Andej-Këtej

Njutoni, Amerika dhe Rusia në Lindjen e Mesme - Nga Dritan Goxhaj

Duke parë përshkallëzimin në dukje të përplasjeve ushtarake aktuale në Lindjen e Mesme, të krijohet ideja sikur e gjithë kjo që po ndodh këto javët e fundit është thjesht një përplasje midis disa aktorëve të vegjël, që në realitet janë veç disa organizata ushtarako-religjioze, pjesë e asaj që konsiderohet si “Boshti i Rezistencës”, i krijuar nga Irani kundër forcave amerikane dhe Izraelit në Lindjen e Mesme. Në realitet thjesht kemi të bëjmë me një përplasje ushtarake që ka filluar që në shkurt të vitit 2022 midis Amerikës dhe Rusisë në Ukrainë. Një përplasje që po bëhet nëpërmjet një aktori të tretë në duart e Amerikës, që është Ukraina, por kjo përplasje e këtyre dy gjigantëve po shtrihet edhe në pjesë të tjera të globit, aty ku gjeopolitika ka qënë gjithnjë një përplasje e madhe fetare në radhë të parë.

Le t’i kthehemi realitetit në terren. Me datë 28 janar SHBA deklaruan se një bazë e tyre ushtarake e ndodhur në Jordani dhe që njihet si Kulla 22 (Tower 22), ku mbetën të vrarë 3 ushtarë dhe 47 të tjerë të plagosur, ishte sulmuar gjatë natës nga një dron kamikaz. Pala jordaneze e mohoi që një sulm i tillë të kishte ndodhur në territorin e saj.

Para disa ditësh amerikanët filluan një sulm të gjerë kundër disa objektivave ushtarakë që i përkasin këtyre grupeve të “Boshtit të Rezistencës” me vendndodhje në Siri dhe Irak, por ajo që ne shohim dhe dëgjojmë nuk është e gjithë e vërteta. Në fakt këtu e vërteta po mundohet të fshihet nëpërmjet këtyre goditjeve të shumënumërta, me qëllim për të tërhequr komplet vëmendjen nga ajo çka ka ndodhur realisht.

Por çfarë ka ndodhur realisht?

T’i marrim gjërat me radhë duke nisur nga data 28 janar. Amerikanët deklaruan se një bazë e tyre në Jordani u godit. Në të vërtetë nuk është goditur aspak baza e tyre në Jordani, por baza e tyre ushtarake në Siri, e cila është vetëm 30 km larg bazës në Jordani dhe që njihet si baza ushtarake e Al Tanf. Por përse amerikanët po e zhvendosin këtë që ka ndodhur në Al Tanf në Jordani?

Shumë e thjeshtë. Baza ushtarake në Siri është një bazë totalisht ilegale e cila ndodhet në një vend sovran siç është Siria dhe nuk ka asnjë lloj marrëveshje dhe miratim as nga qeveria siriane dhe as nga OKB. Dhe si e tillë ajo është thjesht një forcë pushtuese, por duke e qënë e tillë, në bazë të Kartës së OKB, çdo forcë pushtuese e humbet të drejtën e veprimeve vetmbrojtëse jashtë territorit të saj. Pra thënë shkurt, çdo lloj veprimi që amerikanët ndërmorën, nuk mund të justifikohet në asnjë lloj mënyre, në rast se do pranonin që u godit një bazë ilegale dhe e jashtëligjshme. Duke e zhvendosur goditjen në Jordani, ku baza aty është e ligjshme dhe legale pasi është ngritur me marëveshje me qeverinë jordaneze, kjo u jep të drejtën amerikanëve të ndërmarrin të gjitha ato veprime që kanë ndërmarrë këto ditë.

Tani vimë te pyetja e dytë. Kush e goditi bazën?

