Andej-Këtej

Veto ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB ndaj Rezolutës SHBA-Shqipëri

Rusia vuri veton dje (25.02) - siç pritej - gjatë një votimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për një rezolutë të miratuar nga shumica e anëtarëve, rezolutë e cila dënoi "agresionin kundër Ukrainës" dhe i bëri thirrje asaj që "menjëherë" të tërheqë trupat prej andej.

Nga 15 vendet anëtarë të Këshillit të Sigurimit, 11 vende votuan pro tekstit, të bashkëhartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, ndërsa 3 abstenuan: Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Pekini deklaroi se ishte kundër marrjes së sanksioneve, ndërsa India dhe Emiratet nuk e shpjeguan qartë abstenimin e tyre.

“Vetoja ruse është një njollë gjaku mbi tabelën me emrin e saj në Këshillin e Sigurimit”, ka reaguar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Twitter.

Në orët para votimit, teksti i Projekt-Rezolutës u redaktua për ta zbutur disi përmbajtjen, me synimin për të siguruar abstenimin e disa shteteve dhe për të shmangur ndonjë votë kundër (përveç Rusisë që pritej të ushtronte të drejtën e vetos), i ka deklaruar një diplomat Agjencisë France-Presse. Kësisoj, teksti i propozuar nuk përfshiu më termin “dënoj”, që u zëvendësua me “keqardhje”. Një referencë nga Kapitullin 7 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, i cili parashikon përdorimin e mundshëm të forcës, u fshi gjithashtu.

Rezoluta SHBA-Shqipëri u mbështet nga më shumë se 80 vende. Përveç kritikave të forta ndaj Rusisë, teksti riafirmonte mbështetjen për sovranitetin e Ukrainës dhe dhe detyrimin ndaj Rusinë të ndërpresë “përdorimin e forces” dhe “të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha trupat e saj ushtarake nga ky vend”.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Reuters/Carlo Allegri

*Në foto Ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya.