Andej-Këtej

Kazma

 Nga GENC MLLOJA

"Kur të largohet Doktori, rrezik do të marrim edhe kazmën dhe do të shembim selinë e PD-së", paska deklaruar me shqetësim një demokrat veteran në vitin 2012. 

Mirëpo, duke parë Z. Sali Berisha, ish- liderin e kësaj force politike të krijuar në situatat e ndryshimeve demokratike në fund të viteve 1980 e në fillim të viteve 1990 në të gjithë Europën Lindore, të cilave Shqipëria- 'dominoja e fundit' (Nju Jork Times 1990), nuk mund ti shpëtonte, në një foto gati idilike me pasuesin e tij Lul Basha pas veprimtarisë së PD-së të djelën e kaluar me 2018, të krijohet përshtypja se 'kazmën' e kishte në dorë ish-lideri duke ia kaluar si stafetë pasuesit. 
Pra, meraku i atij demokratit më 2012 duket të jetë pjesërisht i drejtë: kazmën ia kanë vënë PD-së me kohë që kur Berisha e bekoi Bashën me kurorën e krye- demokratit shqiptar! 
Kur dëgjon edhe kryeministrin Edi Rama për 'merakun' e tij që në Shqipëri nuk ka opozitë, duket 'kazma' Berisha-Basha e ka goditur fort PD-në. 
Atëherë, përforcohet fakti se marrëveshja e 18 majit e vitit të kaluar Rama-Basha ka qenë garancia dhënë të 'paprekshmëve' në PD që të mos preken edhe pa 'kështjellën' e tyre politike si mburojë. 
Nuk shpëton njeriu nga përjetimet e viteve 1990-1992, por më shumë më vjen keq për zhgënjimet e asaj mase të madhe të ish - rregjimit të mëparshëm që iu turrën prapa PD-së së Berishës pa asnjë ideal të vërtëtë demokrat. E fakt- tranzicioni vazhdon me dhimbje. 
Nejse ai do të vazhdojë e mbase shinat e një faze tjetër në marrëdhëniet me BE- në pas një rekomandimi të mundshëm për hapjen e bisedimeve për anëtarësim mund të përshpejtojnë proceset e verteta demokratike. 
Por fatkeqësisht edhe kazma edhe çekani do ta gërryejnë më tej PD-në, kurse lideri i saj nuk do të mund të kapërcejë 'ylberin'!