Andej-Këtej

Lojëlibri i dredhinave, dezinformimi dhe teoritë konspirative - Nga Burim Bardhari

Mbrojtja nga 7 Urdhërimet e pashenjta të Librit të “çnjoftimit” dhe përçarjes

Sipas burimeve zyrtare kumtohet se pas afrimit të dy superfuqive, Gorbaçov i premtoi Reganit për ndalimin e teorisë konspirative kinse Virusi HIV ishte shpikur në laborator nga SHBA, synuar kundër zezakëve dhe homoseksualëve, por ishte shpifje dezinformative e propagandës ruse si “Operacija Infekcija” (Operation Infektion), turbullim i shpallur botërisht, ose me pagesë ose nga vetë shtypi kureshtar për skandale, nëpërmjet të palës së tretë të një gazete indiane, mashtrimi që u përhap vetëtimthi me shpejtësinë e gënjeshtrës dhe nuk është çrrënjosur as sot.

“Nëse dëshiron paqe atëherë përgatitu për luftë”, nuk e ka thënë Sun Xu siç shpallin keqnjoftimet e përjetësuara pahiri ose ndoshta edhe me synime të mugëta, por e ka thënë Vegetiu pas rënies së Perandorisë romake në veprën e tij “Shëmbëlltyra e çështjeve ushtarake”. Nuk u duhet besuar as teorive të rastësive, mirëpo duhet ushtruar kujdes sepse pahiri gjithë bota viktimizohet dhe pavetëdije përjetësohet dezinformimi si dogma, duke ia hapur gropën vetes, ngase mjerisht, nga lajmi i hidhur papritmas kërcënohet çdokush dhe preket në sedër kur dikush cënon besnikërinë ose pavarësinë individuale apo kolektive dhe pastaj nxiton t’i mbrojë njerëzit e pafajshëm duke përhapur djallëzinë, rrengun dhe rrenën.

Si rrjedhojë, shtetet Balltike tashmë janë stërvitur me propagandën ruse dhe si kundërmasë ata kanë programe televizive ku haptas për çdo javë përgënjeshtrohet propaganda lugate e Pu(sh)tinit sovjetik. Lë për tu dëshiruar se pse shqiptarët nuk e përvetësojnë të njëjtën metodë me ndonjë “think tank” si pararojë kombëtare ose ndonjë program televiziv ku përgënjeshtrohen haptas ndikimet e pandershme të fqinjëve finokë.

Para ca ditësh “Ruzia” rrëzoi dronin e cilësuar si armiqësor nga fqinji kryetar kundërshtar, por lind pyetja se pse nuk e rrëzoi më larg, së paku 100km larg kryeqytetit mu për hir të sigurisë dhe pse pas mesnatës kur s’kish njeri, apo një shkas i ri që të shënjestrohet anasjelltas fqinji, kryetari kryeneç dhe qëndrestar.

Putini është zejtar i vjetër i dezinformimit dhe trillimit që njihen si “masat aktive” sepse lufta është mjet i fundit i synimit, vetëm atëherë kur armiku i shkathët nuk i përfill masat e mashtrimit dhe keqnjoftimit të qëllimshëm të hartuar brenda “lojëlibrit” djallëzor që e kanë shpikur rusët imperialistë dhe e përdorin huazimthi shkijet sa here që duan t'i përçajnë shqiptarët.

Nuk nënkupton se nuk e dredh edhe xha Sem-i (Amerika) por së paku e pranon edhe gabimin ose synimin e errët siç ishte lufta e dytë e ndyrë kundër Irakut sepse nuk gjetën asnjë armë bërthamore dhe ndoshta duhet të dënohen edhe petritët luftënxitës si nënkryetari Dik Çenei sepse pëllumbi i butë Xhorxh Bush i riu ra në pusi, mjerisht si “idiot ose injoranti i leverdishëm” (anglisht: “useful idiot”) ngase keqpërdorej me pultin e komandimit psikologjik.

