Andej-Këtej

Një shqiptar në xhunglën e Kostarikës - Nga Enver Robelli

I. Chirripó - një shikim në dy oqeane

Një legjendë thotë se më 1904 një pjesëtar i një fisi lokal indian u ngjit në Majën Chirripó të Kostarikës. Në vitin 2022 - nuk është legjendë - një ipeshkëv në Kostarikë ushtroi intensivisht për të mbajtur një meshë në pikën më të lartë të dioqezës së tij. Kështu njoftoi gazeta “Nacion” e Kostarikës. Ipeshkvi Juan Miguel Castro Rojas hoqi 9 kilogramë për t’u ngjitur në Chirripó (3820 metra).

Më 2 nëntor 2023, bashkë me Korab Maculën, një gjakovar i helvetizuar dhe i kostarikanizuar, arritëm në fshatin San Gerardo de Rivas, i cili shtrihet në 1400 metra lartësi mbidetare. Aty gjendet edhe hyrja në Parkun Nacional Chirripó. Dhe shtegu drejt Basecamp Crestones. Aty fillon etapa e fundit për në Chirripó. Numri i bjeshkatarëve që lejohen të hyjnë në park për t’u ngjitur në Chirripó është i limituar. Duhet po ashtu të lajmëroheni paraprakisht online. Të gjitha këto i kishte kryer Korabi me përpikmëri juristi e gjakovari (çfarë kombinimi fantastik dhe i mirëseardhur në një vend krejtësisht të panjohur për mua).

Duhet durim për t’u ngjitur në Chirripó. Më 2 nëntor fjetëm në një hotel në San Gerardo de Rivas. Të nesërmen në orën 04:00 të mëngjesit ndezëm llambat për të parë shtegun. Dhe u nisëm. Ngjitja deri te Basecamp Crestones (14 kilometra) nuk është shëtitje pranë Erenikut, as ecje bregut të liqenit të Zürich-ut. Nga 1400 në 3400 metra lartësi mbidetare - ata që kanë përvojë me alpinizëm e dinë për çka është fjala. Hapat e parë paralajmërojnë një shteg të vështirë. Një ndër arsyet përse njerëzit nisen kaq herët drejt kampit është se duan t’i ikin shiut (që zakonisht fillon të bjerë nga mesdita). Ose diellit.

Çfarë bie në sy së pari janë nuancat, variacionet dhe shtresëzimet e ngjyrës së gjelbër në Kostarikë. “50 Shades of Green”. Një film i ri.

Në fillim ecim nëpër një pyll jo aq të dendur, pastaj, nga 2000 metra lartësi e tutje, shtegtimi vazhdon nëpër pyllin e lagësht tropikal. Një botë plot me mrekulli. Koloni kërpudhash. Lisa të gjatë, jo aq të gjatë dhe të shkurtër. Shkurre të panumërta. Lëmyshk. Shtëllunga mjegulle që depërtojnë nëpër mal. Rrënjë lisash. Lule. Përroska. Verra. Dafina. Papagaj e zogj të tjerë - për shembull kolibra - që thyejnë heshtjen. Kolibri është zogu më i vogël në botë; në Kostarikë jetojnë 50 lloje të tij. Kolibri lëviz krahët 80 deri në 200 herë brenda sekondës - e pabesueshme sa i shpejtë është ky zog. Mund të fluturojë përpara, anash dhe mund të qëndrojë në vend në ajër. Kolibri ushqehet me nektar lulesh dhe insekte.

Mbetet tani për të kaluar edhe pjesën e shtegut që quhet Cuesta de los Arrependitos, që në shqip i bie: shpati i të penduarve. Thuhet se këtu shumë njerëz i bien pishman që kanë marrë këtë rrugë të mundimshme. Për ne kjo dilemë nuk shtrohej. Vazhduam me ritëm të njëjtë, nëpër shi të imët, drejt Basecamp Crestones. Aty arritëm rreth mesditës, të lodhur e të lumtur. Pastaj gati u ngrimë, aq ftohtë ishte në katakombet e kasolles, ku do flinim të mbuluar me 100 shtresa thua se ishim qepë. Para se të hanim darkë e të flinim, u bëmë dëshmitarë të një spektakli të vogël të natyrës, kur dielli përqafoi kullat e shkëmbinjve të quajtura Los Crestones.

