Andej-Këtej

Rreshtimi i shoqërisë vjen nga shkolla!

 Nga Alfred Halilaj

Prej 10 vitesh punoj në fushën e edukimit, si në arsimin parauniversitar ashtu edhe në arsimin e lartë. Kam pasur gjithnjë një pyetje: Cili është roli sociologjik i rreshtimit fizik të nxënësve në shkolla në "rreshtimin" tonë si shoqëri?

Duke parë me kujdes mënyrën e funksionimit të shkollave në vendet perëndimore dhe në SHBA, verifikon me sy të lirë se që në hyrje nxënësit dhe studentët e shohin shkollën dhe universitetin si hapësira lirie dhe edukimi demokratik. Mungesa e gardheve dhe avllive si dhe pritja miqësore që iu ofrohet, bën që secili ta ndiejë veten të dobishëm dhe të lumtur që po merr pjesë në këtë hapësirë. Nuk ka ndarje fizike të hapësirës së shkollës me pjesën tjetër, por ka vazhdimësi të hapësirës shoqërore drejt tempullit të dijes. Kjo padyshim ndikon që të mos ketë rreshtim por vetëvlerësim dhe liri. Tradita e periudhës së diktaturës që i rrethonte shkollat si kala vazhdon ende sot. Në vitin 1997 u përforcua ideja se shkollat duhet të jenë të mbyllura me mure mbrojtëse.

Një tjetër element është "rreshtimi" i nxënësve sa herë ata duhet të futen në shkollë. Ky rreshtim është parë si shenjë e rregullit dhe disiplinës së shkollës që tregon se aty punohet. Këtë e kam pasur edhe unë si kriter kur kam drejtuar shkolla. Vecse nuk ka asnjë lidhje me përmbajtjen dhe dijet, përkundrazi është një vazhdimësi e mënyrës vertikale të ushtrimit të autoritetit të shtetit që vjen nga e shkuara. Ky rreshtim fizik lë gjurmë të thella në vetëdijen e nxënësve. Mungon veçse dhënia e forcës nga kujdestari klasës me shaminë e pionierit apo fatosit në supe. Rreshtimi është menaxhimi tipik i turmës. Të gjithë humbasin në kolektivitetin e orientuar dhunshëm. Nxënësit binden se e vetmja rrugë është bindja ndaj rreshtimit. Ky qëndrim i shoqëron gjatë gjithë jetës së tyre.

Rreshtimi ynë shoqëror është rezultat logjik i "rreshtimit" në shkollë, pasi edukimi demokratik që John Dewey kishte kërkuar nga shkolla në Amerikë, jo vetëm mungon prej mureve dhe vertikalizmit të ushtrimit të pushtetit, por kryen në mënyrë instrumentale të kundërtën.

Pa LIRI nuk ka shoqëri demokratike!