Andej-Këtej

Halle halle kjo dynja - Nga Enver Robelli

Të pasurit kanë halle të tjera. Në Zvicër, për shembull, të pasurit shpesh marrin pjesë në ankande ku autoritetet ofrojnë targa të veturave me shifra të ulëta. Sa më e ulët shifra, aq më i lartë prestigji. Tetorin e kaluar kantoni i Zyrihut shiti tabelën me numër “ZH 100”. Pronari i ri pagoi 226 mijë franga. Më 2018 kantoni i Zugut e kishte shitur targën “ZG 10” për 233 mijë franga.

Morali i rrëfimit: nuk mjafton të kesh një Bentley, një Maserati, një Porsche, duhet të kesh edhe targa që bien në sy. Çka të duhet zagari i mirë nëse zinxhiri i tij nuk është i stolisur me diamante? Me një tojë s’mbërrin askund! Sa i përket zagarëve dhe qenve: diktatori (zyrtarisht: perandori) i dikurshëm i Etiopisë Haile Salasi ua shtronte drekën qenve të tij në tepsi prej argjendi dhe rreth qafës së tyre shkëlqenin diamante. Populli vuante nga uria.

Në Zug të Zvicrës askush nuk vuan nga uria. Zugu është parajsë e tatimeve, domethënë tatimet janë të ulëta dhe kjo i tërheq miliarderët dhe milionerët nga mbarë bota. Ndërkohë është bërë e ditur se kush është pronari i targës “ZG 10”. Është inxhinieri i softuerit Niklas Nikolajsen, një multimilioner nga Danimarka i pasuruar nga biznesi me kriptovaluta.

Nga viti 2011 ai jeton në Zvicër dhe menaxhon firmën e tij Bitcoin Suisse. Me sa duket Nikolajsen nuk ka rënë aq në sy në qytetin e Zugut kur shëtiste me veturën e tij Bentley me targa “ZG 10”, andaj ndërkohë ka blerë një Mercedes Pullman 320 të prodhuar në vitin 1938. Nikolajsen nuk ka “leje të kerrit” (patentë shoferi), andaj atë e shëtit një shofer. Vite më parë Nikolajsen bleu një tank me të cilin dëshiron të shëtis rrugëve të Zugut.

Halle halle kjo dynja!

© Enver Robelli