Andej-Këtej

Tërmeti dhe komiteti

Nga: AGIM XHAFKA

Do ketë qenë viti 1960 a ‘61, nuk e di të saktë. Por kujtoj, megjithëse isha 6 vjeç, që ka qënë pranverë dhe mëngjes kur një tërmet i fortë tundi krejt pallatin. Sapo ishim zgjuar. Babai na rrëmbeu të tre fëmjët, mua,vëllain 5 vjeç dhe motrën motake. Vuri nënën para dhe zbritëm shkallët si era. Për punë sekondash u gjendëm para oborrit. Jo vetëm ne, krejt banorët, dhjetra familje e mbi njëqind frymë. Po dihasnim nga paniku. 
Po më tej? Çfarë do bënim? Sa do prisnim përjashta? Do shkonim në kopësht e motra në çerdhe, babai e nëna në punë? Dilema që i zgjidhi, Petro, fqinji ynë një kat më poshtë.
-Po shkoj të pyes në komitet,-na tha dhe iku ngadalë. 
Petro punonte shef kuadri. Nuk kishte miqësi me asnjë familje, por nga shtëpia e tij nuk dëgjohej asnjë zhurmë. Dukej sikur natën flinin diku tjetër. Fëmijët nuk e pëlqenin se ai nuk u fërkonte kokat ose nuk u thoshte ndonjë fjalë të ngrohtë. Ngjiste fiks si preshtë kur i vendosnim në oborr gjatë dimrit se nuk kishim frigorifer e atje nuk prisheshin për dy a tre muaj.
Ndërkohë babai iku vjedhurazi e u ngjit në apartament. Mori ca ushqime dhe zbriti si lepur. Nisi të ngrohej moti e vumë ca shtrojë për t'u ulur. Prisnim Petron.
Pas një farë kohe ai mbërriti dhe tha:
-Do rrimë përjashta se nga komiteti më thanë se do të ketë një tërmet në orën dy dhe një në katër mbasdite. 
U mërzitëm se nuk besonim se do kishte tjetër, por ja që komiteti i dinte mirë këto punë. Atëherë u rehatuam në tokë. Nisën muhabetet e të rriturve, lojrat me letra, domino dhe graria kujdeseshin për fëmijët. Erdhi dhe iku ora dy, por nuk ra tërmet. Na gënjeu komiteti, mendohej, por nuk e thoshte kush. Nga ora tre nisi një shi maji me furi e me rrebesh. Ku të mbyteshim. Mbi njëqind njerëz nuk lëviznin. Qull deri në palcë. Nëna u ul mbi baltë, futi motrën në mes dhe u përkul mbi të. Si çati e madhe dhe e sigurt. Një pamje që sot e krahasoj me Shën Mërinë kur mbante Jezusin. Se nga dhimbje nënash lindin frymëzimet për brezat. Të tjerët si nëpër filma me të burgosur që rrinë të ngurtësuar nën mëshirën e motit.
Babai u bë pakëz nervoz dhe donte të na merrte për të ikur lart, në shtëpi. Por nëna kafshoi buzën, shenjë që mos lëviznim. Kaloi dhe katra e tërmeti për fat na kishte harruar.
-Nuk e gjeti komiteti,- i thashë babait.
Ai më pa me dhimbje e vuri gishtin tek buza. Shët,-më tha.
Petro rrinte pa lëvizur. Ishte si çelsi i një makine që vetëm ai mund ta ndizte. Nisi të ngrysej dhe po na kapte e ftohta. Ishim qull e dhëmbët kërcisnin pa komandë.
Në këtë çast na shpëtoi Nerënxa, plaka e Vasilit. Ishte me një këmbë protezë, e kishin qëlluar në një demonstratë dhe ia kishin prerë me sharrë druri. Fjala e saj ka qënë gjithnjë shpëtimtare edhe kur na shanin në shkollë, edhe kur ndonjë polic na prishte lojën në oborr.
-Komiteti nuk merret vetëm me mëhallën tonë, komiteti përgjigjet nga Erseka deri në Bilisht,-nisi ajo.- Në orën dy dhe katër ka rënë tërmet për shembull në Zëmblak e Dvoran. Kaq ishte. Tjetër nuk ka se do na kishin lajmëruar. Tani shkojmë brenda se nuk ka më rrezik.
Kaq u desh dhe me aq vrap sa na dëboi tërmeti na ftoi apartamenti. Hymë brenda dhe u fshimë, u thamë, u ndërruam, kur trokitje tek dera. Ishte prapë Petro. Kaq u tremba se mund të na nxirrte jashtë, sa i thashë:
-Babai nuk është.
-S'ka gjë,-më tha ai.- Thuaji kur të vijë se nesër është e diel dhe do pastrojmë oborrin. Është bërë rrëmujë e madhe atje.
Iku dhe nga kuzhina doli babai. I kishte dëgjuar të gjitha.
-Prapë tërmet paskemi nesër,-tha ai.
Vite më vonë ia kuptova metaforën. Siç sa herë dëgjoj tërmet më kujtohet komiteti që caktonte dhe oraret kur do na tundte e do na shkundte mëma natyrë...