Andej-Këtej

Fjalët për ta thënë… - Nga Dashnor Kokonozi

E lashë të godasë raftet e të ulërijë një copë herë pa e kuptuar mirë se ku kërkonte të dilte. Duke e parë sa më qetësisht, i thashë se me sjelljen e tij të vrazhdë vetëm se krijonte një boshllëk rrotull vetes. Me zemërim më theu edhe një vazo të vogël të një gjembaçi tropikal që më pëlqente dhe para se të mbyllte derën, u kthye për të më thënë :

- Kam arsyet e mia të jem ky që jam!

- Edhe unë kam arsye të forta të shkoj e t’i fus një birrë te qoshja e rrugës, i thashë, por ja që më duhet të rri këtu dhe të dëgjoj pordhët e tipave si ty!

Më pa i habitur dhe tërhoqi derën pas vetes.

Nuk kishte dëgjuar që një punonjës social t’i fliste në këtë mënyrë.

Donte të bëhej banor i bujtinës sonë sociale, por nuk pranonte të na thoshte asgjë për veten. As mbiemrin e tij, madje isha i sigurt që edhe emri Patrik që më kishte dhënë, ishte i rremë. Ne kishim nevojë të dinim cili ishte, çfarë i kishte ndodhur në jetë që të mund të bënim diçka për të.

Iku përsëri. Disa thonin se pas viteve të gjata të burgut që kishte bërë, fillimisht kishte fjetur te miqtë, që pastaj ata e kishin përzënë. Jo rrallë e kishin parë t'i kalonte netët nën ndonjë strehë autobusi, duke fyer dhe qëlluar me shishe alkooli udhëtarët që afroheshin të prisnin aty.

Në të hyrë të dimrit erdhi e na tha se ishte gati të na tregonte gjithçka për të kaluarën e tij, po qe se e pranonim. Nuk qe punë kureshtie për ne. Ishte mënyra e vetme për ta kthyer në jetë, nëse qe e mundur, nëse nuk qe thyer përfundimisht.

Përsëri nuk më tregoi asgjë. Ishte i zbehtë dhe i lodhur. Më tha vetëm se kishte uri.

E dërgova në mensën tonë dhe u ngjita lart te shefi, që i kërkova ta mbanim aty.

- Vetëm nëse merresh ti me të, më tha ai.

- Merrem, i thashë pa e vrarë mendjen dhe menjëherë pata ndjesinë e pasigurisë, gjë që më ndodhte sa herë që flisja pa u menduar gjatë.

- Shpresoj se një ditë nuk do të gjej duke fjetur mbi tavolinën e zyrës me një thikë në kurriz, më tha ai.

Sjelljen e Patrikut e vëzhgoja si qumështi mbi zjarr.

Kishte fjalë se burgun e kishte bërë sepse kishte vrarë një ortakun e vet që kishte pasion të madh kazinotë, gjë që kishte shkaktuar humbjen e një ndërmarrjeje transporti që kishin ngritur të dy. Të tjerë më thanë se vrasja kishte ndodhur sepse ai dyshonte se ortaku i tij shkonte me të shoqen. Kishte dashur ta vriste edhe atë vetë, po nuk kishte mundur.

Pak ditë më pas mori në telefon një grua që tha se ishte e bija. E njoftova menjëherë, por Patriku nuk pranoi t’i fliste. Vajzës mund t’i thoja se ai nuk ishte aty, por nuk m’u duk ide e mirë. I thashë thjesht se ai nuk donte t’i fliste. E ndjeva se po qante kur më tha se kishte aq vite që kërkonte të fliste me të dhe nuk e kuptonte përse ai nuk pranonte. Do të martohej dhe donte ta kishte pranë të atin.

Patriku i kishte kthyer kurrizin të gjithë botës.

Dilte gjithnjë e më pak nga dhoma dhe gjendja e tij shëndetësore më shqetësonte. Dikur mezi munda ta bind të bënte një seri analizash. Po atë mbasdite mora një telefonatë nga spitali, për të më thënë se do të ishte mirë që përgjigjen, të vinte ta merrte i shoqëruar nga një njeri i familjes.