Amerikanët deklaruan se ajo u godit nga grupe të armatosura që mbështeten ushtarakisht dhe politikisht nga Irani. Në këtë rast nuk janë duke gënjyer. Pavarësisht se e kanë përgjithësuar deklaratën pasi në realitet nuk e kanë aspak idenë se cili prej tyre ka mundur ta kryejë goditjen.

Pas kësaj lind pyetja e tretë. Si arritën ta godasin bazën?

Amerikanët deklaruan se “një dron penetroi mbrojten e Kullës 22 duke qëndruar mbas një droni amerikan që po kthehej nga një mision”. Normalisht që çdokush pa asnjë lloj eksperience ushtarake dhe njohurie mbi dronët në këto vitet e fundit do e besonte dhe e beson këtë shpjegim. Por ama sërish çdokush me sado pak njohuri ushtarake nga interneti do pyeste: Çfarë droni ka qënë ky që arriti të plagosë kaq shumë ushtarë, të cilët ishin nëpër dhomat e tyre duke fjetur dhe jo të grumbulluar në ndonjë shesh?

Duke gjykuar nga sasia e dëmit mendja të shkon vetëm të raketat, pasi çfarëdo lloj droni i vetëm nuk mund ta shkaktojë këtë dëm.

Kur vimë te raketat por edhe te dronët, ashtu si thonë amerikanët, automatikisht lind pyetja e radhës: Si arriti ky objekt të penetrojë mbrojtjen kundërajrore amerikane që kanë këto baza?

Dihet se bazat amerikane në këtë pjesë të gjeografisë përdorin për mbrojtje një sistem që quhet C RAM (Counter Rocket Artillery Missile) si dhe sistemin Coyote Air Defense. Të dy këta sisteme janë sisteme autonomë dhe nuk operohen nga njeriu. Ata bazohen në një sistem të tretë që quhet KuRFS (RTX’s Ku-Band Radio Frequency System) me një radar 360 gradë, i ndërtuar gjatë luftës në Afganistan për të ndihmuar forcat amerikane aty. Dhe derisa ky droni që thonë amerikanët ka goditur, i bie që ky sistem nuk ka punuar. I bie që ndonjëri prej atyre që kanë lëshuar dronin ose raketën, të ketë hakeruar sistemin e radarëve të lartpërmendur duke e neutralizuar/bllokuar totalisht.

Po kush ka kapacitet ta bëjë këtë?

Aktualisht të vetmit që kanë kapacitet të bllokojnë këta dy sisteme kundërajrore që përmenda më lart janë vetëm forcat ruse. Të dy këto sisteme i janë dhënë në fund të 2022 dhe fillim të 2023 Ukrainës dhe janë vendosur në mbrojtje të disa objektivave të rëndësishën në Kiev. Por që prej shtatorit të 2023 këto dy sisteme kanë qënë të paafta për të rrëzuar dronët ose raketat ruse që kanë goditur Kievin dhe disa objektiva të rëndësishëm ushtarakë, përfshi edhe shtabin qëndror të Shërbimeve Sekrete Ushtarake Ukrainase. Kjo tregon se rusët kanë arritur që nëpërmjet luftës elektronike të arrijnë të bllokojnë operimin e këtyre radarëve amerikanë.

Po pse rusët ua kanë dhënë këtë teknologji këtyre grupeve do pyesni ju që po e lexoni?

Në realitet rusët nuk ua kanë dhënë këtë lloj teknologjie këtyre grupeve, por vetëm iranianëve. Kjo është bërë në kuadër të një pakti kooperimi të përbashkët, të nënshkruar në 18 janar të këtij viti me qëllim transferimin e teknologjisë ushtarake dhe asistencës. Gjithashtu pakti parasheh edhe trajnimin e specialistëve të IRGC-së në teknologjinë që do të transferohet drejt Iranit.

Në këtë rast janë iranianët që e kanë përdorur këtë teknologji në favor të këtyre grupeve, ku iranianët kanë të atashuar oficerë dhe specialistë të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC). Dhe rrjedhimisht lind një tjetër pyetje sërish: Përse rusët nuk e kanë dhënë më parë këtë teknologji?

