Andej-Këtej

Një dramë interesante politike në Zvicër - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Simonetta Sommaruga është ministre e Ambientit, Energjetikës, Transportit dhe Komunikimit në qeverinë e Zvicrës. Ditë më parë Sommaruga befas deklaroi se do të tërhiqet nga pozita e ministres në fund të vitit për shkak se burri i saj vuan nga një sëmundje.

Krerët e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës (SP), anëtare e së cilës është Sommaruga, menjëherë pas dorëheqjes së ministres deklaruan se do t’ia propozojnë parlamentit dy gra për postin e ministres. Parlamenti mund të zgjedhë njërën prej tyre. Shumë kritikë (në media dhe në politikë) u shprehën të habitur se si krerët e Partisë Socialdemokrate, në emër të barazisë gjinore, që në start përjashtojnë burrat nga kandidatura për ministër.

Ashtu siç ka mjaft gra të afta për postin e ministres, Partia Socialdemokrate e Zvicrës ka edhe shumë burra që gjithsesi janë të kualifikuar dhe kanë përvojë të mjaftueshme politike për të qenë ministër. Njëri ndër ta është prof. dr. Daniel Jositsch, deputet në Dhomën e Dytë të Parlamentit të Zvicrës dhe profesor i Drejtësisë në Universitetin e Zürichut.

Jostisch ka vendosur ta sfidojë partinë dhe ka shpallur kandidaturën për ministër. Ai thotë se nuk do të kishte problem fare nëse Grupi Parlamentar vendos të kandidojnë dy gra për ministre. Jositsch e sheh problemin tjetërkund: përjashtimin e burrave në mënyrë automatike dhe që në start nga kandidatura. “Kjo”, thotë ai, “nuk ka të bëjë asgjë me barazi gjinore. Kjo është diskriminuese”. Tash i mbetet Grupit Parlamentar të vendosë.

A do të braktisë Jostisch partinë nëse nuk e kandidon për ministër? “Jo”. Kjo është përgjigja e tij. Sepse në parti, njofton ai, s’ka hyrë vetëm për poste, por sidomos për shkak të vlerave dhe qëndrimeve politike.

Partitë nuk ndërrohen si çorapet - ky është një dallim me “kulturën” politike në shumë vende të tjerë, përfshirë edhe Ballkanin, ku politikanët (dhe politikanet) i ndërrojnë partitë si çorapet.

©Enver Robelli