Andej-Këtej

Aleksandri rikthehet - Nga Faruk Myrtaj

Faruk Myrtaj - Toronto

Në të gjitha kohët ka pushtete, pushtetarë, parti dhe partiakë, shkrimtarë dhe letërsi. Pa asnjë mëdyshje, në të gjitha kohët, ka pasur dhe ka Njerëz. Pra: Njerëz të Lirë.

Aleksandër Babe ka qenë i tillë. Së paku prej vitit 1972, kur botoi novelën (për fëmijë!), "Vesveseliu".

E kam njohur "të lirë të trishtuar", "të mirë të vetmuar", aty nga fillimi i viteve '80. Në Vlorë, aty ku liria ka qenë më e brishtë, më e kërcënuar se gjithkund tjetër.

Hiqmet Meçaj më njohu me "Lekon". Hollak, lëkurë-errët, me sy zhbirues që bëheshin edhe më shumë të tillë përmes syzeve, pas të cilave sikur "fshihej", në një mënyrë që dinte ta bënte vetëm ai: po të doje, po të doje dhe po të mundje, po të të lejonte liria që e kishe ose s'e kishe brenda vetes, mund të zbërtheje gojën e tij. Dhe, në çastin që hapej goja, se si ta rrëmbente nënqeshjen, a thua të bënte më të mençur, sigurisht të bënte dyshues për të gjitha, pra edhe për veten, vete e cila sikur të shkërmoqej pa zhurmë, në  joshjen e këtij njeriu me natyre tjetër, me ligjësi inspiruese të tjera, për t’u shndërruar, edhe ti pastaj, në tjetër gjë.

Edhe si krijues, allah-allah ishte! Si i shpërndarë, për të mundësuar më shumë liri, merrej me poezi, prozë, pikturë, skulpturë, edhe me muzikë e me ç'kushedi tjetër. Prej papafingos së mbyllur, në breg të hapësirave të detit, prej vetmisë ku ndrynte si i vetëburgosur veten, tek komuniteti në të cilin përthitheshin e mbesnin tërë miqtë e tij... Në munç-in!

E pra, s'mund të mos e mendoje atë që rrëmbente syrin në papafingon e tij: atje brenda, në qelë/qeli universale, s'mund të mos merrej edhe me "ç'kushedi tjetër". Kjo "ç'kushedi tjetër", mbase mu fanit si liri imja, kur dëgjova se dilte rrallë, me rrallë njerëz rrinte, rrallë e më rrallë kishte botuar.

S'dija gjë për "Vesveseliun" e bërë karton (siç s'dinim se At e Bir Markot kishin qenë në burg edhe nën pushtetin “popullor”!)

Kisha mbaruar gjimnazin, në Selenicë, kisha kryer ushtrinë, punoja në minierën aty. Dhe... shkruaja (gjoja) vjersha. Vjersha, pa-pu-shim! Të gjitha më dukeshin të bukura... Duhej të kalonte ca kohë, të zbrisja në tokë: Lekoja ishte ndër ata që të ndihmonte për të fituar mbi veten, duke mësuar se të shkruarit është kërkim, kultivim, kurim i përjetshëm i vetes. Kisha hyre në udhë të prozës së shkurtër, por nga Selenica në Vlorë vija për të "lypur" shkollë.

Hiqmet Meçaj, poeti që në mërgim kaloi po aq suksesshëm edhe në prozë, telefonoi tek Viron Kona, asokohe sekretar i dytë. Sesi u ndjeva kur Hiqmeti më tha: "Të pret Vironi, por kur të shkosh atje mos iu drejto me “shoku Viron”, mirë?! E kemi mik ne..."

Kush "ne"? Hiqmeti po, por edhe unë?! Edhe ai..."Lekoja"?! Nëse kishim mik Vironin, cilin s'kishim mik?! Ta merr mendja, ishte herët ta mendoje pluralizmin shqiptar, sado pushtetërisht të dekretueshëm!...

Si në ëndërr më kujtohet: mbase Hiqmeti, mbase vetë Lekoja, më ftoi për vizitë në shtëpinë e tij, më shumë akoma, për vizitë në papafingon e tij. Veç atje mund të merrje vesh se ç'ish Lekoja! Një si rrëmujë e hatashme, një si anarki e organizuar, një vend ku vetmia që i ishte "ofruar" vesveseliut Leko, thërmohej e tretej në pafundësinë e gjërave. Do të mjaftonte një orë me Lekon, në papafingo, për të prishur rregullin e ligjësitë e perspektivën e deri-atëhershëm të jetës...

"Edhe në papafingon e Lekos paske qenë?!", më pyeti Nestor Jonuzi atë fund shtatori 2003, kur në një sofër të rrumbullaktë (edhe me Alekon e kthyer për shkurt nga Greqia) pa që ne njiheshim. Urtësia e Nestorit u artikulua sikur të isha i privilegjuar i asaj kohe pa liri.

Statura prej filozofi e piktorit të shquar Nestor, po më ndiqte me ata sytë e mençur që nuk di pse më bëheshin sivëllezër me ata të Lekos së dikurshëm. Por edhe të sotëm. Edhe pse kishin shkuar më shumë se tri dekada. T’errësira dhe diktatura t'i mprehin shqisat. Por edhe ndjenjën. Si mundësi mbijetese, por pa marrë pjese në “shëtitjen kolektive” në Bulevardin e Të Rënëve pa Vetëdije.

Problemi është t'i shpëtosh joshjes për t’u madhështuar duke vënë thundrat e këmbëve në shpinën e të tjerëve. Lekoja merrej me të gjitha, mbase sepse në asnjerën prej arteve të shpërfaqjes njerëzore nuk lejohej të shfaqeshe deri në fund...