E shtuna, 4 nëntori, ishte dita më e paharrueshme. U zgjuam pak para orës 03:00 dhe u nisëm me saktësi të orës zvicerane fiks në orën 03:00 drejt Majës Chirripó. Ecja nëpër terr është ecje nëpër terr: natyra as nuk përjetohet, as nuk shijohet. Por rreth orës 05:00 lindi dielli, qielli mori flakë dhe poshtë nesh dukeshin disa liqene të vegjël si pasqyra ku natyra mund të shikonte veten për t’u bindur sa e bukur është (nëse ka dilema).

Pak pas orës 05:00 shkelëm Majën e Chirripós, me 3820 metra ajo është maja më e lartë mes Andeve të Kolumbisë dhe vullkaneve të Guatemalës. Në lindje, në drejtim të Panamasë, dielli ngjitet drejt zenitit, në perëndim duket Cerro de la Muerte, mali i vdekjes (3415 metra). Quhet kështu për shkak të vështirësive për ta kaluar. Këtu gjarpëron edhe një pjesë e Panamericanas, një sistem rrugësh që lidh Alaskën me Tokën e Zjarrtë (Tierra del Fuego) në Argjentinë.

Nga Chirripó shihen dy oqeane: Paqësori dhe Atlantiku. Pasi e përjetësuam me fotografi këtë moment të paharrueshëm, morëm të njëjtin shteg për t’u kthyer te Basecamp Crestones. Te Valle del los Conejos (lugina e lepujve) morën një shteg tjetër për të parë një liqen (nuk do kishim humbur gjë nëse nuk do ta kishim parë). Herët, para orës 11:00, pas rreth 7 orë ecjeje, u kthyem prapë në kamp. Këtu do flinim sërish. Bjeshkatarë të tjerë kthehen të njëjtën ditë në fshatin San Gerardo de Rivas. Nuk është vendim i mençur. Sa më i lodhur, aq më i madh rreziku i ndonjë lëndimi.

Edhe një natë në Basecamp Crestones. Darka: ushqim tradicional, shumë oriz, shumë fasule, peshk, mish pule, perime. Rrobat që i kishim përdorur, rrobat që ishin bërë qull nga djersët e shiu i futëm në një çantë dhe i dorëzuam për transport drejt fshatit San Gerardo de Rivas. Këtë shërbim e kryejnë disa djem me kuaj e mushka.

Të dielën, më 5 nëntor, me këmbë të lehtë e bajagi krenarë për ngjitjen në majën Chirripó, zbritëm në fshat. Hoteli ku kishim fjetur më 2 nëntor ofronte një shërbim falas dhe fantastik: mund të bëje dush aty pasi ke ecur sërish 14 kilometra. Kur pikat e para të ujit bien mbi kokë dhe shpërndahen nëpër trup duke hequr djersën që rrjedh si çurg, lumturia është e papërshkrueshme.

Për 3 ditë kaluam në këmbë mbi 40 kilometra. Dhe gjatë këtyre tri ditëve përherë në mëngjes na tejkalonte një njeri duke vrapuar. Dikur e ndalëm, e pyetëm se pse po vraponte. Tha se po ushtronte për një ultra-maratonë në Guatemalë. Nga fshati San Gerardo de Rivas deri në Chirripó ai ngjitej për 4 orë. Po, për 4 orë! Dalin këso tipash dhe ta relativizojnë suksesin me një buzëqeshje. Megjithatë, ngjitja në Chirripó ishte një përjetim i paharrueshëm. Në librin e Chirripós, në gati 4000 metra lartësi, lamë një shënim me supozimin se ishim kosovarët e parë në këtë kodër. Ndoshta.

Në San Gerardo de Rivas gjendet një restorant me enterier të bukur. Quhet Jardines Secretos. Nga muri mysafirët i përshëndet piktorja e famshme meksikane Frida Kahlo - jo vetëm me portretin e saj, por edhe me këtë porosi: “Viva la vida”. Në pellgun e afërt me lokalin notojnë disa breshka. Në meny gjendet “Casado”, që konsiderohet si ushqimi më tradicional i Kostarikës. Përkthyer drejtpërdrejt, “Casado” domethënë “i martuari”. Emri vjen nga tradita kur gratë ua përgatisnin një ushqim të pasur burrave që kryenin punë të rënda në ara. “Casado” përbëhet nga mishi apo peshku, fasulja, orizi, banane të ziera, sallatë.

