Andej-Këtej

Dilema hamletiane e poetit emigrant

Nga: Vangjush Ziko

Fenomeni i emigrimit është i njohur dhe i përjetuar nga poetët tanë që nga fillimet e njohura të letërsisë sonë dhe në vazhdim në vite. Historia e letërsisë sonë ka njohur valë të ndryshme të emigrimit të tyre: poetët arbëreshë, poetët e Rilindjes sonë Kombëtare, poetët e përndjekur nga komunizmi, ata të viteve nëntëdhjetë, të Periudhës së Demokracisë dhe në vitet në vazhdim. E kam fjalën jo për poetët që zgjedhin një vend për të jetuar dhe krijuar përkohësisht ose për periudha të ndryshme, pa u shkëputur nga mëmëdheu, por për ata krijues që vendosen përfundimisht në një vend tjetër, për poetët ekspatriotë dhe për poezinë e tyre.

Poeti emigron për arsye apo synime nga më të ndryshmet, jo vetëm ekonomike, të mbijetesës, por edhe për të kërkuar dhe njohur hapësira të reja që lidhen me lirinë e tij për të krijuar. Ky mjedis i ri i jetesës, pa diskutim, ka edhe rolin e vet objektiv dhe subjektiv në ecurinë e krijimtarisë poetike. E theksoj poetike, sepse kjo, për specifikën e vetë gjinisë, është shumë më e ndjeshme se sa proza.

Përpara çdo krijuesi emigrant, ashtu sikurse përpara çdo emigranti, qëndron dilema e përshtatjes ose mospërshtatjes, tjetërsimi ose mostjetërsimi. Kjo është një dilemë personale jetësore dhe profesionale, e përfillshme ose e papërfillshme, një zgjedhje krejt personale.

Kjo lidhet, në radhë të parë, me kompleksin psikologjik të emigrantit, i cili, me ardhjen në një vend të huaj, nuk e ka të lehtë që të përshtatet me pozitën e tij në mjedisin e ri. Atij i duhet të harrojë se ç'ka qenë në vendin e vet, e ka të vështirë ta pranojë statusin social dhe atë profesional, që është larg apo i ndryshëm nga ai që ka patur në atdhe. Ai ndruhet ta pasqyrojë këtë realitet të deformuar personal, me një fjalë, ka probleme sociale dhe psikologjike, të cilat ndikojnë në jetën e përditshme dhe në krijimtari. Përvoja edhe e krijuesve tanë të mërguar dëshmon se duhet një farë kohe që kjo tematikë të zerë vend në krijimtarinë e tyre.

Emigrimi, në radhë të parë, është një shpërngulje, lëvizje fizike nga njëri vend në një vend tjetër, lëvizje që e bën çdo emigrant. Për çdo krijues është, veçanërisht e domosdoshme lëvizja e brendshme shpirtërore, kapërcimi i vetvetes në shumë drejtime, shpirtërore, kulturore e sociale.

Krijuesit i duhet të bëhet pjesë aktive e një shoqërie të re, të krijojë lidhje fizike dhe shpirtërore me dheun e ri, pa i shkëputur lidhjet shpirtërore dhe kulturore me atdheun e vet. I duhet ta kapërcejë nocionin klasik të “atdheut” për të arritur tek “atdheu i dytë” ose “atdheu tjetër”.

Shumë prej krijuesve të mërguar e kanë anashkaluar, nuk e quajnë, apo nuk e kanë ndjerë të domosdoshme t'i përgjigjen poetikisht kësaj sfide. Këta vazhdojnë të shkruajnë sikur të mos kishin emigruar. Krijimtaria e tyre vazhdon rrugën e vet me tematikën dhe me stilin e mëparshëm. E vetmja temë e re mund të jetë tema nostalgjike e mallit për vendin e natyrën, për atë jetë, atë histori të përjetuar në atdhe dhe aty-këtu ndonjë mbresë a temë nga jeta e re në vendin e huaj.

