Naim Fejzaj, “pehlivani” i Zvicrës - Nga Enver Robelli
- Published in Andej-Këtej
Enver Robelli, Zvicër
Në vitin 1975 Radio Televizioni i Prishtinës prodhoi filmin dokumentar “Pehlivanët”, një prezantim i garës tradicionale në Gorë dhe Opojë. Regjisor i dokumentarit ishte Besim Sahatçiu, gjyshi i Rita Orës.
Pehlivanllëku është një ballafaqim mes dy burrave, të zhveshur deri në brez dhe të lyer me vaj. Zakonisht ata i dalin përballë njëri-tjetrit në livadh me ambicien për ta hedhur tjetrin në kokërr të shpinës.
Versioni zviceran i pehlivanllëkut quhet Schwingen, një mundje e stilit të lirë, që demonstrohet mbi një hapësirë me byk (pluhur i imët që mbetet nga sharra). Schwingen është sport nacional i Zvicrës. Në garën tradicionale marrin pjesë mijëra shikues. Rrjedhimisht, në garë dominojnë vendasit, zviceranët me mbiemra Meier e Müller. Dhe me emra Urs dhe Ruedi.
Por edhe në këtë domen ka një risi. Njëri nga mundësit më të mirë të kantonit Appenzell në Zvicrën lindore quhet Naim Fejzaj. Ëndrra e tij është të fitojë garën në nivel nacional, të bëhet kampion i Zvicrës në Schwingen. Me sukseset e tij të deritanishme as kjo nuk mund të përjashtohet.
Në paraqitjet e tij në mediat zvicerane Naim Fejzaj lë përshtypjen e një djali të matur, të vendosur dhe me humor të mençur. Ai është integruar plotësisht në shoqërinë zvicerane, madje në pjesën më konservatore të saj.
Fejzaj ka fituar disa kurora lulesh në garat e zhvilluara. I mbetet të punojë për cakun e madh: fitoren në garën e njërit nga sportet më të popullarizuara të Zvicrës.
Në fotografinë e parë (djathtas) Naim Fejzaj shihet gjatë një gare, në të dytën (majtas) është i veshur me veshjet tradicionale të kantonit të Appenzell-it.
© Enver Robelli