Na priti një mjek onkolog. Patriku e vështronte me bezdi e mosbesim. Mjeku nuk foli deri sa Patriku pranoi të ulej në karrigen para tij. Unë qëndrova pas më këmbë. Solemniteti i atij takimi më shtiu frikën.

- Gjendja juaj nuk paraqitet e mirë, - i tha mjeku, - në gjoks keni një masë të madhe kanceroze.

Patriku e pa me një nënqeshje shpërfillëse dhe ktheu kokën nga unë.

- Fatkeqësisht ajo është përhapur edhe në anë të tjerat trupit tuaj, vazhdoi mjeku.

Patriku u ngrit më këmbë.

- Mos më thuaj çfarë kam unë, se atë e di vetë, por më thuaj çfarë mund të bësh ti! - i bërtiti.

Mjeku me qetësi e ftoi të ulet.

- Ne i kemi të gjithë mjetet për ta vrarë kancerin tuaj - i tha ngadalë, - por detyrohem t’ju them me keqardhje se kjo do t’ju vrasë edhe ju. Keni rreth 10-12 milionë celula kanceroze. Kimioterapia mund t’i vrasë pothuaj të gjitha, por ju do të vuani shumë dhe në fund megjithatë mund të mbesin gjallë qoftë edhe katër apo pesë prej atyre qelizave. Në shumë raste ato janë të mjaftueshme që ju të ktheheni në gjendjen e parë.

Patriku përsëri deshi të thotë diçka, por mjeku ngriti dorën për t’i kërkuar të mos e ndërpriste.

- Je keni gjëra që i bëni për vete dhe njerëzit tuaj, - bërtiti ai pa dashur t’ia dijë për atë që i kërkonte mjeku. - Atë dua të di edhe unë, çfarë do të bëje ti për veten tënde?

- Vërtet doni të dini çdo të bëja unë? – pyeti mjeku.

- Atë dua, po të them!

- Nuk do ta bëja kimioterapinë. Është shumë e vështirë. Pa llogaritur se menjëherë pas saj ne duhet të rrezatojmë me lazer plagët kanceroze të kokës suaj dhe të kolonës vertebrale, por kjo vetëm nëse kimioterapia do të ketë ndonjë rol pozitiv.

Patriku u bë i heshtur, por nuk isha shumë i sigurt se po kuptonte gjithçka.

I vura dorën në sup.

- E di mirë se sa e rëndë është kjo që po ju them dhe jam i kënaqur që keni ardhur këtu me djalin tuaj, - tha mjeku duke u kthyer nga unë, sa kohë që Patriku deshte t’i thoshte diçka, por kur pa buzëqeshjen time nuk foli, - ju mendohuni dhe ejani prapë. Them se kjo gjendje pa simptoma të rënda mund të vazhdojë edhe disa kohë. Mbase keni gjëra për të bërë dhe mund t’ia kushtoni vetes tuaj. Më tej do të jetë e vështirë... Unë ju siguroj se kur të vijë çasti, gjithçka do të kalojë pa dhimbje.

I hipëm makinës dhe një copë herë ecëm pa folur.

- Po ai këlysh kurve, mos deshte të më thoshte se së shpejti do të vdes? - më pyeti befas.

- Kam frikë se po, Patrik, i thashë. - Ti do të vdesësh shumë shpejt.

Ktheu kokën nga unë duke pritur që të shtoja se kisha bërë shaka apo diçka tjetër të kësaj natyre. Pastaj pashë t’i rrjedhin lot nga sytë.

- A e mbajte shënim numrin e telefonit të vajzës sime? - më pyeti kur po hynim në zyrë.

- Duhet ta kem shënuar diku, - i thashë duke kërkuar nëpër dosje. E gjeta dhe si i afrova telefonin, dola nga zyra.

Ndërsa prisja jashtë, vrisja mendjen të kuptoja rolin e vërtetë të vdekjes në jetën tonë. Pastaj hoqa dorë i lodhur e i dëshpëruar. U ngushëllova të mendoj se edhe nëse nuk e gjeja dot unë, kjo nuk ishte provë se ajo është fare pa asnjë rol.

© Dashnor Kokonozi