II. Një shqiptar në xhunglën e Kostarikës

Në Kostarikë je i shtyrë të ecësh me veturë nëse brenda një kohe racionale dëshiron të arrish nga një vend në tjetrin. Por kur del në rrugë me veturë, atëherë duhet kujdes i shtuar. Besoj nuk e lëndojmë krenarinë dhe patriotizmin e njerëzve të këtij vendi të Amerikës Latine nëse themi se jashtë veturës ata janë tejet të përzemërt e të gatshëm të të ndihmojnë, por sapo kapin timonin shndërrohen në bërrylaxhinj të paskrupullt. Jo të gjithë, por gjithsesi një pjesë e madhe.

Aksidentet në rrugët e Kostarikës nuk janë të rralla. Kur shkuam në Parkun Nacional Chirripó, pamë një aksident të tmerrshëm: një motoçiklist me gjasë ishte ndeshur frontalisht me një kamion. Rreth të lënduarit (apo të vdekurit?) të mbuluar me një batanije qëndronin disa njerëz, me gjasë prisnin ndihmën e shpejtë. Kur u kthyem nga Chirripó, një autobus me studentë kishte rrëshqitur nga rruga. Fatmirësisht ishte ndalur nga disa lisa, ndryshe do të përfundonte në një humnerë.

Me të gjitha këto mendime në kokë, më 6 nëntor u nisa - me një veturë të marrë me qira - drejt Liqenit të Arenalit, pranë të cilit gjendet edhe vullkani me të njëjtin emër. Është vullkani më aktiv i Kostarikës. Pastaj rruga do vazhdonte drejt fshatit Cabanga (Pueblo Nuevo) dhe tutje në xhungël. Tri ditët e ardhshme do t’i kaloja në Protopia Community, një fermë e permakulturës, një qendër për inovacion social dhe një hapësirë ku njerëzit mund të jetojnë në harmoni me natyrën.

“Prit aty se të pashë kur kalove në fshat”, më tha në telefon Alban Geci. Isha ndalur buzë xhunglës, në një rrugë që kalohet vetëm me vetura 4x4 dhe kisha përshtypjen se gjithë shiu i botës po binte në atë çast. Pas pak minutash arriti Albani me një xhip “pick-up”, doli para meje dhe më priu drejt Protopia Community. Teposhtë, përpjetë, disa kthesa në të majtë, disa në të djathtë, një urë druri mbi një përrua, një përpjetë e fundit - dhe arritëm në cak.

Si erdhi një shqiptar nga Kosova në xhunglën e Kostarikës? Kjo është historia (e shkurtër) e Alban Gecit: gjatë luftës së Kosovës, më 1999, ai ishte fëmijë kur vajti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me familjen, shërbeu si ushtar amerikan në Japoni dhe në Gjirin Persik, u kthye në SHBA, studioi politikën, u mor me biznes, pastaj ndoqi një ëndërr të ngahershme: jetoi dy vjet në një minibus duke shëtitur nëpër botë, qëndroi disa vite në Kosovë dhe më 2019 - bashkë me një shok të tijin, Krenar Qehajën, një specialist i IT-së - shkuan në Kostarikë dhe blenë 14 hektarë tokë në xhungël. Dhe investuan në projektin Protopia Community.

Nën një kulm që e mbajnë disa shtylla druri gjendet kuzhina dhe hapësira për të ndenjur. Uji vjen nga përroi i afërt dhe filtrohet për pije. Rreth e rrotull mund të vilen pemë të ndryshme tropikale - prej minibananeve deri te rambutani (në Kostarikë i njohur edhe si Mamón Chino).

Për shkak të efekteve të favorshme shëndetësore rambutani quhet edhe “super-frutë”. Përbëhet nga acidi galik dhe disa antioksidantë, të cilët ndihmojnë në luftimin e qelizave që krijojnë kancerin. Fosfori dhe vitamina C janë substanca të rëndësishme për lëkurën, dhëmbët, veshkat. Bakri e mangani ndihmojnë në krijimin e rruazave të kuqe dhe të bardha të gjakut.

