Andej-Këtej

Mysafirë për të punuar - Nga Enver Robelli

Në një ditë pranvere të vitit 1968 nga treni pafund i gjatë në stacionin e trenave në München filluan të zbresin me hapa të ngathët grupe të djemve nga Kosova. Ata mbanin valixhe të mëdha në duar, për herë të parë në jetën e tyre ishin veshur me kostume. Ata po vinin në një botë krejtësisht të re, ekzotike. Në peronin ku ishte ndalur treni një orkestër muzikore po i priste mysafirët që ishin më shumë se mysafirë. Punëdhënësit gjermanë kishin nevojë për punëtorë, ekonomia e vendit lulëzonte.

Në stacionin e trenit në München djemtë nga Kosova panë për herë të parë shkallët elektrike. Përveç se me muzikë tradicionale bavareze, kosovarët (si edhe punëtorët nga vende të tjera si Italia, Turqia etj.) u mirëpritën me shujta, të cilat përmbanin edhe banane. “Sot mund të duket qesharake, por ne po shihnim dhe shijonim për herë të parë një banane. Disa i hodhën bananet në shina të trenit, sepse nuk e dinin çka janë”, kështu tregon njëri që në atë ditë pranvere zbriti nga treni që erdhi nga Jugosllavia e atëhershme në Gjermaninë e atëhershme.

Mirëqenia modeste e shumë fshatrave të Kosovës fillon me hapin e parë të punëtorëve të Kosovës të hedhur në stacionin e trenit në München (ose Zürich). Vetura “Volkswagen” e “Mercedes”, aparate televizive dhe radio, biçikleta dhe sharra të firmës Stihl, vegla të Bosch-it - të gjithë këta artikuj që ishin simbol i kapitalizmit gjerman nisën t’i sjellin në Kosovë punëtorët e mërguar apo “gastarbajterët”, siç quheshin edhe në shtypin shqiptar të kohës (nga fjala gjermane “Gastarbeiter”, që domethënë punëtor mysafir). Kjo fjalë përmbante një mesazh cinik: ju jeni këtu mysafirë për të punuar.

Punëdhënësit gjermanë ishin të entuziazmuar me zellin e kosovarëve. Ata jetonin kryesisht nëpër baraka, zienin ushqimin bashkë, kontaktet me botën gjermane ishin minimale. Njëherë apo dy herë në vit ktheheshin në vendlindje, me trastat e mbushura plot me produkte gjermane dhe me kuleta të fryra me marka gjermane. Me këto marka ndërtonin shtëpi, blinin tokë, pyje, përkrahnin familjet e tyre, përfshirë edhe kushërinjtë.

Djemtë e rinj që zbritën nga treni në München më 1968 tani janë pleq. Burra në pension. Njerëz me dy atdhe. Mërgimtarë me histori ende të parrëfyera. Është historia jonë. E Kosovës. Që pret të rrëfehet.

© Enver Robelli