Lojëlibri i 7 Masave Aktive

1. Gjetje plasaritjesh, ku ka të çarë që të mos humbet kohë.

2. Trillimi dhe përçimi i gënjeshtrave ose rrenave të mëdha sepse ato trondisin, rrenat e vogla ose të bardha i thonë të gjithë.

3. Gjetje e ndonjë kokrrize/grimcë të vërtete pastaj rreth saj brumoset pjesa tjetër.

4. Fshehja e duarve (kur ngulet thika, si në errësirë).

5. Shfrytëzimi i idiotit/injorantit të leverdishëm, sepse ka plotë vullnetarë të marrë ose me pagesë.

6. Mohimi i besueshëm, moho e vetëm moho çdo gjë.

7. Loja e stërzgjatur, le të hidhet fara sepse mbin dikur.

Perëndimorët pandehën se duke shitur Demokraci dinin ta lodronin botën e tretë ose me tregti, mirëpo imperialistët kundërpalë nuk heqin dorë nga dogmat e tyre përkatëse, si feja Islame që natyrisht nuk e miraton shartimin e demokracisë perëndimore sepse ka frikë të mos zëvendësohet dhe pasojësisht dështoi “Pranvera Arabe”, ose shpikin ideologjitë dhe doktrinat e tyre përkatëse si paria ruse që përvetësoi Komunizmin nga Marksi dhe e përsosën shkathtësinë e dezinformimit; madje thuhet se ata i shkruan edhe “protokollet” e ndryshme për nxitje ndasish, sidomos e përhapin edhe rrenën e madhe kinse “Sheriati” do ta zëvendësojë ligjin laik demokratik që të nxitet urrejtja mes Perëndimit dhe Meslindjes, prandaj njihen të kenë dërguar edhe hoxhallarë të pasynetuar që të depërtojnë thellë në çdo qelizë të shoqërive, veçanërisht vegjëlive që besojnë padyshimthi e mendjelehtësisht si dikur të infektuar me “virusin e vëllazërim-izmit” qoftë xhihadist e qoftë atë komunist, që të dyja dhurata kalatrojane, prandaj është koha e fundit që edhe shqiptarët të mos e paguajnë bykun për kashtë se do të ngelin jashtë bujtinës së lashtë.

Ndoshta është kundërpropagandë por thuhet se Putini inskenoi aktin terrorist të myslimanëve çeçenë kinse ata shkaktuan shpërthim-shembjen e ndërtesës në Moskë por mundet që ishte diversion si shkas për ta rrafshuar Çeçeninë që i solli famën atij dhe pasi i nënshtroi  ia rindërtoi kryeqytetin duke emëruar si udhëheqës puthador këlyshin Ramzan Kadirov; rrjedhimisht, fiset turkike i ka nënshtruar më shumë Rusia sesa Kina ujgurët, sepse brenda federatës ruse ka mbi 25 milionë myslimanë që nuk bëzajnë dhe as trimi i tyre Taipi i cili nuk i shpëtoi as boshnjakët “bonjakë”, por investoi miliarda dollarë në Serbi.

Putini tani ka ngritur edhe ushtrinë tjetër private nëpërmjet kompanisë më të madhe vajgurore “GazProm” nën pretekstin që të mbrohet infrastruktura, por analistët perëndimorë hamendësojnë se ngre ushtrinë vetjake për ta mbrojtur atë nga dështimi i luftës së paradënuar me humbje.

Si përfundim, vazhdon loja e djallëzishme nëse fle populli. Syçelësia e përjetshme është çmimi i paqes dhe pushtetit popullor demokratik, jo vetëm mbrojtja nga perandoritë por edhe nga paria e brendshme që synon përfitimin vetjak duke nënshtruar popullin me vobekësi, dogma dhe ideologji, përndryshe autokracia diktatoriale është virusi si dënim i dështimit.

Zgjim e zgjuarsi!

© Burim Bardhari

Video burimi: Operation InfeKtion: How Russia Perfected the Art of War | NYT Opinion - YouTube