Ndërsa tre qen dhe një mace na sillen nëpër këmbë, Albani e përmend konceptin kooperativist të Migrosit në Zvicër si shembull që do të ishte mirë ta kopjonte Kosova.

Migrosi, një rrjet dyqanesh në Zvicër, funksionon sipas modelit të kooperativës. 2,3 milionë zvicerane dhe zviceranë janë anëtarë të kooperativës Migros. Gati të gjithë zviceranët blejnë ushqimet e tyre në Migros. Shumë prej tyre kanë një xhirollogari në bankën e Migrosit.

Dallimi mes kooperativës dhe ndërmarrjes është ky: në kooperativë vlen parimi demokratik “një person, një vote”. Në ndërmarrje një person mund të ketë 51 për qind të aksioneve dhe kështu të marrë vendime kokë më vete.

Më 1928 themeluesi i Migrosit Gottlieb Duttweiler mori vendim që në filialet e kooperativës së tij të mos shitet alkool. Vitin që shkoi Migrosi organizoi një referendum mbi lejimin e shitjes së alkoolit. Por shumica e anëtarëve që morën pjesë në referendum votuan kundër, andaj edhe më tutje në Migros nuk do të ketë pije alkoolike.

Ideja e Albanit për kopjimin e modelit të Migrosit nuk ka të bëjë me ndalimin e shitjes së alkoolit (është vendim personal i secilit nëse konsumon apo jo alkool, duhan apo qershi). Ideja është që përmes një sistemi të kooperativës qytetarët të marrin vendime në mënyrë demokratike për një çështje aq të rëndësishme si ushqimi.

Për shkak të afërsisë me Ekuatorin, pak para orës 18 Kostarikën e mbulon terri. Temperatura është shumë e përshtatshme për gjumë, rreth 20 gradë. Dhe shpesh para orës 21:00 më mbyllen sytë. Sipas Happy Planet Index njerëzit më të lumtur jetojnë në Kostarikë. Jo për shkak se i kanë rrogat më të larta, por për shkak se janë të kënaqur me pak, janë të rrethuar nga natyra shumë e bukur dhe jetojnë në një klimë që i bën mirë shëndetit; për dallim nga shtetet e tjera latinoamerikane, Kostarika ofron një shërbim të mirë të kujdesit shëndetësor dhe një sistem relativisht stabël të pensioneve.

Është normale që në Kostarikë të zgjohesh në orën 05:00. Kështu ndodhi më 7 nëntor. Pas një dushi në xhungël (uji i freskët vinte direkt nga lumi përmes një lugu prej druri), caku i radhës ishte Parku Nacional Volcán Tenorio. Mes shumë atraksioneve këtu po i veçoj dy: ujëvarën Catarata Celeste (30 metra të lartë) dhe lumin Río Celeste, uji i të cilit në vendin e quajtur Los Tenideros përzihet me minerale dhe merr ngjyrën e kaltër të qiellit.

Pasi përfunduam ecjen nëpër malet e Tenorios, vazhduam drejt La Fortunas, një qytezë turistike me një lum çudibërës: ujërat hipertermike të tij kanë një temperaturë mes 37 dhe 41 gradë celsius, shtendosin muskujt, zbusin dhimbjet dhe shërojnë inflamacionet. Pas një ecje të gjatë në Tenorio, shtendosja e muskujve në lumë është terapia më fantastike. Dhe përgatitja më e mirë për ditën e nesërme (8 nëntor), kur do të kalonim nëpër njërin nga shtigjet e Parkut Nacional Monteverde.

Me 166 zona të mbrojtura - mes tyre 27 parqe nacionale, 9 rezervate malore, 71 zona për mbrojtjen e kafshëve - Kostarika (me 51 mijë kilometra katrorë pak më e madhe se Zvicra) josh turistë sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Europa. Kush viziton këtë vend, shpejt gjendet para një dileme: çfarë të shoh së pari? Trevën e bukur afër vullkanit Arenal, i cili shpesh pështyn lavë, rreth 10 mijë lloje bimësh, 850 lloje zogjsh dhe 380 lloje gjarpërinjsh dhe kafshësh amfibe, breshkat gjigante në bregun e oqeanit Paqësor apo Atlantikut, malet e mbështjella me mjegull, perëndimin e diellit në Santa Teresa në siujdhesën Nicoya? Pas gati 10 ditësh, Kostarika ende nuk i kishte harxhuar befasitë dhe bukuritë natyrore. Andaj duhej vazhduar ecja...

