Colosseum dhe kafsha e ndrydhur brenda individit - Nga Çapajev Gjokutaj
- Published in Andej-Këtej
“Në bangat e shkollës, moj mike/dy emra i gdhendëm dikur”. Këto vargje të një kënge te vjetër, që në vitet e shkollës së mesme i këndonim në grup dhe gjithë trishtim, m’u kujtuan mbrëmë, ndërkohë që spikeri fliste për një turist i cili kishte gdhendur emrin e vet dhe të të dashurës në muret e Colosseum-it në Romë, ndaj rrezikonte të dënohej deri në 5 vjet burg.
Po të kërkosh në Google, të rezulton se vandalizma të këtij lloji nuk janë dhe aq të rralla. Vitet e fundit Colosseum-i e ka pësuar diçka të tillë, minimumi edhe tri herë të tjera. Pesë vjet të shkuar, një grup turistësh izraelitë shkaktuan skandal të përbotshëm se u kapën duke gdhendur emrat në muret e Taj Mahal-it të famshëm.
Ç’lidhje kanë dëmtimet dhe vandalizmat kundër Colosseum-it e Taj Mahal-it me emra e dy të rinjve, të gdhendur në bangat e shkollës së dikurshme, përveç faktit që në të gjitha rastet kemi të bëjmë gdhendje a prerje, mund të pyesë shumëkush.
Në fakt prirja e njeriut për të riprodhuar veten është qëllimi kryesor i jetës. Veç riprodhimit bilogjik nëpërmjet pasardhësve, njeriu përpiqet të lejë gjurmë e ta përjetësojë veten edhe në rrafsh simbolik, me bëma e vepra që do vrasin, aq sa mund të vrasin, harresën e hiçin.
Edhe gdhendja e emrave në monumente të lashta a të shenjta, pavarësisht se akt ekstremisht vandal, një shtytje të tillë psikologjike duket se ka për rrënjë.
Rasti i Colosseum-it, ka edhe diçka plus që e lidh me atë të bangave: ka të ngjarë që kur është i dashuruar njeriu, kërkon t’i mbushë mendjen vetes se ajo ndjenjë do zgjasë e do zgjasë si një përjetësi. Po mund të jetë edhe e kundërta: një ndeshje e fshehtë mes të vetdijshmes dhe të pavetdijshmes: e para i thotë se dashuria është e përkohëshme, e dyta nxiton ta mohojë e t’ia zgjasë jetën me çdo kusht, qoftë edhe me një gdhendje banale.
Psikologët që janë marrë me prirjen e disa njerëzve për të gdhendur emrin e vet gjithandej, theksojnë shkaqe të ndryshme duke filluar nga dëshira e kujtimit dhe përjetësimit, duke vazhduar me instiktin e shënimit të territorit trashëguar nga stërgjyshërit leshtorë e duke ardhur tek shfaqje të narcisizmit apo edhe të rebelimit infantil dhe sidomos të pagdhendjes. Kjo e fundit sipas motos: gdhend i pagdhenduri.
Të tëra këto mund të jenë të vërteta, por një gjë mbetet konstante: në të gjitha rastet që përmenda më lart, më shumë se vetëdija ndikon instikti, më shumë se individi vepron kafsha e ndydhur brenda tij; kafshë që, ndryshe nga të parët e saj, ndeshet e perleshet me vetëdijen e përkohësisë dhe të hiçit.
© Çapajev Gjokutaj



