Andej-Këtej

Maqedoni: Dënohet me burg ish-kryeministri Nikolla Gruevksi

Gjykata penale në Shkup e dënoi me dy vjet burg ish-kryeministrin Nikolla Gruevski lidhur me një rast të blerjes së një makine Mercedes rreth 580 mijë euro me para të buxhetit të Ministrisë së punëve të brendshme, në vitin 2012. Gruevski akuzohej për veprën “pranim të dhuratës në bazë të ndikimit të jashtligjshëm”.

Po për këtë rast, 6 vjet e gjysmë burg iu dha ish-zëvendës ministrit të brendshëm, Gjoko Popovski i cili dje për një tjetër rast u dënua me 9 vjet burg. Për blerjen me tender të manipuluar të mercedesit luksoz që favorizonte përfaqësuesin në Maqedoni të prodhuesit gjerman, akuzohet edhe ish-ministrja e brendshme Gordana Jankullovska, por për shkak të një shtatzanie me probleme, asaj do t’i jepet vendimi në një rast të veçantë. Gruevski dhe Jankullovska nuk ishin të pranishëm në gjykatë për të dëgjuar verdiktin.

Rasti u procedua në gjykatë me kërkesë të Prokurorisë së posaçme, e cila u themelua para më shumë se dy vjetësh për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Ky është vendimi i parë gjyqësor për ish-kryeministrin Gruevski, i cili po përballet, nga ana tjetër edhe me katër procese të tjera gjyqësore, që po ashtu burimin e kanë tek ato që njihen në opinionin publik si “bombat e Zoran Zaevit”, e që janë publikimet e bisedave të përgjuara telefonike të elitave politike, të biznesit e medias.

Gjykatësja Dobrilla Kacarska tha se: ”Secili bartës i funksionit publik duhet të dijë për parimin e llogaridhënies, ndërsa qytetarët duhet të dijnë se si shpenzohen paratë e tyre. Askush nuk guxon t’i nënçmojë qytetarët në atë mënyrë siç e bëri Gruevski”, theksoi gjykatësja.

Avokatët e z. Gruesvki paralajmëruan se do ta apelojnë vendimin, ndërkohë që nuk mundën të japin përgjigje për vendndodhjen e klientit të tyre. Atij i është marrë pasaporta dhe nuk mund të largohet ligjërisht nga shteti. /zeriamerikes.com