Për politikanët pseudonostalgjikë
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Përparim Kabo
Nuk ndodh asgjë, nëse ti nuk e do dhe përpiqesh ta pengosh … së paku në shoqërinë e lirisë…
Mos u justifiko që e keqja të ka ardhur nga jashtë vendit kur atë që është jashtë teje, pra BE-në, ti e shpall si ideal dhe vokacion …
Nëse tregu i krimit global varet edhe nga ty si shtet, nëse hyn apo jo atje, pse ankohesh?!
Por mos harro, krimi i organizuar ka dhe shtrat, dhe rrënjë, dhe rrethana dhe lidhje…
Mendo se, që ditën që ti politikan shqiptar u pasurove në mënyrë të padrejtë i the krimit eja, welcome … dhe pastaj ai diti se çfarë bëri, filloi me armët, vazhdoi me mishin e bardhë, e mbylli me drogat, dhe nuk harroi as qëniet njerëzore…
Nëse thua se dikur ishim më mire se nuk kishim fusha me drogë, pra para 1990-s, duhet të pranosh gjithashtu se aso kohe ishim më mirë se kishim dhe Spaç apo Tepelenë…
Mos u nervozo kur të thonë se kush je… Qetësohu dhe ndrysho, por së pari fillo nga vetja… ec në këmbë si dikur para 1990-ës, jeto me rrogën si para 1990-ës… dhe shpall se cilat janë pasuritë e tua të paligjshme…
Eh, kollaj është të ngresh gishtin, por pas gishtit nuk mund të fshihesh…BE-ja ka goxha gjynahe edhe këtu te ne, për hipokrizinë dhe zhvatjen… Por gjuha juaj e shpagimit verbal nuk zgjidh gjë… Mos lypni me zor atë që se bëtë sot tash e 27 vite… administratë të besueshme, kthimin e pronës tek i zoti, moslejimin e krimit dhe korrupsionit, sistem drejtësie të besueshëm…është kaq e thjeshtë, qoftë edhe me një fjalë. Përse?



