300 mijë viza shitura? (dhe një roman polako-shqiptar i një shkrimtari austriak) - Nga Enver Robelli
- Published in Andej-Këtej
Një muaj para zgjedhjeve parlamentare, Polonia po përballet me një skandal përmasat e të cilit ende nuk mund të parashikohen. Akuza është e rëndë: thuhet se konsullatat polake ua kanë lëshuar 300 mijë viza shtetasve afrikanë dhe aziatikë, pasi ata kanë paguar ryshfet të majmë. Bashkimi Europian ka kërkuar sqarime për këtë aferë, opozita polake dhe qeveria gjermane po ashtu. Pushtetarët në Varshavë nga partia e djathtë konservatore dhe superkatolike «PiS» janë tejet të zëshëm me kritika ndaj BE për shkak të pranimit të refugjatëve dhe migrantëve. Në të njëjtën kohë autoritetet polake ballafaqohen me pyetjen e pakëndeshme: a është e vërtetë se zyrtarët konsullorë polakë kanë shitur 300 mijë viza të Schengen-it? Dhe a mos ekziston një moral i dyfishtë i qeverisë polake?
Në romanin e tij «Zgjerimi», shkrimtari austriak Robert Menasse fokusohet te dy vende: Polonia dhe Shqipëria. Polakët janë pranuar në BE, përfitojnë miliarda dhe injorojnë vlerat dhe ligjet e BE. Shqipëria, ndërkaq, përpiqet - shpesh me metoda të dyshimta apo gazmore - të integrohet në BE. Personazh i romanit është edhe një kryeministër ekstravagant në Tiranë, i cili organizon një samit të vendeve të Ballkanit me krerët e vendeve anëtare të BE-së. Samiti mbahet në anijen me emrin e heroit kombëtar të shqiptarëve. Por para se të mbahet samiti dikush nga kabineti i kryeministrit ka idenë aspak gjeniale për të vjedhur helmetën e Skënderbeut në Vjenë dhe pastaj për t'ua prezantuar në anije burrë- dhe gruashtetasve nga Europa.
Në këtë betejë intrigash luajnë rol politikanë e burokratë të BE nga Polonia dhe shtete të tjera të BE, dy helmeta të Skënderbeut, njëra e vjedhur nga një muze në Vjenë, tjetra e punuar nga një kovaç i Tiranës, (vetë)mashtrimet shqiptare, paragjykimet perëndimore, Fate Vasa, poet-këshilltari i kryeministrit të Shqipërisë, zonja Mercedes në kabinetin e tij, një gazetare franceze e poshtëruar nga shefi i qeverisë së Shqipërisë dhe Baia Muniq Kongoli, kryetare e Komisionit parlamentar për «Reformën në drejtësi». Baia Muniq quhet kështu sepse babai i saj është adhurues i flakët i ekipit të futbollit Bayern München. Një roman që lexohet si parodi dhe e spërkat realitetin me acid gjuhësor.
© Enver Robelli



