Andej-Këtej

Në botën tonë veç luhet rrenash - Nga Ervina Toptani

Flladi fryn, për herë të parë i mbaj sytë hapur, pa lëvizur qepallat asnjë grimë, sa të kuptoj mes qiellit e tokës se jam gjallë. Kam mbetur njeri, farsa moderne ku jetoj nuk ma ka vrarë veten e vërtetë sa kohë arrij të nginjem me ajër, me puhizë ledhatare që nuk kërkon asgjë në këmbim për flatrimin e freskët me të cilin më përkëdhel fytyrën, flokët, trupin.

Mbështillem rreth e qark me aromën e jetës, asaj të heshturës që jeton veç fushave, kodrinave, majë maleve ku njeriu modern nuk ekziston. Një jetë e shpenzuar mes njerëzve për të kuptuar se askush nuk është rehat as me veten e tij. Vrap i pandalshëm për të zgjidhur halle, probleme, shkollime, marrje diplomash, forcë e durim për të përballuar sëmundje, situata të çmendura ku vdekja rend gjithnjë një hap para teje i ti i paraprin veç me dëshirën a ndonjëherë inatin për të mos u dorëzuar.

Një jetë për të kuptuar se jeta vetë nuk është lufta e përplasja mes të njëjtëve që të njëjtë nuk janë assesi. Përulshëm me lyp një grimë dashuri, të japësh shpirtin në këmbim të asaj grime... E pse dreqin u dashka me u lyp dashnia? Me i ardhë keq shpirtit për trupin ku ka hyrë, e përpiqet i shkreti shpirt me gjet kuptim e në mos, me kërku një vend ku të fshihet që të mos e shohin krejt t'lakuriqtë.

Por jeta vibron këtu, mes fushës, ku barin e shkel këmbëzbathur e asnjë gjemb s'të hyn në këmbë. U veshëm, u mbathëm me lidhëse të forta e këpucë lëkure, çizme me gomë të trashë për të mbrojtur shojet prej dhimbjes që shkaktojnë rrugët e qytetit ku vrapuam për t'u rritur e për t'u bërë qytetarë. Qytetarë, me shpirtin mbështjellë në parzmore çeliku, që goditjet ndaj shoshoqit mos të na shpojnë shpirtin tej e tej, por të na mbetet një fije jetë, sa për të marrë frymë e të mbarojmë punë dhe me këtë problem, me atë problem, të zgjidhim këtë hall e atë hall e pastaj t'u bëjmë pritë halleve e problemeve të tjera në seri, sa të mbrojmë dhe fëmijët prej botës që bëhet gjithnjë e më gri ...

Sot jam këtu, këtu ku jeta është e vërtetë, ku “qytetarët” s'munden të më bëjnë keq, ku dashuria nuk jepet me pikatore e as fjala e butë e ëmbël nuk vjen me grimca të shkëputura hipokrizie. Këtu këmbëzbathur, mes lulesh e barit të blertë, nën kurora pemësh që dinë gjithçka e duhet veç t'i pyesësh që të flasin me ty, këtu ku jeton e vërteta. Të jesh në paqe me shpirtin nuk ka çmim. Unë çdo dite e prek me dorë sesi ikën prej meje një copëz mirësi, si ikën dëshira për me dasht, si ikin ëndrrat e kthehen në mbarime a fillime procesesh për me zgjidh halle, për me fitu një vend të pavërtetë në një botë krejt bajate, ku veç luhet rrenash. Në botën tonë veç luhet rrenash!

U desh një jetë, 24 vite studime, një tufë diplomash e një bibliotekë e tërë e lexuar dhe e analizuar, për të kuptuar se nuk kam jetuar një ditë në të vërtetë. Atë e kam mbajtur në zemër për të mos vdekur krejt por zemrën e helmova mes “qytetarëve”, atyre që u japin vlerë vetëm kostumeve firmato, llogarisë bankare e ... asgjë tjetër më tej nuk vlen. Atyre që luftojnë fort e vrasin me fjalë e veprime çdo ditë nga një të pafajshëm që nuk e mësoi kurrë artin e mashtrimit, që flet atë çka i sheh syri e i qan shpirti.

Gjithçka e jetuar më ka vlejtur për të ardhur tek ky moment tani, për të kuptuar se rracës së sotme të frymorëve, homo sapiensa-ve modern, nuk i përkas asnjë grimë, asnjë grimë!

© Ervina Toptani

Tagged under Ervin Baku Flasshqip.ca