III. Të përjetosh perëndimin e diellit në Santa Teresa

Amerikanë me dërrasa mbi valë, europianë që habiten nga çmimet, majmunë që bëjnë gjimnastikë nëpër degë dhe një ujëvarë që bie në oqean: në siujdhesën Nicoya të Kostarikës.

Nga xhungla në oqean. Nga liqeni i Arenalit në siujdhesën Nicoya. Kjo rrugë në veri të Kostarikës nuk është e vështirë. Ka madje disa kilometra autostradë. Dhe udhëtimin e ëmbëlson edhe më shumë kënga “Amigo” e këngëtarit të famshëm brazilian Roberto Carlos. Është një himn për vlerën e miqësisë.

Kjo pjesë e udhëtimit fillon në Playa Avellanas, buzë oqeanit Paqësor. Në një lokal të atyshëm çmimet në meny janë të deklaruara në dollarë amerikanë (jo në Colón të Kostarikës). Dhe çmimet janë të standardeve zvicerane. Një burger, dy birra - 31 dollarë. Kush futet pak më thellë në mal dhe ndalet pranë rrugës së paasfaltuar, mund të zbulojë restorante me çmime të arsyeshme (dhe me ushqime të shijshme).

Këtu nuk ka bare të zhurmshme, as rrugë të ngarkuara nga komunikacioni. Plazhet si Playa Junquillal apo Playa Negra janë pothuaj bosh. Kush kërkon pak tollovi, atë e gjen në qytezën Tamarindo, dikur një fshat peshkatarësh. Gastronomia është e orientuar nga kërkesat e turistëve, kryesisht amerikanë. Në qendër të qytezës bie në sy një pazar që ofron ushqime nga shumë vende latinoamerikane (të cilat mund të konsumohen aty për aty), ka edhe punime druri, qëndisma, pemë tropikale. Dikur shfaqet një band që bën muzikë nëpër pazar dhe turistët kureshtarë nxjerrin telefonat e tyre dhe fillojnë të incizojnë.

Për të shkuar nga Tamarindo në Montezuma, stacioni i ardhshëm i rrugëtimit, duhet planifikuar rreth katër orë. Për rreth 160 kilometra! Pjesa më e madhe e rrugës është e asfaltuar, por ka etapa ku rruga është një lloj piste me zall e gurë. Montezuma është një fshat me turistë kreativë dhe alternativë, në rrugë shtegtojnë hipikë të humbur në ëndrra dhe bredhës të dynjasë, atmosfera është krejtësisht e shpenguar. Jo rastësisht ky fshat quhet edhe “Montefuma” (fumar domethënë pirje e duhanit). Që këtu nuk pihet vetëm duhan, mund të merret me mend.

Për ata që nuk tymosin, ka aktivitete alternative. Mund të shikosh majmunët duke bërë gjimnastikë nga dega në degë. Ose të shkosh te ujëvara Catarata de Montezuma, e cila arrihet pas një ecjeje rreth 30-minutëshe pranë bregut të lumit. Pasdite patjetër duhet të përjetohet perëndimi i diellit në Santa Teresa. Ky fshat gjendet rreth 40 minuta me veturë larg Montezumas. Playa Santa Teresa hyn në mesin e plazheve më të bukura të Kostarikës. Këtu mbahen shpesh kampionate nacionale të surfimit. Po ashtu mijëra turistë amerikanë vallëzojnë mbi valë me dërrasën e surfimit. Plazhet janë të paprekshëm, të qetë dhe të përshtatshëm për të shëtitur, medituar apo lexuar. Klima është e butë, temperatura gjatë gjithë vitit sillet mes 25 dhe 30 gradë. Në buzëmbrëmje njerëzit mblidhen përgjatë plazhit për të përjetuar perëndimin mahnitës të diellit. Kështu mori fund dita e 13 nëntorit.

