Andej-Këtej

Të reja nga Bonaparti - Nga Dashnor Kokonozi

 

Dashnor Kokonozi - Francë

E vështirë është, shumë e vështirë, por gjësendi mund të hasësh, veçanërisht për shkak të një fenomeni të përhapur francez, siç janë muzetë dhe koleksionet private. Ka individë dhe familje të tëra që brez pas brezi shkrijnë pasuri të mëdha për të blerë objekte që i ka përdorur Napoleon Bonaparti.

Këtë verë u hap një ekspozitë në Flandër, Saint-Omer (Audomarus). Mjedisi ishte mjaft interesant, kisha e një kuvendi të vjetër jezuitësh.

Më pëlqeu shume një portret i Antonio Canova-s, edhe pse e kishte paraqitur Bonapartin me tiparet e një strategu romak. Do të jetë bërë gjatë fushatës së tij në Itali.

Më tërhoqi edhe një portret i fazës së fundit të Bonapartit, që mbante firmën e anglezit James Sant. Nuk e njihja. Lexohet në të dëshpërimi i thellë i Perandorit.

Por të reja dokumentare nga ai ka herë pas here.

Shpesh, të thekura.

Këtë verë u fol për zbulimin e një letre (njihej por mbetej një verifikim i fundit) që Napoleoni i dërgonte Zhozefinës së tij, mbase e vetmja grua që ka dashur ndonjëherë, ndërsa po kthehej nga një betejë.

I shkruan gjenerali gruas:  do vij së shpejti, mos u laj (!).

Duket, mjaft i dashuruar në atë kohë, ishte edhe fans i thekur i erërave trupore të gruas së tij...

Imagjinoni për një çast sikur Zhozi të kishte dy javë pa u larë dhe ta kishte lënë të lahej pak para se të vinte i shoqi. Ja që para ardhjes, vjen urdhri për të mos u larë.

Ajo duhej ta priste ashtu, siç ishte.  Urdhër i gjeneralit.

Një horror i vërtetë bonapartist do të ketë qenë java që pason!

©Dashnor Kokonozi

Fotot: Dashnor Kokonozi