Andej-Këtej

Humbim ato që s'i kemi pasur asnjëherë - Nga Ervina Toptani

(Unë dhe alteregoja ime)

Isha lodhur, isha lodhur mjaft, kisha nevojë të bëja një copë rrugë për të harruar, nga vogëlsirat e së përditshmes deri tek problemet e mëdha. Është e vështirë t’u shmangesh mendimeve se të dalin aty ku s’i pret, madje më së shumti kur dëshiron me forcë t’i ndalësh. Kështu që, vendosa t’i marr me vete teksa ecja përgjatë rrugës që gjarpëronte mes blerimit buzë Danubit, që mban aromë myshku dhe bari të njomë.

Kisha ecur gjatë, kur vendosa të ulem te bordura ujëpritëse e lumit dhe ndeza një cigare. Fjolla e tymit që u ngrit në ajër më tërhoqi vëmendjen. Ajo dilte prej brendësisë së mushkërive të mia e vazhdonte të jetonte jashtë në tjetër formë e trajtë, plotësisht e lirë derisa bëhej njësh me ajrin duke ia falur ekzistencën e saj miliona elementëve të tjerë me të cilët shkrihej.

Ndjeva një prani të çuditshme pranë meje. Një burrë i thyer në moshë, ulur mbi bordurë po më vështronte. S’isha fort e sigurt nëse doja shoqëri atë moment. Sapo u isha shmangur disi mendimeve e po sodisja natyrën përqark.

-Pret njeri? - më pyeti.

-Jo! - iu përgjigja shkurt.

-Ke humbur! - vazhdon burri i moshuar.

-Ndoshta po! - i them.

Ai qëndroi disa sekonda në heshtje, uli shikimin përtokë, u mendua dhe më pas foli sërish.

-A mundet njeriu të humbasë kur e di se ndodhet brenda trupit të vet, kur e di ekzaktësisht ku është e kur mundet të arsyetojë me mendjen e tij?

Heshta. Zotëria i moshuar kishte të drejtë. Unë nuk mund të kisha humbur, ndjehesha e humbur ndoshta. Nuk i kuptoja situatat në të cilat ndodhesha, as e dija si kishin ardhur dhe as si duhet t’i përballoja. Isha në një fazë të veçantë të vështirësive të jetës, ku nuk dija se ç’duhet të bëja.

Zotëria më pyeti sërish:

-Mund të më thuash kush je? Ma kurse emrin dhe kurrikulën e deritanishme të lutem, dua të di kush je ti në të vërtetë.

Unë heshta përsëri. Në fakt, s’e kisha menduar më parë se kush isha pa iu referuar emrit, përvojave, historive dhe edukimit që kisha ndjekur gjatë jetës. Si mund të përgjigjesha! Unë isha ato çka kisha jetuar e mësuar gjatë jetës. A mund të kishte një tjetër “unë”, përveç asaj që njihja?

Burri i vjetër buzëqeshi dhe më pa drejt e në sy.

-Nuk do t’i përgjigjesh dot pyetjes nëse mendon t’u referohesh përvojave e të shkuarës së jetuar, për të arritur në përfundimin se kush je në të vërtetë. Nëse ti e përkufizon veten në bazë të tyre e ke vënë veten në procesin e të identifikuarit, pra e ke shtrënguar të qëndrojë brenda kufijve ku ti e ke vendosur veten. Ndodh një çast ta shohësh veten jashtë këtyre kufijve, jashtë sferës së vetë-përcaktimit, jashtë perceptimit konstant e sipërfaqësor, të cilin e ke kthyer në mënyrë të qeni. Këtu ndodh të ngatërrohesh keqas e nuk do të mundesh t’i përgjigjesh pyetjes time. Lejomë të të ndihmoj paksa. Si ndjehesh? Nëse ia ke bërë këtë pyetje vetes atëherë do të fillosh të kuptosh kush je.

“Si ndjehem?” Më kumboi e fortë si këmbanë brenda kokës ai togfjalësh. Sa kohë kisha që nuk ia bëja vetes këtë pyetje. Vendosa t’i përgjigjem duke dëgjuar heshtjen që fliste brenda meje.

“Nuk ndjehem mirë”. Por a kishte kjo lidhje me kush jam apo çfarë dua të bëj? Po sikur ta pyes veten se cila dëshiroj të jem, o cila kam vendosur të bëhem? Kësaj i shmangem në të vërtetë. Kam bërë zgjedhje në jetë duke u identifikuar me gjëra specifike pa i lejuar vetes lakueshmërinë e ndryshimit, por atë të detyrimit. Kam thyer të panjohurat brenda meje që të mos kisha dyshime e të mos dëgjoja këmbana pendimi përgjatë rrugës. Përfundimet i kisha nxjerrë në bazë të eksperiencës e jo të urtësisë. Kam ndjekur “etiketat” që i kam vendosur vetes dhe në dukje ka funksionuar më së miri. Njerëzit mendojnë vërtet se unë jam ajo që ata shohin. Me botën e kam zgjidhur, me veten ende jo. Unë nuk jam “etiketat” në të vërtetë, e veten s’mundem ta gënjej. Ndaj nuk ndjehem mirë nëse jam ajo që s’kam dëshirë të jem. Kam kuptuar se nuk ndodhem në vendin e duhur, se nuk po bëj atë që dëshiroj të bëj e mbi të gjitha frikem të përcaktoj ku dua të jem.