Më bëri të dridhem ndjesia sikur po rrëfej për një të shkuar, për ca njerëz që s'janë, për një Leko që s'është!

Aleksandër Babe është. Vete e vjen në Vlorë. Tek tavolinat përpara Galerisë së Arteve Figurative, me Nestorin, Qerim Vrionin e fotove të madhërishme të njerëzve dhe tërëkohëve shqiptare, me shokë të fëmijërisë e rinisë së tyre, miq të tjerë. Hiqmeti ishte ende në Greqi, së fundi ka shkruar edhe një roman, të vlerësuar fitues në një konkurs të shpallur për letërsinë e shkrimtarëve të mërguar atje.

Kështu i gjeti demokracia shqiptarët, midis kombeve dhe shoqërive më të varfërit në Europë, por më të varfër artistët e saj: deri në atë masë sa nuk u hynte më në punë liria; të lirë, aq sa u bëhej dritë dheu i huaj; bregdetas që u nisën të kërkonin brigje të tjerë... Atje ku shkonin i besonin një lirie, edhe pse ngritur nga të tjerët lindur e rritur në liri reale; largoheshin të trishtuar, aq më shumë kur ndokush në emër të lirisë së sotme që po vonohet e rrëgjohet prej shtresës politike ngjizur nën robëri, guxohet të quhet jo e domosdoshme, jo e frytshme për të shkruarin dhe klimën e artistit...

Ashtu u detyrua të bënte edhe Lekoja.

Andej, në dhe të huaj, si artist, teksa rropatej të mbante gjallë veten e familjen, iu dha rasti të ngjallte edhe Krishtin. Nuk ishte nga lloji i rilindjeve me kufoma e shpirtra vdekur, jo.

Në këtë Krisht që Aleksandër Babe ofroi si artist, ju mund të shihni veten shpëtuar prej jetës që keni bërë si karakter, si dinjitet. Nëse e keni pasur. S'di pse besoj se nuk i hyj në hak as Zotit e as Perëndisë, as Muhamedit dhe as Krishtit, nëse shprehem se Lekoja ka ngjallur veten, edhe veten edhe Hyqmetin, sigurisht edhe të tjerë, që vetëm shpresojnë ta kenë admiruar, pra edhe mua...

Nestori, mjeshtri, s'do të ngurronte të fuste edhe veten, por unë s'marrë përsipër të luaj në lojëra me mjeshtër të mëdhenj. Shqiptarët, në masë, pothuaj të tërë ata që nuk i binden rregullit të pashkruar për të hyrë në politikën e lartë, në atë të klaneve, të menaxherëve dhe bodigardëve të tyre, janë në ikje: me shpresë për t’u ringjallur së gjalli. Dikur nuk i linte shteti të kapërcenin kufirin, sot shteti i "ndih" t'ia mbathin një orë e më parë prej atdheut, që ç'ti bësh, na duhet të themi se e kemi së bashku... Siç e kemi bërë. Me veprimin materialist, apo pasivitetin spiritual.

Shpresojnë shqiptarët, të gjorët, më shumë tek të tjerët, më shumë te tjetërkush, që tjetërkund të jetë ndryshe, pa kryq mbi shpinën e rreshkët e në supet e rënë. Rreken. Rrekemi: kryqit të këtushëm marrë me vete, i shtojmë kryqe të tjerë. Së paku ikim me shpresën se, dikur, kthehemi.

Lekoja është kthyer. Është kthyer dhe po përgatit një libër me vjersha. Si për ta çuar deri në fund mundimin e tij... Nestori më tregon "Krishtin me kryq", unë shoh "Krishtin që mbart Kryqin e Leko Babes"!

"Për Lekon, në emrin tim, mund të shkruash ç'të duash...", dëgjoj të më thotë Nestor Jonuzi, që unë kam ngut ta citoj sa herë të mundem. Më besohet se kryqi është aq i rëndë sa Lekoja e shndërroi në vepër arti, që ta gëzojnë dhe ta vuajnë të gjithë miqtë e tij. Sigurisht edhe ata që i ofruan vetminë, heshtjen e papafingos, ata që u keqardhën për vesveseliun-këndez, ngaqë ai sillej e grindej e vetëmburrej dhe e pësoi si ndokush që duke hequr kryqin, na la tërë jetën me kryqin e privacioneve mbi shpinë...

Me "Krishtin me kryq" në krah, Aleksandër Babe ishte ndodhur në Athinë në syrin e vëmendjes së një pronari të kamur arti, zotërues ekspozitash.

"E çfarë pret nga unë?", e kishte pyetur Lekon, tërë fodullëk të kamuri, fqinji i Jugut, që i ishte gëzuar privilegjit historik të të përfshirit në Europë.

Me siguri, përballë, shihte një shqiptar nën kryq. Njërin nga shqiptarët në nevojë ekzistenciale. Ishte afërmendsh që, edhe pse gjente kohë të merrej me hallet e Krishtit, shqiptari përballë tij s’mund të mos merrej me lehtësimin prej kryqit të jetës së tij: si tërë vdekatarët e kësaj bote do t’i kërkonte para, dhrahmi apo euro. Kjo pritej. Se njeriu, njeri është. Qoftë edhe kur është shqiptar, dreqi ta marrë këtë fat të tyre.

"Vetëm mendimin tuaj, do të dëshiroja..." ishte përgjigja e Lekos.

Milionieri ofroi për Lekon pak prej milionave të tij: me kushtin që "Krishti me Kryq" t'i mbetej atij...

Aleksandër Babe doli nga studioja e fqinjit të kamur ashtu siç hyri: me Krishtin dhe Kryqin e tij mbi shpinë...

2003

©Faruk Myrtaj

Foto: Qerim Vrioni