Andej-Këtej

Te Spiro, në Rodos! - Nga Jeta Dedja

Nga: JETA DEDJA

Një shoqja ime është e jashtëzakonshme. Çdo janar ajo fillon kërkimin e vendit të duhur për të kaluar pushimet verore. Unë e admiroj për këtë aftësi organizative që ka. Në fakt çdo vit ajo del e kënaqur me zgjedhjet e saj. Mendova t'i marr një mendje për këtë vit. I telefonova dhe çdo herë biseda me të është e këndshme aq sa harrova për çfarë e telefonova, kur befas ajo më solli në vete kur përmendi pushimet. Ah…pushimet!

Çfarë ke zgjedhur këtë vit?-e pyeta.

Ishullin e Rodosit në Greqi- më tha. Më duket se ti me Taulantin keni qenë atje apo jo?

Uau…pooo, fantastike!- ia ktheva e entuziazmuar unë. (Për herë të parë pata mundësinë të ndërroja rolet me shoqen time. Tani isha unë ajo që do e këshilloja për zgjedhjen).

“Rodosi është mrekulli! Duhet të shkosh patjetër në Pefkos, Lindos, te Spiro- ia nisa unë. Përveçse e kemi njeriun tonë të shtrenjtë, është një shqiptar zemërbardhë, me familje të mrekullueshme, i cili ka dy restorantet “Two brothers”. Do mbetesh e kënaqur më shumë se çdo herë tjetër sa i përket ushqimit. Kushdo kthehet sërish tek “Two brothers. Atje ndihesh si në shtëpi, sepse pronarët Spiro dhe Ida, me dy djemtë, kamarierët bashkë me kuzhinierët janë të gjithë një familje. Nuk kam parë më të përkushtuar se familja Bardhi. Ia kanë dalë mbanë edhe në Greqinë e vështirë, ku shqiptarëve të zotë e punëtorë shpesh u bien në qafë vendasit me pushtet, por edhe ata pa gjë në torbë. Por edhe në këto kushte, Spiros i rri plot restoranti- aq sa edhe vetë grekët arrijnë të thonë me vete “marshallah”. 

Ah, dhe që ta bëj reklamën shqiptarçe, po të them që te Spiro shkojnë dhe VIP-a…hahahah, jo se ky fakt ndikon në zgjedhje.

Dy restorantet e Spiros janë me stile të ndryshme. Njëri i arreduar me ngjyra bardhë e blu, ka menu të pasur ku i gjen të gjitha, ndërsa tjetri është më popullor, me tavolina druri ku shërbehet kuzhinë tradicionale greke dhe shqiptare. Kush ka shumë oreks, atje gjen rehat. Pjatat janë plot, siç duhet të jenë në restorante plazhi. Për herë të parë kam parë francezë të porositin jo vetëm një sallatë…bëj shaka. Kanë porositur edhe peshk dhe e kanë ndarë një pjatë në 5 pjesë se iu duk se Spiro kishte kursyer pjatat :) Dhe ku kursehen pjatat pra, atje ku vlon muzika dhe ku nga qejfi mund edhe të thyhen.

E dashur, dëgjo, nëse nuk ke rezervuar ende hotel, lidhu njëherë me Spiron se mbase të ndihmon të akomodohesh në vendin më të përshtatshëm. Ia gjen kontaktet edhe në faqen e Facebook-ut të restorantit “Two Brothers Restaurant Pefkos”.

Ose e di çke ti, lëre se po e marr unë përsipër organizimin këtë herë. Familjes tonë Rodosi nuk i del nga qejfi asnjëherë. Me atë rast takojmë dhe Spiron me familjen se na ka marrë malli!

 ©FlasShqip.ca