Arte & Media

Ngjyra jete: Mbi krijimtarinë e artistit Zeqirja Rexhepi - Nga Merita Toçila

Zeqirja Rexhepi është një artist që një pjesë të krijimtarisë së tij e ka të lidhur me artin tekstil dhe ka shkëlqyer në të atëherë kur pak artistë e kanë eksploruar si medium, pasi për një kohë të gjatë arti tekstil është konsideruar si zeje. I specializuar në dizajn qëndisjeje në Arbon (Zvicër) ai ka qenë dizajner i tekstilit për fabrikën e dytë më të madhe të tekstilit në Evropë duke lënë një seri punësh, një pjesë e madhe e të cilave për fat të keq sot nuk ekzistojnë më.

Edhe kur u detyrua të largohet nga vendi gjatë luftës së vitit 1999, ndonëse shprehet se “harrova atë që ndërtova... i lashë diplomat e mia, i lashë mjetet e punës, e lashë kulturën time”, ai e vazhdoi jetën në Kanada ashtu siç e kishte lënë në Kosovë, me artin e tij në pëlhurë e afreske. Si e tillë veprimtaria e tij artistike shfaqet si një triptik jetësor, ashtu siç erdhi e organizuar dhe tematika në ekspozitën e tij vitin e kaluar në Kosovë, me Luftën, Shpërnguljen dhe Nostalgjinë.

Të mendosh se e ke kuptuar menjëherë pikturën e Zeqirja Rexhepit vetëm nëpërmjet asaj që përfaqësohet duket një qasje sipërfaqësore e të konsideruarit të veprës. Për ta kuptuar saktë është e rëndësishme të merren parasysh dhe kodet e përdorura në të. Ai nuk shfaq subjekte ose objekte vetëm si shenjë e drejtpërdrejtë. Organizimi i hapësirës së kuadrit, forma dhe ngjyrat, organizimi i vijave e sipërfaqeve krijojnë një univers emocional krejt të mëvetshëm ku shpesh i shtohet prania e njeriut. Gjithë struktura piktorike është interpretim i ngjarjeve të jetuara gjatë luftës dhe pasojave të saj, të cilat vijnë të konceptuara prej tij në një konfigurim cilësor e me një gjuhë të pasur me simbole, metafora e aliteracione figurative në stil.

Stili i tij i veçantë ekspresionist midis figuracionit dhe abstraksionit, artikulon situatat narrative brenda kontekstit social-kulturor shqiptar dhe brenda grupit etnik prej të cilit buron vepra në situatat e referuara. Diku veçon një grup njerëzish pa fytyrë të futur në një tendë të vogël: “Atje, sheh njerëz, por nuk e di se kush janë. Di vetëm se janë në të njëjtën situatë.”- thotë Rexhepi. Në një tablo tjetër shquhen silueta njerëzish që “vrapojnë midis vdekjes dhe jetës”, teksa një nënë mban shtrënguar pranë vetes fëmijën e saj duke rendur mbi një tokë të ndezur flakë, apo përmes një fytyre femërore e syve të trembur ngulmon të tregojë se çfarë ka ndodhur me mijëra gra të përdhunuara gjatë periudhës së terrorit.

Vështrimi ynë që zhvendoset nga një element i ekzekutuar në tjetrin nëpër tablo, recepton narrativën e dramës shqiptare, më konkretisht asaj kosovare në fund të shekullit XX, ndalet në ndonjë prej tyre ku duken ura të dëmtuara, shtëpi të rrënuara e episodi mitik i një kulle si ajo e Jasharëve që ndonëse në këmbë ka me dhjetëra të vrarë para saj. Afërmendsh që as përshkrimi dhe as referimi si ngjarje nuk mund ta përkufizojnë plotësisht atë që ka ndodhur në të vërtetë dhe as përjetimin e artistit ndaj historisë në fjalë, por kompozimi vjen imponues.

Ne mbërthehemi para imazheve ku fragmente realiste portretesh, objektesh a vendesh organizohen në hapësirë në disa nivele për të receptuar dinamikën e dialektikën e ngjarjeve dhe qëndrimin e artistit ndaj tyre. Projektimi i figurës së Adem Jasharit në qiellin e Kosovës e mbi ngrehina shpërfaq dimensionin e heroit legjendar në kufijtë e një hyjnie mbrojtëse. Simboli i kullës qoftë në kontekstin tonë kulturor, qoftë në periudhën historike për të cilën bën fjalë, është një shenjë qëndrese që lë gjurmë tek shikuesi.

Shtëpia e djegur e artistit pak muaj pasi zbarkoi në Kanada “ringrihet” në një vepër arti me oxhakun që qëndron në mes të rrënojave duke aluduar për vazhdimësinë e familjes, fisit e më gjerë etnisë e vendit të tij. Në vijim siluetat njerëzore ndonëse në hapësira të papërcaktuara reale ose joreale, në gjendjen mes ankthit të jetës, fatit e mungesës së shpresës qëndrojnë në këmbë me vështrim nga drita a “duke pritur diellin” si evokim të ngrohtësisë, jetës dhe vitalitetit. Ato herë janë më vete, herë në grup dhe diku u shtohet ndonjë detaj plotësues me referencë nga tradita. Kështu në ciklin e tretë paleta e piktorit ka nisur të modelojë në telajo imazhet e një jete të re dhe befas vërshojnë instrumente si flauti, violina e violonçeli për të përcaktuar diçka tjetër në kërkim të galdimit e ri ngjalljes së pasionit për jetën.

Hapësira piktorike në këto tablo konsiderohet pa kufi, me ngjyra plotësuese ku disa vija kontrastuese diktojnë formën. Vepra krijon aluzionin e thellësisë dhe perspektivës kur në plane me blu lihet një shenjë e bardhë në qendër, ose në krah të së verdhës tokohet me të errët, për të ndarë formën një blu pranëvihet me një të kuqe si dhe në lojën e dritës me hijen ruhet raporti kryesisht në aks i figurave për të na bindur për tredimensionalitetin e imazhit. Aty ku shenja me ngjyrë nuk e ndjek vizatimin, nuk merr plotësisht formën e pritur ose fiton nuanca ngjyre në një mënyrë të tillë që prezanton një shpërndërrim të një qenieje në dukje pa të kaluar e pa drama, por është veçse një iluzion.

Nën shtresa ngjyrash e linjash që konturojnë tiparet e portretit fshihen gjurmët e jetës së shkuar dhe ndriçojnë shpresat për të ardhmen. Teksa e shqyrtojmë kështu, mund të arrijmë të kuptojmë si e ka përpunuar materialin jetësor artisti dhe si e ka ndërthurur historinë me teknikën e artit për të shenjuar në telajo vizionin e tij për botën e për të përcjellë mesazhe (edhe kombëtare) në trajta universale. Megjithëse i njohur që herët dhe përqafues i stileve moderne, vepra e tij reflekton në substancë kulturën shqiptare ashtu sikurse aspiron ai vetë, e në këtë dualitet përfaqësimi (edhe qytetar i Kosovës edhe qytetar i botës) komunikimi me veprën mbetet gjithmonë koherent.

© Dr. Merita Toçila