Andej-Këtej

Shtëpitë publike në komunizëm - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Prostitucioni, profesioni më i vjetër në botë, çuditërisht ka egzistuar edhe në monizëm. Duket e pabesushme që një sistem që survejonte gjithçka, madje gjer te mendimet e njerëzve, ka patur femra që prostituonin, madje edhe shtëpi të fshehta publike.

Një shtëpi publike guxoi të hapë në mesim e viteve 70-të, K. B. me profesion kasap në qytetin e Gjirokastrës. Një qytet nga më konservatorët në gjithë Shqipërinë. Megjithatë kjo nuk e pengoi kasapin K. B. të përdorte ambientet e shtëpisë së tij, ku ushtronin prostitucion disa nga vajzat dhe gratë me reputacion të mirë në qytet.

Profesioni i kasapit e ndihmoi atë që krahas tregëtisë së mishit të bagëtive e gjedhit, të “tregëtonte” edhe mishin e bardhë. Kasapi në atë kohë kishte në dorë një produkt mjaft të rrallë, mishin. Si pelivan që ishte, ai rekrutoi disa femra që punonin në ushqimin social, madje edhe me profesionin e nderuar mësuese. Pagesa e marrëdhënieve intime varionte nga 250 lekë, 500 e deri 1000 lekë, që ishin goxha para në atë kohë.

Burra qeflinj, pleq e ca të mbetur të ve në moshë aktive, qenë myshterinjtë e kasapit. Ndërsa fitimet ndaheshin mes tij dhe femrave. Por në një qytet që nuk lëvizte as qimja pa u marrë vesh, kjo nuk kishte si mos binte në sy të operativëve të Sigurimit. Madje denoncimin e parë e bëri një kalec Sigurimi që ishte mik i kasapit dhe kishte shijuar edhe “mallin”.

Nuk vonoi dita kur oficeret e Sigurimit e prangosën kasapin në mes të ditës teksa po shiste mish. Arrestimet në atë kohë bëheshin në mes të ditës, në qendrën e punës. Qëllimi ishte që t’u fusnin datën të gjithëve. Me pak shtrëngim dhe ca tortura, kasapi i tregoi të gjitha. Një pjesë e femrave ishin të martuara, madje nga familje me reputacion në qytet. Kjo futi në bela shokët e Sigurimit. Të nxirrnin të vërtetën lakuriq, do të thoshte të divorcoheshin shumë familje.

Të viheshin në bankën e të akuzuarve femra të “nderuara”, por edhe klientët e tyre burra gjithashtu me poste të “nderuar” qe bela e madhe për sistemin. Dhe u gjet një formulë e artë akuze. Kasapin e akuzuan për mashtrim, sikur kishte shitur mish gomari. Prostitucioni në atë kohë dënohej me 10 vite burg. K. B. e dënuan me 10 vite, për “mashtrim”. Femrat e “nderuara” vetëm i trembën ca, po nuk i dënuan.

Me dosjen e plotë të kësaj “sipërmarrje” të çuditshme jam njohur pas viteve 90-të, kur po realizoja si gazetar një portret të një oficeri policie.

Për herë të parë shtëpi publike në Gjirokastër hapën italianët gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të kënaqur epshet e ushtarëve që shkonin për të luftuar në frontin grek. Kasapi u bë i dyti.

Një shtëpi tjetër publike u hap në fillim të viteve 80-të, në Qytetin Stalin, sot Kuçovë. Isha nxënës në Liceun Artistik në Tiranë, kur pas pushimeve dimërore të vitit të ri, një nga shokët e mi nga Qyteti Stalin, më tregoi bëmën e jashtëzakonshme për kohën: një hyrje në katin e parë të një pallati në Qytetin Stalin, qe kthyer në bordello. Çmimin më të kripur e kishte një femër e bukur që punonte si shitëse këpucësh. Plot 750 lekë.

Aq kushtonin një palë këpucë me lëkurë deri në atë kohë. Pra shitësja e “shiste” aq sa shiteshin edhe këpucët. Edhe ky rast u mbyll pa bujë. Madje shoku im kur shkoi një herë në dyqan, dëgjoi dikë që ngacmonte shitësen: si je bukuroshe 750 lekëshe. Ajo u skuq si paparun në fytyrë dhe nuk foli asnjë fjalë.

Edhe në Tiranë “funksionoi” për një kohë të shkurtër një shtëpi publike në nje shtëpi private afër Selvisë. Trimat e Sigurimit i ranë në erë dhe i çuan për riedukim femrat në fshatrat rreth Tiranës. Ndërsa meshkujt ku nuk mungonin as zyrtarë, i çuan në prodhim që të edukoheshin në gjirin e klasës punëtore.

Prostitucioni që për shumë njerëz cilësohet si plagë e shoqërisë, do egzistojë derisa të egzistojë njerëzimi. Prostitutat që për shumë njerëz shihen me përbuzje, kanë frymëzuar mjaft shkrimtarë e artistë të njohur si Viktor Hygo, Gustav Flober e Zhan Pol Sartre. Madje ky i fundit shkroi një dramë mjaft të vlerësuar, “Lavirja e Denjë për respekt”.

Ato shesin trupin, ndërsa politikanët e korruptuar nderin, pasuritë dhe dinjitetin tonë.

Kush janë lavire? Prostitutat apo politikanët e korruptuar?

©Ilir Gjini