Andej-Këtej

Një histori fëminie me portokaj

Nga: Shefqet Deliallisi

E quanin Refik. E thërisnin Fiku. Jetonte pranë nesh. I dobët. I zbehtë. I gjatë. Me këmbë të holla. I varfër. Njeri i mirë. Ishte jo më shumë se 13 -14 vjeç. Kishte shumë vëllezër dhe motra.

Ishin vitet 60-të. Qyteti nuk kishte urgjencë mjeksore. Urgjencat në familje bëheshin nga mjekët banorë të lagjes. Sigurisht që preferoheshin mjekët më të shquar. Me rritjen e qytetit trokitjet në derën tonë u bënë thuajse të përnatshme. Sa herë që dera trokiste, babai mjek, ngrihej, merrte çantën, hidhte krahëve një pallto që gjithmonë qëndronte në varsen pranë derës, dhe ndiqte pas njeriun e shqetësuar që kërkonte ndihmë. Asnjëherë fytyra e tji nuk shprehu pakënaqsi. I butë, fjalëmbël. “Mos u mërzit, do ta regullojmë”, këto ishin fjalët e tij.  

Kur urgjencat ndodhnin ditët e pushimit apo pasditeve, unë shpesh i qepesha pas. Zakonisht më lejonte. Madje rrugës bisedonim si dy shokë. Ai fliste gjëra që unë shpesh s’i kuptoja si duhet. Hera herës më krijohej përshtypja se ai nuk fliste për mua, por me veten e tij. Isha vetëm një 7-8 vjeçar...

Por le të kthehemi tek Fiku.

Ishte e djelë mbasdreke. Trokitje në derë. Ishte babai i Fikut. Banonte pranë nesh, në një shtëpi rrethuar me portokalla. Kërkonte babain. Kish Fikun “pa qejf.”

U nisëm. Babai i Fikut ishte një kultivues i shquar i portokalleve në qytet. Portokallet e tij ishin të famshëm. Bënin fruta të mëdha, ndryshe nga portokallet e vegjël të Elbasanit, me lëng, por të thartë.

Sapo hymë në rrugicën pranë shtëpisë, ndjemë erën e rëndë të ilaçit me të cilin spërkateshin portokallet, koçifozin. Atë kohë kish marrë famë për keq mbasi përdorej jo rrallë për vetvrasje (madje romët e qytetit kishin nxjerrë dhe një këngë:" dy lekë bukë, tre lekë kos, kusurin koçifoz").

Koçifozi ishte një helm i rrezikshëm.

Atë mëngjez, Fiku me të atin kish spërkatur portokallet me koçifoz. Më pas i kishin filluar shqetësimet. Kur ne hymë në shtëpi ai s’përmendej. Merrte frymë me vështirësi. Kishte një pamje të frikshme.

Fiku po fikej. 

"Shpejt në spital urdhëroi babai" i shqetësuar. Koha s'priste. Por në ato kohë gjithçka mungonte. As telefona, as makina. Në krye të rrugicës, pranë shtëpisë së një shoferi qëndronte një kamion “Skoda” me të cilën ai transportonte trungje pemësh nga pylli. Me këtë kamion babai im bashkë me Fikun u nisën me shpejtësi drejt spitalit, nën vështrimin e shqetësuar të banorëve të rrugicës që kishin dalë nëpër dyer. Unë, tashmë jashtë vëmendjes, i hutuar dhe i trishtuar, mora rrugën drejt shtëpisë time. Përpara më dilte fytyra e Fikut me sy të zgurdulluar, shkuma në gojën e tij.

Do të vdiste?

Për orë të tëra qëndrova në dritare. Prisja të kthehej babai nga spitali. S’po vinte. Duket punët ishin keq. Kish shpëtuar…?

Erdhi nata. Ju drejtova shtratit. Duke bluajtur këto mendime, më kish zënë gjumi.

Sapo u zgjova në mëngjes, me një frymë hyra në dhomën e prindërve. Babai flinte. Ishte herët. Ta zgjoja? Nguroja. Ndoshta sapo ishte kthyer. Por unë doja të dija për Fikun. Babai më ndjeu, hapi sytë, vuri re shqetësimin tim. Më buzëqeshi. Më foli me zë të ulët: “Fiku shpëtoi. Është ende në spital, por shpëtoi”. I gëzuar e përqafova, dhe u struka në shtrat pranë tij. Mbi flokë ndjeja dorën që më përkëdhelte.

Sa herë që sot shoh Fikun, tashmë të moshuar, ndërmend më vjen kjo ngjarje. Koçifozi, “Skoda” … Sigurisht dhe babai, që me dashuri i shërbente të gjithëve.