumica njerëz zbritur vonë në Tiranë, por të shkathët e praktikë. Ishin sulur për të bërë lekë. Dhe më sillnin ndër mend romanet e Xhek Londonit me varganët e njerëzve drej Alaskës, në kërkim të arit.

Shkova në shtëpi dhe u bertita: babi juaj do hapë një gazetë private.

Gruaja me gocat nuk folën, më panë syshqyer e me siguri thanë, na fluturoi babai nga mendja.

Më pas po diskutonim të katër. Me seriozitet. Kollaj ta hapje, se nuk kishte atëhere as liçensa, as leje, as taksa, as tatime. Free kudo, por ngecëm te objekti. Ishin zënë krejt fushat.

-Pse nuk bën një gazetë humoristike? - propozoi një nga gocat e pas dy javësh u rreshtova dhe unë te Ali Demi me thesin plot gazeta “Nastradini” Kështu e quajta dhe e mbajta per plot tre vjet.

Tirazhi nisi me 500 kopje e shkoi deri në 3.000. Dhe ... sukses i plotë. Duke hequr shpenzimet në shtypshkronjë dhe shpërblimin për shitësat ngelej goxha para për mua. Lashë hamallëkun e po ndjehesha mirë. Tani quhesha gazetar dhe botues. Njerëzit donin humorin,por pëlqenin dhe si e shkruaja unë atë. Në krah tim ishte dhe botuesi i gazetës “Intervista”. Ndër nesh ai ishte më bossi. Se kishte shitje shumë e tirazh që afrohej tek 30.000 kopje në javë. Një ditë më pyet:

-E ke lexuar tek gazeta ime një rubrikë me pseudonimin Kaso Kosa?

-Po dhe më pëlqen.

-E ka bërë Koço Devole. Por ka angazhime në TV e kam ngelur në hall. Do e shkruash ti?

Nuk mbaj mend se çfarë thashë, por qysh atë ditë e për 7 vjet rresht unë çdo javë bëja shkrime me pseudonim. Kaso Kosa ishte një intervistë ndërtuar mbi groteskun. Kryesisht me politikanë. Dhe pati aq sukses, sa Kaso i dha emër emrit tim. Mbaj mend që një ditë na ndaloi një polic. Isha me një moderator televizioni.

-Nuk më njeh? - e pyeti ai.

-Jo.

-Po mua? Jam Kaso Kosa, -i thashë.

Kaq u desh dhe polici më tregonte se ç’kisha shkruar deri kater javë para.

Brendia e intervistave me pseudonim ishte më lart dhe më me dinjitet se emri Kaso. Doja disa herë ta ndërroja, por pastaj u dashurova me të dhe më dukej si emri im. Ende ka plot njerëz që më thonë dhe sot, hë Kaso ç’kemi? Popullariteti erdhi prej përmbajtjes, sarkazmës, humorit, gjetjeve, batutave, situatave, por së pari prej gazetës “Intervista”, që ato vite ishte në top-median shqiptare. Shumë e lexuar dhe e përhapur cep më cep të vendit.   

Më pas jeta më rrodhi ëmbël. Nisën oferta nga plot gazeta e unë zgjodha më të mirën, më luftaraken dhe më cilësoren, universitetin e gazetarisë së re, fenomenin “Koha Jonë”.

Kalova atje plot vite, hyra si pedagog nga mosha, por rinia e atjeshme më dha aq leksione sa ende më vlejnë. Por sërish herë tjetër për Kohën, gjigandin mediatik të asaj kohe. Gazetën që me 120.000 kopjet që shiste në ditë nuk besoj se do e arrijë kush. Dhe më mirë që ndodh kështu se ishte gazeta që bëri histori, me freskinë e lajmit, opinionet e thella, guximin e pacak dhe mori përsipër opozitën politike të kohës nga që e majta ngeli pa kryetar dhe plot delfinë të qeverisë futën sherrnajë mes opozitës.