Andej-Këtej

Turtulli i madh dhe… gjilalëzit e surrelsit e vegjël - Nga Vangjush Saro

Vangjush Saro - Vancouver

Nga ta nisësh? Këta (të gjithë) nuk lënë hapësirë për të tjerët, madje as për një lloj paqeje, ashtu në përgjithësi. Këta, kohë e pa kohë, të gërricin, të përfshijnë, të ndotin. Thjesht janë racë e ulët. Gjilalëz. Surrels. (Se si më ngjau kjo e fundit… si “surretër”.) Të zhytur gjer në grykë, por kokën e mbajnë përpjetë. S’u mbyllet gryka. Hahen (edhe ne bashkë me ta?) si qentë: Në Kuvend, në TV, në gazeta e portale, në zyra të diasporës si te “Vatra” shekullisht “antikomuniste” (anipse janë ndërruar kaq breza). Në çdo cep dhe hemisferë të botës do të shfaqet sherri i shqiptarëve… E të thuash se zgjidhëm ndonjë gjë (!) Askush s’e merr vesh çfarë ndodh në të vërtetë dhe kush e çfarë i frymëzon të hanë kokat.

Ani. Megjithëse i lodhur nga pamja, nga gjithfarë lajme e interpretime, u vura të meditoj pak për Turtullin tregtari i famshëm korçar; ai që e bëri qytetin e tij me spital dhe me bibliotekë. Ç’emër i ndritur!

Ej, më duket, nuk jam mirë. Kujt po ia tregoj unë zemërmadhin Turtulli? Ca të pabesëve. Se nuk ka fjalë ta tregojë këtë absurd, këtë fat të rëndë për shqiptarët, në dekada (në mos më shumë se kaq). Të pangopur e të pahir. Për më keq, ka syresh që i mbrojnë (palët) me një pasion të sëmurë, ore në mënyrën më të verbër, a thua ua dinë të gjitha zgëqet. Ua dinë, thua? Ç’lloj qenieje është njeriu i ngratë!

Thonë që nuk ka pyll pa derra. Edhe atje, ku tregova episodin e Turtullit bamirës, në Korçë, kishte soj-soj soji. (E bëra vetë kakofoninë.) Po more; siç tregohej, djemtë e një familjeje të shkatërruar ishin tek thërret kiameti. U lutej e ëma të hidheshin gjer te furri e të merrnin byrekun; jo që jo. Po… ç’bënin? Shkonte njëri, merrte një copë nga byreku edhe shikonte punën e tij. Shfaqej tjetri, po ashtu; merrte një copë byrek e zhdukej. Pastaj i treti; gjithë po ajo punë. Mëmë e mjerë merrte tepsinë bosh…

Si ishte kjo? E kam përafruar disi më duket. O kasolle, ku na mblodhe! Dëgjoni ç’propagandë që bëhet për ndërtime, turizëm, prona, drejtësi, zhvillim; dhe pastaj kujtoni tepsinë. Ja, kaq ishte… Shikoni kullat, fasadat, mbledhjet e bujshme, shkëlqimin e lodhshëm; pastaj i hidhni një sy edhe asaj çfarë është pas fasadës, si në këto foto. Nuk ka shkëlqim, apo jo? Makutëria (e këtyre) e ka ndotur pra gjithçka, siç e thashë në krye të herës.

Kjo e gjitha (në daçi simbolikisht, në daçi drejtpërsëdrejti e radhë për radhë) na tregon se duhet të shikojmë pak më tepër brenda vetes. Nganjëherë, më duket sikur të gjithë jemi të turpëruar njëfarësoj.

© Vangjush Saro