Andej-Këtej

Inxhinier Feridi - Nga Bamir Bebeziqi

Në Durrës, në arkivën e tij të kujtesës njerëzore, pasi arkivë historike për fat të keq nuk ka, e mesa kuptoj, nuk do të ketë kurrë, gjendet me siguri një personazh emblematik. Është krejt i veçantë në llojin e vet e zor se gjen një të dytë në qytet.

Kam qenë 5 vjeç e në kopësht zura një shok. Fatmir e quanin. Më pas kopshtit vazhduam të ishim shokë, bile pesë vjet në qitje kemi qenë bashkë në një ekip, e unë me pushkë e ai me pistoletë, kemi shkuar disa herë nëpër gara e kampionate të rinjsh.

Ky djalë ishte pak i veçantë krahasuar me ne të tjerët, kishte disa tipare jo shumë shqiptare, për arsyen e thjeshtë, pasi nënën e kishte të huaj. I jati i tij, student diku jashtë në një vend të Europës Lindorë kishte dashuruar një vajzë atje dhe me të kishte lidhur jetën.

***

Në vitin 1973, Matura ‘53 e gjimnazit “16 Shtatori” në Durrës, festonte 20 vjetorin e im atë ishte ngarkuar për të bërë historikun e saj. Ai kishte sjellë në shtëpi, midis materialesh e fotosh edhe librin e amzës të shkollës të fillim viteve ‘50 e unë si fëmijë kurioz, gjeja kohën të shfletoja faqet e mëdha pak të zverdhura prej kohësh e aty humbisja në emra të njohurish e të panjohurish, nota të stamposura përjetë, foto të çdo maturanti, ngjitur tek dëftesa e matures së gjithsecilit, por diçka më tërhiqte më shumë... më tërhiqnin nxënësit që i kishin notat më të larta, e midis tyre, ndriçonte njëri… ai i kishte të gjitha notat pesa.

Si fëmijë 11 vjeçar, m’u duk pak e habitshme që një nxënës të merrte notat maksimale gjatë gjithë viteve të shkollës, por ja që paska, e sipas tim eti, ai ishte babai i Mirit, shokut tim të kopshtit. Në përfytyrimin tim  fillova ta imagjinoja Derossi-n, personazhin tim të dashur,  tek “Zemra” e De Amicis-it, me fytyrën e tij e  qysh nga ajo kohë, shembulli i tij më frymëzoi e më tregoi se me punë e disiplinë mund të arrihet çdo gjë.

Në gjimnaz kur isha në vit të parë, flitej shumë për një nxënës të shkëlqyer në maturë. Kishte një emër të veçantë. E quanin Galin. E njihja si fytyrë prej të vëllait, Mirit që përmenda më lart. Kur përfunduan maturën mësova se kishte dalë me të gjitha notat dhjeta, si i jati, por kur erdhi puna për të drejtën e studimit, partia e asaj kohe e pa të arsyeshme që ai djalë i shkëlqyer në mësime duhej t’i shërbente atdheut në sektorin e vështirë të bujqësisë dhe i ofroi degën e Agronomisë.

Përse e çuan atje? Nuk mundem t’i jap përgjigje. Ndoshta ngaqë e kishte nënën të huaj, megjithëse babain e kishte kryeinxhinier në një ndërmarrje të rëndësishme.

***

Një ditë gushti, mund të ketë qenë fundi i viteve ‘90, im atë kishte ndaluar përpara birrari “Polskit” e po bisedonte me një burrë simpatik. Nga larg m’u duk se atë burrë e kisha parë diku. U afrova, u përqëndrova më shumë dhe në mendje më erdhi në çast Derossi i De-Amicis. E njoha kush ishte.

-Ky është inxhinier Ferid Kora, nxënësi shkëqyer i klasës sime në gjimnaz, - më prezanton im atë.

U takuam me përzemërsi. E pyeta për Mirin dhe Galin. E dija që Miri kishte vite në Itali dhe Gali jetonte në Kanada.

-Mirin e kam afër, por Gali ka shkuar shumë larg në atë vend të ftohtë, - e m’u duk sikur donte t’i thoshte tim e ti, se sa mire që i ke të dy djemtë këtu, por ai nuk e dinte që unë në atë kohë po përgatitesha të shkoja në të njejtin vend ku Gali jetonte prej vitesh.

Ka kohë që inxhinier Feridin e kam mik në Facebook, në fakt e kam mik të veçantë pasi kur shkruan, kur komenton, seç më kujton nga pak tim atë. Ai është dëshmitari ndoshta i fundit, i maturës ’53.

Ju lutem inxhinier Feridi, shkruani diçka për atë maturë? Për pak ditë mbushen 70 vjet. Le ta festojmë së bashku! Ju mundeni!

© Bamir Bebeziqi