Dy anët e medaljes kulturore - Nga Fazli Mazreku
- Published in Andej-Këtej
Ne mërgimtarët kur vijmë në vendlindje, kuptohet që kemi mall dhe nostalgji për çdo gjë që na mungon atje ku jetojmë. Madje, ndoshta e teprojmë me disa gjëra, që në vendlindje duken si të tejkaluara, dhe jo rrallë për këtë edhe etiketohemi si njerëz me “orë të ndalur”!?
Kjo nuk na bën përshtypje, duke ditur faktin se ata që jetojnë këtu, ndonjëherë nuk e “shohin pyllin prapa lisave” dhe për atë arsye edhe çuditen me mërgimtarët e “prapambetur”.
Megjithatë, kur shkojmë për të kryer një shërbim në institucione publike, apo për t’u shërbyer në markete, në shitore të vogla e kudo tjetër, shohim se sa e manget është kultura e shërbimit të konsumatorëve, klientëve, pa diskriminime miqësore, shoqërore apo edhe fisnore. Sjellje të tillë nuk has në vendet perëndimore. Atje vlejnë rregulla, colour blind, ku shërbehet i pari në rend, që në zhargonin ditor njihet si: first come, first served. E për këtë po i sjell dy ngjarje që kanë ndodhur brenda 24 orëve, njëra në Kanada dhe tjetra në Kosovë.
Rasti i parë
Dje, një mik i familjes sime, e që është deputet i Dhomës së Komunave në Parlamentin federal kanadez dhe ministër i qeverisë në hije të Partisë Konservatore në opozitë, kishte marrë lajmin se nëna e tij gjendet në spital në shërbimin e urgjencës, për shkak të disa problemeve shëndetësore dhe menjëherë ishte nisur për në qytetin ku jeton, duke kaluar 5 orë në timonin e makinës. Kur kishte arritur në spital, ishte paraqitur në sportel dhe kishte kërkuar të shkonte në dhomën ku gjendej nëna e tij për trajtim të përkohshëm. Megjithatë, kishte marrë pergjigje të menjëhershme, se ai nuk mund të hynte për shkak të rregullave anti-COVID, sepse nëna ishte me vajzën e saj dhe nuk lejohet më tepër se një person brenda në dhomë. Deputeti e falenderoi punonjësen e sportelit dhe u largua me mirësjellje, duke mos u prezantuar si deputet dhe shkoi në Tim Hortons për kafe, duke pritur gjersa nëna të dilte nga spitali.
Rasti i dytë
Sot, ne nje furrë-byrektore ishim përafërsisht 10 persona duke pritur për të marrë byreke ose bukë. Prapa meje ishte një çift i huaj me kaska në dorë. Ata flisnin spanjisht dhe kërkonin në Google map se si shkohet në Prizren. Papritmas vijnë tre të rinj dhe pa kurrfarë skrupulli nuk presin në rend, shkojnë drejt, porositin byrekë dhe i paguajnë e dalin jashtë pa luajtur qerpikun e syrit. Gjersa ata paguanin, spanjishfolësit u larguan, një konsumator reagoi për thyerje të rendit, megjithatë, asgjë nuk ndryshoi.
Kështu nuk plotësohen kriteret për liberalizim e vizave. Po, edhe nëse janë plotësuar, ka diçka në mendësinë e kulturës sonë që na bën të padenjë për familjen e shoqerive liberale, që ne po aspirojmë të integrohemi.
©Fazli Mazreku, London-Ontario



