Andej-Këtej

Kolaboracionizmi horizontal - Nga Dashnor Kokonozi

E kisha dëgjuar këtë shprehje shumë kohë më para se të shkoja në Francë, por pa i kapur mirë thelbin. Tek lexoja një libër për Rezistencën që më tërhiqte shumë, mësova për një numër grash e vajzash franceze (mendohet nga 20.000-40.000) të cilat janë martuar, kanë patur lidhje apo që edhe thjesht “kanë shkuar në shtrat me armikun”.

Ky është kolaboracionizmi horizontal. U quajtën edhe “laviret e boshëve”.

Pjesa më e madhe e francezëve do ta marrin vesh një gjë të tillë pas Çlirimit, atëhere ku filloi procesi i qethjes së tyre në publik.

Në fillim ajo çka ndodhi u cilësua si trajtim i merituar, por këto tridhjetë vjet   kam vënë re se si ka evoluar mendimi për një akt të tillë.

Sot ky proces analizohet në mënyrë më kritike. Gjithnjë e më tepër opinioni nuk pajtohet me ndëshkimin dhe poshtërimin barbar që iu bë atyre.

Kjo e gjitha qe thjesht për t’ju paraqitur atmosferën e romanit të shkëlqyer të Julie Héraclès “Ju nuk dini asgjë për mua” (Vous ne connaissez rien de moi).

Eshtë romani i saj i parë.

Julie thotë se ia ka frymëzuar vetëm një fotografi e Robert Kapës (ajo që është në kopertinën e librit).

Eshtë një fotografi mjaft e njohur, emblemë e atij procesi dhe njihet me emrin “E qethura e Chartres”. Në qendër është një grua që sapo e kanë qethur dhe qyteti e ndjek nga pas duke sharë e poshtëruar, sa kohë që ajo mban në dorë një fëmijë, fryt i lidhjeve me “gjermanin e saj”.

Pas luftës ata u quajtën “fëmijët e boshëve”, por kjo është histori tjetër.

Robert Kapa, që gjithnjë ndodhej në çastin e duhur në vendin e duhur e ka bërë këtë foto më 16 gusht 1944.

Pak vite më vonë ai do të ndodhet në çastin e duhur në Indokinë, por në vendin e gabuar, mbi një minë...

Por edhe kjo është një tjetër histori.

© Dashnor Kokonozi