Të nesërmen duhej parë patjetër ujëvara Catarata el Chorro, e cila gjendet në plazhin Cocalito afër Montezumas. Nëse gjeografët kanë numëruar mirë, kjo është njëra nga 7 ujëvarat në planet që derdhet drejt në oqean. Shtegu deri te ujëvara kalon pranë oqeanit, nëpër plazhe aq të vetmuar, saqë nganjëherë krejt skena duket joreale, madje surrealiste. Për vajtje-ardhje duhen planifikuar së paku 4 orë. Dhe duhen marrë me vete së paku dy litra ujë.

Këto s’janë pushime për dembelë që duan të rrinë pranë pishinës së hotelit. Caku i ardhshëm pasditen e 14 nëntorit ishte Playa Cuevas, një plazh që sa çel e mbyll sytë të katapulton në një dimension tjetër: nëse ka parajsë, kështu duhet të jetë (së paku te porta). Të nesërmen aventura e radhës: ishulli Tortuga! Gjendet në juglindje të siujdhesës Nicoya. Një parajsë me rërë të bardhë dhe me ujë të kaltër në të gjelbër (shqipja e ka një fjalë specifike për këtë ngjyrë: gurkali). Këtu shkohet me anije të shpejta, për shembull nga fshati Montezuma. Ishulli i vogël nuk ka hotel. Aty shkohet për të kaluar disa orë duke shikuar florën, faunën dhe oqeanin. Lundrimi i furishëm përgjatë bregoqeanit ofron një perspektivë spektakolare për të fotografuar. Nga mesi i udhës detare shfaqen delfinë të ndrojtur. Tortuga përbëhet në të vërtetë nga dy ishuj: Alcatrazi (sic!) ka trajtën e breshkës dhe është 60 hektarë i madh dhe Tolinga (ishulli kryesor, 120 hektarë).

Mesditën e 16 nëntorit, fiks në orën 13:00, në San José, kështu quhet kryeqyteti i Kostarikës, dorëzova veturën që kisha marrë me qira 10 ditë më parë. Pa asnjë gërvishtje dhe pa asnjë problem gjatë rrugës, diçka jo e vetëkuptueshme për një shofer mesatar, që drejtimin e automjeteve e konsideron humbje të kohës së vlefshme. Etapa e fundit do të më shpinte në anën tjetër të Kostarikës, në Detin e Karaibeve, i cili është pjesë e oqeanit Atlantik.

Pasuria më e madhe e Kostarikës është natyra me resurset e saj. Gati 100 për qind e rrymës prodhohet nga burimet ekologjike. Pjesa më e madhe nga uji. Kujdesi ndaj natyrës është mbresëlënës. Pothuaj askund nuk sheh plehra dhe edhe në fshatin më të largët do gjeni shporta të ndryshme për ndarjen e mbeturinave.

Në fillim të viteve 1980-të Kostarika njihej në botë si vend me prerjen më të madhe të lisave. Për shkak të zhvillimit të shpejtë të blegtorisë kërkohej sa më shumë hapësirë për kullota. Në vitin 1987 vetëm 21 për qind e territorit të vendit ishte e mbuluar me pyje e male. Tani rreth 60 për qind e territorit është e mbuluar me male e pyje. Ky rezultat spektakolar ka qenë i mundur falë politikave të mençura qeveritare. Është themeluar, për shembull, fondi i pyjeve Fonafifo, i cili mes tjerash financohet edhe nga një taksë mbi benzinën.

IV. Gati gjithçka që duhet të dini për Kostarikën...

Etapa e fundit e udhëtimit në Kostarikë është edhe rast për të reflektuar mbi historinë e këtij vendi, ekonominë, Mic Sokolin e Kostarikës, ushtrinë joekzistente dhe një lidhje speciale me Kosovën

1.

Duhej parë edhe ana tjetër të Kostarikës. Me anën tjetër mendohet: Deti i Karaibeve, i cili është pjesë e Oqeanit Atlantik. Në këtë shkrim, i katërti dhe i fundit mbi një udhëtim trejavor në Kostarikë, bëhet më pak fjalë për natyrën dhe më shumë për çështje të tjera si historia, ekonomia, politika etj.

