Shqiptarët në Perëndim, diaspora më dinamike nga Europa Juglindore - Enver Robelli
- Published in Andej-Këtej
Ndërsa treni nga Berlini përmes Mynihut rrëshqet nëpër shinat afër qytetit zviceran të St. Gallen dhe vazhdon në drejtim të Zyrihut, po kthehem në përditshmërinë e mrekullueshme zvicerane me një ndjenjë të madhe krenarie për bashkëkombaset e bashkëkombasit tanë kudo në Europën Perëndimore. Një çerekshekull pas luftës dhe çlirimit të Kosovës ne s’jemi më “rast humanitar”. Ne tani e kemi gjetur zërin tonë dhe gjuhën tonë. Zëri ynë nuk është aq i fuqishëm, por nuk jemi më ata shqiptarët e viteve 80-të që prindërit i merrnin për dorë për të dalë në sheshe të Bernës, Zyrihut, Bonit dhe Gjenevës për të brohoritur “Kosova Republikë”.
Tash ecim rrugëve të Berlinit, dhjetëra shqiptarë dhe dikush na flet mbi rolin e kinematografisë në veprën e Franc Kafkës. Ajo që flet për këtë temë është specialiste e kësaj fushe. Pastaj një tjetër flet për hulumtimet e saj kundër kancerit në Charité në Berlin, spitali universitar më i famshëm i Gjermanisë. Një tjetër - djalë nga Shkupi - tregon se si Elena Gjika (Dora D’Istria) e ka takuar Aleksandër von Humboltin, dijetarin e madh gjerman, emrin e të cilit e bart Universiteti i Humboltit. Në rrugë punëtorët e ndërtimtarisë flasin shqip. Në lagjen Charlottenburg të Berlinit një pronar restoranti ta “zë rrugën” me krejt zemërgjerësinë shqiptare që kulmon me një ultimatum: “Hajde për darkë, të lutem, këtë kafen mos e llogarit”. Herën tjetër, me qejf, Kujtim!
Por të shkosh në restorante të drejtuara nga shqiptarët është një ndjenjë mes krenarisë dhe sikletit. Ata e dinë që s’e ke problem të paguash një drekë a darkë. Por prapë s’të lënë të paguash - ose bëjnë aso fatura ku i llogaritin vetëm supën dhe ullinjtë. Dashamirësia e bujaria e shqiptarëve nga Tetova, Shkupi, Struga e Gostivari, nga Prishtina dhe pjesë të tjera të Kosovës thjeshtë të lë pa frymë.
Ka ndodhur edhe diçka në 30 vitet e fundit në Europën Perëndimore: të jesh nga Prizreni apo nga Tirana nuk përbën më asnjë dallim. Në shumicën e promovimeve të librit tim gjithandej nëpër Europë nga janari deri në qershor si organizatorë kanë qenë të involvuar me shumë entuziazëm shqiptare e shqiptarë të mrekullueshëm nga Korça deri në Tiranë. Faleminderit me sinqeritetin më të madh. Po aq sa edhe shumë bashkëvendësve të mi nga Kosova - mes tyre edhe shumë diplomate e diplomatë të republikës që vullnetarisht janë bërë pjesë e promovimeve të librit duke i dhënë jehonë zërit tonë.
Mbi 1 milionë shqiptarë në Perëndim janë diaspora mbase më dinamike nga Europa Juglindore. Dhe ditët më të mira kjo diasporë ende i ka para vetes. Kush e injoron apo përbuzë këtë zhvillim, nuk e meriton as vëmendjen më të vogël.
© Enver Robelli