-Ndaj erdha, - thotë burri i moshuar - pse e di që po jeton fazën më të vështirë të ekzistencës tënde. E kjo s’ka aspak lidhje me eksperiencat dhe ndodhitë e së kaluarës e as më ato të së ardhmes. Të gjitha ato kanë qenë dhe do të jenë probleme për t’u zgjidhur dhe çdo problem e ka zgjidhjen brenda vetes. Ne përballemi me to për të nxjerrë mësime të rëndësishme që do të jenë të dobishme edhe në të ardhmen. Zgjidhjet që ke dhënë apo që do të japësh, reagimet e vendimet që ke marrë, përkufizojnë një pjesë të asaj çka ti njeh nga vetja. Ti s’mund të mendosh se je diçka e vetme, e përkufizueshme, e gjitha një cope. Ti je bashkësi e madhe elementësh, pjesë e diçkaje sëbashku me miliarda qeliza të tjera e funksionon prej bashkëveprimit të tyre. Ti pretendon të kodifikohesh me diçka statike, por s’je aspak e tillë. Kjo të ka penguar të jesh e lirë dhe vetëm ekzistenca të lejon të jesh vërtet e lirë. E ke ndrydhur ekzistencën bashkë me ndjesitë e frikës për t’u përballur me të vërtetën. Mësohu t’i dëgjosh ndjesitë e mendimet e tua, ato do të të lejojnë të perceptosh kush je. Të jesh vetvetja, është diçka më shumë se gjetja e vetes dhe kjo ndodh kur ndjehemi mirë.

Nëse i bën vetes një mijë pyetje të cilave frikesh t’u japësh përgjigje, atëherë të ka pushtuar pasiguria e kjo tregon se diçka ke humbur, por jo veten, ke humbur harmoninë e brendshme.

Ndaj erdha sot të të takoj sepse faza nëpër të cilën ti po kalon do të lerë gjurmë të thella e do të reflektohet fuqishëm në të ardhmen tënde. Unë e di këtë, ti ende jo.

“Kam humbur harmoninë e brendshme?” - mendova me zë të lartë. Për herë të parë dikush po më zgjonte të shihja drejt diçkaje që s’e dija se ekzistonte. Si mundem ta kem humbur nëse s’jam e sigurt ta kem pasur ndonjëherë?

Harmonia e brendshme është ajo me veten, e kemi brenda nesh. Thellë nënshtresave, përtej asaj çka perceptojmë në sipërfaqe, ekziston një det që valëzon në ekuilibër, sistemi perfekt i njohjes së vetvetes.

Kur pyesim veten në mënyrë sipërfaqësore siç ta paraqita më lart, harrojmë gjënë më të rëndësishme, që taoistët, studiuesit e mëdhenj të botës së brendshme, i referoheshin si rrënjët e thella brenda nesh në ekuilibër të përsosur. Ndërsa pjesa sipërfaqësore e unit tënd, dëgjimi i të tjerëve, kërkesa për këshilla, bindja për çfarë të thuhet, qoftë kjo edhe autokritikë, projektet që ndërmerr, objektivat që i ve vetes për të arritur, vetëfajësimi për raportet që nuk funksionojnë, përpjekja për t’u përmirësuar etj., krijojnë dis-harmoni të madhe. Fshehur thellë teje, ekziston diçka që ngjason me botën e ëndrrave, e cila është në ekulibër perfekt. E vetmja që realisht kujdeset për ty, që e di ku dëshiron të të shpjerë e ku duhet të shkosh. Antikët e quanin “demoni i brendshëm udhërrëfyes”, vetja, sipas psikologjisë moderne, vetja që di, vetja që ndjen...

Çfarë e stimulon veten, “demonin udhërrëfyes” të veprojë? - e pyeta burrin e moshuar - Si mundem ta kërkoj?

- Zbrit tek heshtja! - m’u përgjigj ai. - Harmonia e brendshme vjen nga një vend i heshtur, aty ku nuk ekzistojnë pyetjet e si pasojë as përgjigjet, por ekzistojnë veprimet e mprehta, ato që sjellin zgjidhjet kur shumicën e përgjigjeve nuk i dimë. Është pika e ndërmjetme midis racionales dhe irracionales. Nëse ke dëshirë të përballesh me të vërtetën të duhet të zbresësh thellë tek heshtja, dhe vetëm përmes veprimesh të mprehta, të paprogramuarave, do të çlirohesh në 5 minuta nga “jo-të” që s’ke mundur të thuash gjithë jetën. Jeta ndryshon fill, nëse do të kërkosh harmoninë që del nga heshtja, e të gjesh valën e duhur, veprimin e duhur për t’i rivënë gjërat në vendin e tyre.

Harmonia s’është diçka statike, ndërsa mendja jote po. I ke kërkuar vetes tepër, i ke përcaktuar sesi duhet të jetë, çfarë duhet të bëjë e mbi të gjitha çfarë nuk duhet të bëjë: sipërfaqësoren që varet gjithmonë nga ambienti që na rrethon! Besoja veten qenies së vogël që ekziston brenda teje qysh se ishte fetus e që të njeh më mirë se kushdo tjetër. Problemi është se ti nuk e njeh atë siç ajo të njeh ty, ndaj frikesh prej së panjohurës me të cilën do të përballesh. T’i frikesh asaj, s’do të thotë që ajo është realisht e frikshme. Ti në të vërtetë frikesh më shumë të ndryshosh atë që njeh për t’u hedhur në krahët e asaj që s’e ke njohur më parë. Qenien e vogël nuk ke pranuar ta dëgjosh, ndërkohë që e ke shqetësuar shumë duke i treguar vetëm si duhet të jetë.

Kërkoje harmoninë, dhe do ta gjesh aty ku nuk thuhet asgjë me fjalë...

Hapa sytë... kuptova se kisha menduar gjatë në heshtje. Burri i moshuar qe zhdukur kaherë.

Veç një fjollë tymi shpërbëhej pa u ndjerë në ajër…

(Shkëputur nga libri “Rrëfehem me dashuri”)

© Ervina Toptani