Andej-Këtej

Greku i gjakut - Nga Edison Ypi

Dy lezhjanë me xhepat bosh ardhur në Athinë më këmbë. Një matjan leshverdh-sykaltër i bindur se ishte gjerman dhe duhej të shkonte të jetonte atje ku i përkiste, te atdheu i stërgjyshërve, në Gjermani. Një minoritar gjysëm i çmendur që qante fshehtas atje më shanin “grekofon”, këtu më përbuzin “alvanos”. Të tilla mesele dëgjoja pasditeve në Sheshin “Omonia”, kur punova ca muaj në Athinë.

Muzg i ngrohtë fundshtatori. Katër durrsakë të uritur. Kokërr leku në xhep. Mes durrsakëve një grek jepte e merrte t’u bënte të ditur durrsakëve diçka që ata nuk e kuptonin për qamet.

-Çfarë thotë ky? - më pyet njëri nga durrsakët.

E pyeta grekun anglisht. Greku tha: nëse njëri nga këta të katër do pranojë të më japë gjysëm litër gjak për xhaxhanë e sëmurë, do ta marr me taksi, do t’i jap një drekë të bollshme si ta dojë, do t’i marr gjakun, do t’i jap 25 mijë dhrahmi, do ta kthej me taksi këtu ku e mora.

Ua thashë durrsakëve të uritur propozimin e përgjakur të grekut. Katër durrsakët njëri pas tjetrit thane:

I pari

-Jam çam. Gjak çam në rrëmbat e grekut?! Kurrë!

I dyti

-Unë ia jap gjakun grekut. Edhe po të isha çam do ia jepja që me anë të gjakut ta bëja grekun sadopak shqiptar, por nuk e di çfarë hile fsheh greku pas këtij propozimi, prandaj, edhe pse jam i uritur, grekut gjak nuk i jap.

I treti

-Edhe unë mund t’i jap gjak grekut, por nuk jam i sigurtë a punon zemra e grekut me gjak shqiptari

I katërti

-Jemi popuj miq, jemi popuj vëllezër, do iki unë t’i jap grekut gjak shqiptari. Po na thahen zorrët. Na duhen pare për të ngrënë.

E mori greku shqiptarin që kombinoi gjakun, vëllazërimin e popujve, urinë, e futi në një taksi, dhe u zhdukën.

Kaluan disa javë. Episodin me durrsakë, grek, gjak, e harrova. Të tjera tmerre shqiptareske që dëgjoja tek “Omonia”, ma nxorrën nga mendja. Mirëpo nje dite tjetër i pashë përsëri katër durrsakët. E kishin marrë veten.

Pyeta atë që i shiti grekut gjakun:

-Si vazhdoi ajo meseleja me ate grekun që ta bleu gjakun?

-Më çoi në një shtëpi në Pire, - tha durrsaku, - më dha një drekë, prita të vinte dikush të ma thithte gjakun me shiringë. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Greku më dha 25 mijë dhrahmi, më solli me taksi ku më mori. Grek i çuditshëm. Paret mi dha. Gjakun s'ma mori.

-Kam unë një shpjegim, - u hodh miku i tij. - Grekët janë të poshtër. E gjitha kjo është një kurth i ngritur nga ndonjë grek i pasur për të provuar sa pak vlerë ka gjaku shqiptar.

-Përkundrazi, - tha durrsaku tjetër. - Greku e ka thurur këtë mesele për të dëshmuar miqësinë shekullore mes popujve ballkanikë, të cilët për njeri-tjetrin japin edhe gjakun, madje fare lirë, përmes shembullit kuptimplotë të një shqiptari të uritur i cili e shet gjakun sa për të mbushur një herë barkun, çka do të thotë se po të ishte i ngopur, gjakun shqiptar grekut do ia falte.

-E pamundur, - tha durrsaku që foli i fundit. - Po të ishte e vërtetë se një shqiptar ia shet aq lirë gjakun një greku, do ishte e vërtetë edhe e kundërta, që po aq lirë një grek ia shet gjakun një shqiptari, çka kurrë nuk ka ndodhur dhe kurrë nuk do ndodhë.

Tashmë ngjarjen me gjak, grek i sëmurë, shqiptar i uritur, nuk mund ta harroja. Kaluan disa javë. Një tjetër pasdite, në një tjetër qoshe të “Omonias”, pashë përsëri grekun e gjakut.

E pyeta çfarë ndodhi atë dite me gjakun e shqiptarit?

-Kur arritëm në Pire me atë djalin, - tha greku duke qeshur, - i thashë xhaxhait që po jepte shpirt se i gjeta gjak shqiptar. Xhaxhai në shtratin e vdekjes, tha: Kurrë gjak shqiptar në dejet e grekut, më mirë vdes që këtë çast. Dhe vdiq.

©Edison Ypi