Poezia e këtyre krijuesve, sigurisht, vazhdon të ecë në rrugën e thellimit dhe të rritjes së krijimtarisë së vet. Mendoj se në këtë rast vazhdon të bëjë presionin e vet psikologjik dhe artistik edhe vetë gjendja dhe shija e masës së bashkëpatriotëve emigrantë. Pa diskutim, kjo krijimtari e luan rolin e saj, misionin e vet për të ruajtur traditat kombëtare në emigrim, për të ushqyer ndjenjën e patriotizmit, gjë që është një vlerë e çmuar patriotike. Kjo poezi mbetet një poezi sinonime me atë që poeti ka shkruar edhe më parë në atdhe, atë mund ta quajmë një poezi të shkruar larg atdheut, poezi nostalgjike e mallit të pashuar, që jeton dhe frymon me kujtimet, me mungesën e gjërave që i braktisi, me problemet shoqërore dhe politike të atdheut në tranzicion.

Por ka edhe një krijimtari tjetër poetike që po shkruhet në emigrim, poezi e cila guxon t'i përgjigjet pozitivisht dilemës së përshtatjes apo mospërshtatjes, të tjetërsimit apo mostjetërsimit, të problemit kyç hamletian në emigrim. Është në vetë natyrën e poezisë, në superndjeshmërinë e saj për të sfiduar problemet që shtron jeta. Por është, mbi të gjitha, një zgjedhje personale e vetë poetit. Të qenët poet në emigrim do parë si një mundësi dhe si provë për ta zgjeruar dhe ndryshuar krijimtarinë, një impuls frymëzimi, i cili të shtron përpara mundësi të reja për kërkime artistike dhe estetike, për ta çuar më tej atë.

Këtë prirje e gjejmë në disa autorë, ku më pak e ku më shumë, Poezia e këtyre synon të bëhet një poezi ndryshe për nga brendia dhe shpesh herë edhe për nga forma. Kjo poezi synon të pasqyrojë atë proces që po ndodh realisht në botën e brendshme të emigrantit, ajo lëvizje dhe gjendje psikologjike, ai mentalitet i ri, që po bulëzon. Ajo reflekton ecurinë e shndërrimeve që po ndodhin në botën e brendshme të brezave më të reja të diasporës, të cilët jetën dhe të ardhmen e tyre e kanë, tashmë, të lidhur përfundimisht me vendin e emigrimit, me problemet aspak të lehta që ka jeta në një vend të ri, me ëndrrat, shpresat dhe dramat e veta. Ajo, në kuptimin tematik, në radhë të parë, bëhet kështu një zëdhënëse e botës shpirtërore të trazuar të emigrantit, e mëdyshjeve, e përjetimeve me ngarkesë dramatike, me zhgënjime apo me ëndrra të reja.

Në këto krijime, të shkruara në gjuhën e origjinës apo në gjuhën e vendit të emigrimit, ka filluar të skicohet edhe tema e atdheut të dytë, e “atdheut tjetër”, pa e harruar apo pa e mohuar atdheun e origjinës. Atdheu është në zemrën dhe në ADN-në e poetit, në gjuhën, në kujtimet e paharruara, të mira a të këqia, në frymëmarrjen e përditshme. Atdheu “tjetër” është një mundësi për të njohur një botë tjetër, të panjohur më parë, një mundësi, jo vetëm për një frymëzim të ri, por edhe për një botëkuptim dhe mentalitet tjetër, për të njohur njerëz ndryshe nga ty dhe për të provuar një dashuri të panjohur për njerëz të tjerë, me të cilët je duke kërkuar një fat të ri në jetë.

Bëhet fjalë për një dashuri për tjetrin, i cili shëmbëllen i ngjashëm me veten tënde në interesat jetike dhe shpirtërore. Bëhet fjalë për njerëz me tradita kulturore dhe racore të ndryshme, që shekulli ynë po i pjek dhe po i afron vazhdimisht me njëri-tjetrin. Kjo poezi e gjen estetikën e vet në diversitetin. Jeta në diversitet, pranimi dhe inkurajimi i saj është motoja humane e shekullit tonë. Një poezi e tillë do parë si një vlerë e shtuar artistike dhe estetike në historinë e letërsisë kombëtare, që nuk duhet anashkaluar.