Andej-Këtej

DASHURI E VJETËR

 Nga Agim Xhafka

Sot m’u shfaq para një dashuri e lashtë. Ecja, shikimi, qeshja,si atëherë. Transmetuar me tapi digjitale. Ndryshonte pesha, skuqja në fytyrë dhe dora lidhur me një fëmijë të vogël. Mbase të djalit, apo mbase të vajzës.


Sa u pamë u turbulluam. Vitet e kaluara e kishin taposur pasionin dhe verën e dashurisë e kishin bërë më me shije, por me më pak shkumë e zhurmë.

Dashuria është kod i programuar nga dy njerëz. Që edhe pse ndahen, dashurinë e ruajnë si password të një sekreti të bukur, plot dridhje dhe gaz kraharori.

U pamë, por nuk folëm. Qeshëm, por nuk u përqafuam. Transmetuam veç ca shkëndija nga hiri i vjetër e pas dy-tre hapash e mbuluam atë zjarr të hershëm me një dorë të lehtë harrese.

Ikëm drejt atyre që duam sot, u larguam nga ëndrrat e vjetra.

Dashuria e vjetër si mobiljet klasike, asnjëherë nuk harrohet, asnjëherë nuk kujtohet. Fati i përplas ndonjëherë, si dy gurë lumi që lëshojnë ndonjë shkëndijë e aq. Pastaj rrëshqasin në rrugën e madhe, larg njëri-tjetrit, mes të tjerëve gurë.

Dashuri e vjetër, ah,sa aromë më le pas...