Në Puerto Viejo de Talamanca arrita më datën 17 nëntor, me një minibus (shuttleservice). 120 dollarë vajtje-ardhje në itinerarin mes kryeqytetit San José - Puerto Viejo de Talamanca. Ky fshat pëlqehet nga turistët. Ka edhe pensionistë nga Evropa e Shtetet e Bashkuara të Amerikës që vijnë këtu për të kaluar një pjesë të vitit. Afërsisht çdo i treti burrë duket sikur të ishte vëllai i vogël i Bob Marley. Dhe kjo nuk është befasi, shumë banorë janë pasardhës të punëtorëve që kanë ardhur nga Xhamajka në Kostarikë. Po ecja rrugicave të fshatit me sy kureshtarë dhe turma e parë që pashë ishte një vargan njerëzish para një kishe duke i dhënë lamtumirën një të vdekuri. Gra e burra të veshur solemnisht, fëmijë që luanin të shkujdesur dhe zëri i priftit që jehonte nga thellësia e kishës modeste.

Kush shkon në Puerto Viejo, bën mirë të marrë një biçikletë me qira (5 dollarë në ditë). Terreni është i rrafshët, rrugët janë të mira dhe kështu natyra përjetohet më intensivisht. Patjetër duhet vizituar parkun nacional Gandoca-Manzanillo, i cili shquhet me plazhe të bukura në gjinj deti të vetmuar, ku mund të shijoni një arrë kokosi nën hijen e palmave. Një restorant i mirë peshku në Puerto Viejo është Marisqueria Mopri, i cili i ngjan Tavernës “Rrapo” në Sarandë, një vend që pëlqehet shumë gjatë verës nga klientët hamës kosovarë.

2.

Më 17 shkurt 2008, në orën 15:39, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë. Në San José ora ishte 08:39. Puna e parë që bëri në atë mëngjes presidenti i atëhershëm Óscar Arias Sánchez ishte t’i kërkojë ministrisë së Jashtme që të pranojë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kësisoj, Kostarika u bë shteti i parë që e njohu shtetësinë e Kosovës. Óscar Arias Sánchez është një politikan me përvojë. Kur propozoi njohjen e Kosovës, ai po ushtronte mandatin e dytë të presidentit. Për herë të parë ai u zgjodh president më 1986. Gjatë Luftës së Ftohtë, Amerika Qendrore ishte arenë rivaliteti mes SHBA dhe Bashkimit Sovjetik.

Óscar Arias Sánchez u dha fund polarizimeve në rajon: ai takoi presidentët e Guatemalës, Salvadorit, Hondurasit dhe Nikaraguas dhe arriti t’i bindte ata të kufizojnë madhësinë e ushtrive të tyre, të garantojnë lirinë e shtypit dhe të mbajnë zgjedhje të lira. Ky plan u pranua, konfliktet në Amerikën Qendrore përfunduan dhe Óscar Arias Sánchez më 1987 u nderua me çmimin Nobel për Paqe. Më 2006 ai u zgjodh sërish president i Kostarikës. Marrëdhëniet mes Kostarikës dhe Kosovës përshkruhen si të mira. Së fundi në këtë vend për vizitë ka qëndruar zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, Liza Gashi, e cila ka një lidhje personale me Kostarikën: është shkolluar në San José.

3.

Para 75 vjetëve, më 1 dhjetor 1948, José Figueres Ferrer, ish-prijës i kryengritësve dhe president i Kostarikës, i ra me çekan murit të kazermës në San José dhe njoftoi për shpërbërjen e ushtrisë. Kostarika nuk ka armatë, kjo e bën këtë vend mjaft të veçantë në një rajon ku roli i ushtarakëve ka qenë shpeshherë fatal (për shembull në Kili dhe Argjentinë). Kazerma e dikurshme në San José u shndërrua në muze nacional. Paratë e parapara për ushtri u investuan në sistemin shkollor dhe në infrastrukturë. Pa ushtri nuk domethënë edhe pa forca të sigurisë: Kostarika ka një polici relativisht efikase dhe njësi për ruajtjen e kufirit. Për shkak të numrit të madh të refugjatëve nga Amerika Jugore të cilët përmes Kostarikës mësyjnë Meksikën me qëllim që të arrijnë në SHBA, edhe në Kostarikë është rritur dukshëm kriminaliteti. Në fund të shtatorit agjencia gjermane e lajmeve DPA njoftoi se që nga fillimi i këtij viti gati 400 mijë refugjatë kanë kaluar nëpër Kostarikë në drejtim të veriut. Kostarika ka 5,1 milionë banorë.

