Fytyra jonë e keqe - Nga Dashnor Kokonozi
- Published in Andej-Këtej
Më qëllon të shoh në Facebook portrete personash publikë ose jo. As nuk di gjë e as kam ndonjë mendim për ta. Jam i pa parazituar nga informacione anësore.
Dikur mësoj se ndonjëri prej tyre është akuzuar nga drejtësia si i korruptuar, një tjetër si kriminel, tjetri si përdhunues. Befas, portreti i tij nuk ka asgjë të ngjashme me atë të mëparshmin.
Në mendjen time ai tashmë i plotëson të gjitha standardet e kriminelit.
- Ja, them me vete, duket kjo fytyrë e keqe që është kriminel.
Ka të tjerë që i shoh për herë të parë ditën që shpallen kriminelë. I shoh dhe them si ka ndodhur që nuk e kanë arrestuar më parë? Ai që në surrat duket se është i tillë.
Nuk e di nëse do të mendoja të njëjtën gjë, pa lexuar etiketën e freskët që i është vënë si kriminel.
Pastaj më ndodhi një herë që një i njohuri im i dikurshëm u akuzua si pedofil. I shihja foton që i nxori policia dhe e mora veten inat si nuk e kisha kuptuar me parë një monstër të tillë, se ai nuk u bë brenda ditës ashtu. Dukej nga fytyra që ashtu kishte qenë gjithë jetën. Dhe unë kisha pirë kafe më të dhe nuk kisha kuptuar asgjë. Qe tronditëse për të gjithë.
Pastaj ai doli i pafajshëm. I shihja përsëri të njëjtën foto dhe me vete thoja se ishte normale që doli i pafajshëm. Po të kishte qenë i tillë, unë do ta kisha njohur me kohë nga fytyra...
Pyes shpesh veten pse evolucioni ka dhënë një cilësi të tillë, pra pse na nxit të gjykojmë natyrën e njerëzve duke u nisur nga pamja e jashtme?
Sigurisht, për të mirë e bën. Për të mirën tonë. Për të na dhënë një shans mbijetese nëse jemi përballë situatash të tilla. Por ka të ngjarë që edhe natyra nganjëherë harxhon energji në mënyrë të panevojshme. Bën më shumë se sa kemi nevojë.
Po të më kishte pyetur mua (nuk e di ku isha atëherë), do t’i thoja të na mësonte jo të gjykonim, por të mos gjykonim njeri. Kështu do të kishim më shumë shanse të kapnim të vërtetën.
Por tani është vonë. Zemreku është ngrehur gjenetikisht dhe ne gjithë jetën do të jemi të dënuar që instinktivisht të gjykojmë të tjerët. Për të keqen tonë!
© Dashnor Kokonozi



