Andej-Këtej

Pesë media prestigjioze apelojnë t'i jepet fund ndjekjes penale ndaj Julian Assange

Pesë media prestigjioze botërore, pikërisht amerikania The New York Times, britanikja The Guardian, spanjollja El Pais, francezja Le Monde dhe gjermania Der Spiegel, i bënë thirrje dje (28.11.) qeverisë amerikane t’i japë fund ndjekjes penale ndaj themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange.

51-vjeçari australian ndiqet penalisht në Shtetet e Bashkuara për publikimin e më shumë se 700,000 dokumenteve konfidenciale mbi aktivitetet ushtarake dhe diplomatike amerikane, veçanërisht në Irak dhe Afganistan, që nga viti 2010, burime mbi të cilat u bazuan shumë publikime, në veçanti nga këto pesë gazeta. Assange rrezikon të dënohet me 175 vite burg.

I arrestuar nga policia britanike në vitin 2019 pas shtatë vitesh strehim në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ai aktualisht po mbahet në një burg të sigurisë së lartë pranë kryeqytetit britanik në pritje të shqyrtimit të apelimit kundër vendimit të qeverisë britanike për ekstradimin e tij drejt SHBA.

“Mbledhja dhe publikimi i informacionit delikat kur kjo është në favor të interesit publik, është një pjesë thelbësore e punës së përditshme të gazetarëve. Nëse ky aktivitet kriminalizohet, jo vetëm cilësia e debatit publik, por edhe demokracitë tona do dobësohen ndjeshëm”, shkruajnë në letrën e tyre kryeredaktorët dhe drejtorët e pesë gazetave. Sipas tyre, 12 vjet pas publikimeve të para, “është koha që qeveria e Shteteve të Bashkuara t’i tërheqë akuzat kundër Julian Assange, sepse botimi nuk është krim”.

Drejtuesit e pesë gazetave prestigjioze kanë kujtuar në letrën e tyre se ata e patën kritikuar publikisht qëndrimin e Julian Assange në vitin 2011, kur u bënë publike versionet e paredaktuara të kabllogrameve diplomatike dhe disa prej tyre madje ende shprehin shqetësim për akuzën që figuron në dosjen e padisë amerikane, sipas të cilës Assange nxiti një ndërhyrje informatike mbi një bazë të dhënash të klasifikuara. “Por sot ne jemi të bashkuar për të shprehur shqetësimin tonë të madh ndaj procedurave ligjore pa fund me të cilat po përballet ai”, kanë thënë ata.

Autorët e letrës gjithashtu theksojnë se përdorimi nën presidencën amerikane të Donald Trump, i dispozitave të ligjit që daton nga viti 1917 për luften kundër spiunazhit, nuk kish ndodhur kurrë më parë kundër gazetarëve, mediave apo transmetuesve. Një aktakuzë e tillë, sipas tyre “krijon një precedent të rrezikshëm dhe kërcënon lirinë e informimit”.

Muajin e kaluar, Sekretari amerikan i Drejtësisë Merrick Garland nxori disa udhëzime të reja, më mbrojtëse ndaj gazetarëve, pa lënë të nënkuptohet megjithatë se mund të ketë ndonjë ndryshim qëndrimi në raport me dosjen Julian Assange.

Udhëzimet e reja autorizojnë ndjekjen penale ndaj gazetarëve të dyshuar se kanë vepruar si agjentë të fuqive të huaja dhe parashikojnë një qasje rast pas rasti për afera që përfshijnë persona të cilët nuk janë domosdoshmërisht gazetarë në kuptimin tradicional të fjalës.

©Flashqip.ca me informacion nga AFP

Foto: Getty Images/Carl Court