Misioni në Zagreb - Nga Enver Robelli
- Published in Andej-Këtej
(Ky rrëfim është burim i mendjeshkrepjes. Ngjashmëria me njerëz realë është krejtësisht e rastësishme)
Më 17 korrik 2008 Leutrim Laramani zbriti nga treni në Glavni Kolodvor në Zagreb, shikoi qiellin e kaltër dhe me plot vetëbesim mori rrugën drejt ambasadës. Në katër vitet e ardhshme - aq do të zgjaste mandati i tij, aq mendonte të rrinte në Zagreb -, ai dëshironte të punonte me përkushtim për të prezantuar vetëm anët më të mira të shtetit, i cili para pesë muajsh ishte bërë i pavarur dhe Leutrim Laramanin po e dërgonte në kryeqytetin kroat si diplomat të rangut jo aq të ulët.
Sapo u fut në parkun Zrinjevac, Leutrim Laramanit i ranë në sy flamujt e Kroacisë në fasadën e Ministrisë së Jashtme dhe një kolonë automobilash të zinj si korbi që po prisnin ministren e Jashtme dhe delegacionin e saj për ta çuar në aeroport prej nga do të ngjitej në qiell me një avion qeveritar dhe pas dy orësh do të aterronte në Bruksel.
Leutrim Laramanit i bëri përshtypje përpikmëria e punëtorëve të protokollit, truprojat që ecnin me gjasë saktësisht një metër larg njëri-tjetrit, policët që rrinin gatitu para shtëpizave të tyre te porta e Ministrisë së Jashtme. Për një çast Leutrim Laramanit iu duk se edhe shpendët krenarë po rrinin gatitu në degët e plepave të parkut.
Disa kalimtarë ende po bartnin fanella të kombëtares së futbollit të Kroacisë, ndonëse gati një muaj më parë Turqia e kishte poshtëruar Kroacinë në ndeshjen e çerekfinales së Kampionatit Europian të Futbollit. Ndërsa në minutën e 119 shikuesit në stadiumin “Ernst Happel” të Vjenës po prisnin gjuajtjet me penallti, Ivan Klasniçi shënoi gol me kokë. 1:0 për Kroacinë.
Tre minuta më vonë pasoi hakmarrja e trupave otomane në kryeqytetin e Austrisë. 1:1. Në gjuajtjet nga pika e njëmbëdhjetëmetërshit kroatët i humbën nervat dhe populli ra në depresion.
Leutrim Laramani e kishte parë këtë ndeshje në një kafeteri në qytezën e tij të lindjes, i rrethuar me kushërinj dhe shokë, të cilët kishin ardhur aty edhe për t’i uruar suksese në misionin e tij në Zagreb. Tani, duke ecur në parkun Zrinjevac, Leutrim Laramanit i dukej e largët ajo kohë, i dukej e largët vendlindja, i dukej i largët atdheu.
I shpërqëndruar dhe i humbur në mendime, ai po kërkonte me sy flamurin e shtetit të tij në ndonjërën nga fasadat e ndërtesave të qytetit, kur befas ndjeu një ngrohtësi të lagësht pas veshit. Preku ngadalë llapën e veshit dhe gishtat i hasën në një materie të lëngët.
Parandjenja i doli e vërtetë: nga veshi po i rridhte një glasë e një zogu të plepave të parkut Zrinjevac. Me fat, i tha vetes Leutrim Laramani, më shumë për të shfryrë mllefin. Nuk besonte në përralla popullore se kujt i binte në kokë a në supe një glasë, ai do të kishte fat.
Trokiti në derën e ambasadës dhe priti nja pesë minuta, por nuk ndodhi asgjë. E gjeti zilen dhe i ra, priti edhe pesë minuta, por asgjë s’pipëtiu. Kapi një guralec në një shteg të parkut dhe e gjuajti në drejtim të dritareve të ambasadës. Në një dritare të katit të dytë nxori kokën e thinjur një plakë dhe Leutrim Laramani në këtë çast u turpërua e deshi të bërtasë: çelu tokë!
Me mendje ishte nisur te ambasada e shtetit të tij, por këmbët i ishin ndalur para ambasadës në fasadën e së cilës valonte flamuri me shkabë dykrenore. Koka e thinjur e plakës qëndronte nën bajrakun kuq e zi.
Leutrim Laramani u largua nga aty në heshtje, ndërsa pas i vinte zëri i një këngëtari të rrugës: lalaa-lala-lala-lalaa! Në një qoshe të Sheshit Ban Jelaçiç, Leutrim Laramani pa kafehanen e famshme Gradska kavana, por s’ia mori mendja të hyjë, i frikësohej atmosferës mondane me burra të veshur me frak dhe gra me fustane të mëndafshta.
Ishte ditë e bukur kur erdhi në Zagreb diplomati Leutrim Laramani, andaj vendosi të shëtiste nëpër shesh me një limonadë cedevita në dorë. E këqyri nga të gjitha anët përmendoren e Ban Jelaçiçit dhe me krenari e trimëroi veten me fjalët: Skënderbeu është më i madh.
Ban Jelaçiçi jetoi mes viteve 1801-1859. Përmendorja e tij u përurua solemnisht në vitin 1866 dhe atëbotë heroi e fisniku kroat shikonte në drejtim të veriut, atje ishte Hungaria, armiku. Më 1945 erdhën në pushtet komunistët dhe sheshet duhej të zbrazeshin për monumentet e tyre. Dy vite më vonë nga sheshi qendror i Zagrebit u dëbua Ban Jelaçiçi bashkë me kalin e tij. Patriotët kroatë këtë e përjetuan si sulm kundër kujtesës kombëtare.
Komunistët hungarezë i duartrokitën komunistit jugosllav Josip Broz Tito për flakjen e armikut klasor Ban Jelaçiç. Një vit më vonë, më 1948, kur Tito ia tregoi gishtin e mesëm Stalinit, vëllezërit komunistë hungarezë e krahasuan Titon me qoftëlargun Jelaçiç.
Më 1990 Jelaçiçi u kthye në shesh me atin e tij. Tani shikonte drejt jugut, atje ishte Serbia, armiku. Kur linin takim, njerëzit thoshin: po shihemi në shesh “Te bishti” i kalit të Jelaçiçit. Gjatë komunizmit bredhacakët takoheshin “Te ora”.
Leutrim Laramanit ia tërhoqën vëmendjen shkallët pas prapanicës së kalit të Jelaçiçit. Ato e lidhin sheshin me pazarin Dolac, të cilin kroatët dhe kroatet e quajnë edhe “trbuh”, bark. Leutrim Laramani mbushi një qese me dardha, pagoi me kuna, në njërën kartëmonedhë shihej portreti i Ban Jelaçiçit, pastaj bleu sardele në vaj ulliri dhe një kilogram bukë dhe u kthye te parku Zrinjevac, zuri vend në një ulëse dhe nisi të shijojë drekën. Të nesërmen shpresonte ta gjente ambasadën ku do të punonte për republikën e re.
© Enver Robelli