Gjithnjë e më akut është problemi i përleshjeve mes bandave të drogës. Viti 2022 ka qenë viti më i dhunshëm në historinë e Kostarikës. Megjithatë, turistët nuk duhet të kenë frikë. Shumica e vrasjeve ndodhin në mjedisin e drogës. Rajoni i Limónit afër Puerto Viejo konsiderohet si qendër e veprimtarisë së bandave të drogës. Porti i Limónit shërben si pikënisje për shumë kontejnerë me drogë që kontrabandohet në Evropë dhe SHBA.

4.

Më 1502, Kristofor Kolombi zbarkoi në Isla Uvita afër Puerto Limón në bregun e Atlantikut. Zbuluesi i madh supozonte se këtu kishte rezerva të mëdha të arit, andaj e quajti vendin Costa Rica (bregdeti i pasur). Përpjekjet e spanjollëve për të kolonizuar Kostarikën hasën në rezistencë të ashpër të fiseve indigjene. Më 1561 në Cartago u vendos një koloni e përhershme. Ky qytet në brendi të vendit, larg rrugëve tregtare dhe oqeaneve, u bë kryeqyteti i parë i Kostarikës, më vonë kryeqytet u bë San José. Me ardhjen e spanjollëve numri i popullsisë indigjene ra në mënyrë dramatike. Më 1569 në Kostarikë jetonin 120 mijë indigjenë; më 1611 numri i tyre ra në 10 mijë.

Më 1709 kreu i indigjenëve në malet e Talamancas, Pablo Presbere, u rebelua bashkë me përkrahësit e tij kundër sundimtarëve spanjollë. Një vit më vonë ai u ekzekutua në Cartago. Koka e tij u ngul në një hu për të tmerruar njerëzit. Për dallim nga shtetet e tjera të Amerikës Latine, Kostarika e arriti pavarësinë më 1821 pa luftë e gjakderdhje. Në vitet 1830’ Kostarika pushtoi tregun botëror me kafe, e cila e bëri këtë vend të pasur. Kafeja krijoi lidhje të ndryshme me Evropën, e nga atje në Kostarikë erdhën moda, arkitektura e letërsia. Në fund të shekullit XIX shumë gjermanë emigruan në Kostarikë dhe u bënë pjesë e aristokracisë së kafesë. Përveç me kafe Kostarika, u bë e njohur edhe me eksport të bananeve.

5.

Aeroporti ndërkombëtar i kryeqytetit të Kostarikës bart emrin e heroit nacional Juan Santamaría. Ai ishte daullexhi i ushtrisë dhe vdiq më 11 prill 1856 gjatë një beteje në Nikaraguan fqinje. Santamaría ia vuri zjarrin kampit të trupave mercenare të amerikanit William Walker, i cili synonte të krijonte shtete vasale në Amerikën Qendrore dhe të pengonte pavarësinë e tyre. Sakrifica e Juan Santamarías ishte vendimtare për fitimin e betejës së Kostarikës dhe vendeve të tjera të rajonit për pavarësi.

Flijimi i tij mund të krahasohet me atë të Mic Sokolit, i cili në betejën e Slivovës më 1881 i doli para grykës së një topi osman dhe ra heroikisht. Juan Santamaría është i krahasueshëm edhe me heroin zviceran Arnold Winkelried, i cili më 1386 - sipas sagës së përhapur - u vetëflijua në Betejën e Sempach-ut duke ua hapur një shteg trupave zvicerane përmes të cilit ato mposhtën trupat e Habsburgut austriak. Pranë liqenit të Arenalit në Kostarikë gjendet hoteli “Los Heroes” (heronjtë), i cili është ndërtuar nga një zviceran. Në fasadën e hotelit shquhen afreskët e dy heronjve: Juan Santamaría dhe Arnold Winkelried. Një shenjë e miqësisë mes Zvicrës dhe Kostarikës. Ka edhe shumëçka për të shkruar për Kostarikën, andaj titulli i këtij teksti është gjithsesi ironik.

© Enver Robelli & KOHA