Këtu vijmë tek ai që në fizikë njihet si ligji i tretë i Njutonit: për çdo veprim ka një kundërveprim. Përse ky kundërveprim?

Me datë 24 janar të këtij viti Ukraina rrëzoi një avion rus IL-76 të mbushur me robër lufte ukrainas, të cilët po fluturonin drejt qytetit kufitar të Belgorodit për t’u shkëmbyer me robër rus të luftës. Rusët pas një investigimi të shpejtë në terren të pjesëve të avionit deklaruan se ai ishte rrëzuar me raketë Patriot.

Këto janë raketa që amerikanët ua kanë dhënë ukrainasve me kushtin që ato të mos përdoren për objektiva jashtë territorit të Ukrainës. Ndërsa avioni që u godit ndodhej në territorin e Rusisë. Dhe kjo shënoi kalimin e asaj vijës së kuqe të dakordësuar në heshtje ndërmjet të mëdhejve. Duhet patur parasysh megjithatë, që këto sisteme amerikane nuk operohen nga ukrainasit vetëm, por për çdo sistem ndodhen edhe specialistë amerikanë të nënkontraktuar dhe jo domosdoshmërisht pjesë e ushtrisë amerikane.

Rusët deklaruan menjëherë se do të ndërrmarin veprimin e duhur ndaj atyre që e kanë kryer dhe lejuar të kryhet kjo goditje. Dhe duke qënë se kjo goditje është kryer me raketë Patriot, i bie që është bërë me leje të këtyre specialistëve amerikanë, të cilët miratojnë çdo lloj objektivi përpara se ai të qëllohet. Dhe kështu, me datë 25 janar kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Nikolai Patrushev, pati një takim zyrtar në Moskë me Kreun e Sigurisë Kombëtare të Iranit dhe të Huthëve. Sipas deklaratës zyrtare në këtë takim u diskutua për bashkëpunim më të ngushtë në fushën e sigurisë dhe të cënimit të saj nga aktorë të jashtëm.

Dhe një logjikë e thjeshtë të çon në një përfundim aritmetikor, se rusët duke i dhënë iranianëvë teknologjinë që bllokon sistemet e radarëve të mbrojtjes të forcave amerikanë, i kanë kërkuar iranianëve që të ndërmarrin këtë lloj sulmi me anë të një pale të tretë të kontrolluar prej iranianëve kundër kësaj baze ushtarake amerikane. Pra një goditje ndaj Amerikës nëpëmjet një pale tjetër, pothuajse e njëjta gjë që po ndodh sot në Ukrainë.

Kjo lloj goditje jo vetëm që ishte një goditje hakmarrjeje ndaj rrëzimit të avionit rus në 24 janar, por ishte një goditje treguese. Deri më sot amerikanët e kishin shprehur edhe publikisht në disa raporte të Pentagonit mosfunksionimin e sistemeve kundërajrore raketore dhe të radarëve që ata u kishin dhënë ukrainasve, por gjithnjë kanë hedhur dyshimin mbi efektivitetin e operatorëve ukrainas dhe vetëm në një rast është diskutuar mundësia e bllokimit të këtyre sistemeve nga ana e rusëve.

Me anë të kësaj goditjeje, rusët u bënë me dije duke u hequr përfundimisht amerikanëve dyshimin, se tashmë këta sisteme të tyre të mbrojtjes janë të bllokueshëm nga  rusët dhe rrjedhimit të gjitha forcat amerikane në Lindjen e Mesme dhe sidomos në trekëndëshin Siri-Irak-Iran, nuk kanë më asnjë shtresë mbrojtjeje nga raketat ose dronët e këtyre vëndeve në rast se do të hynin në një konflikt të hapur me ta.

Amerikanët e kanë kuptuar qartë dhe pastër këtë mesazh, ndaj dhe tani nëpërmjet këtyre goditjeve të shumta pothuajse të pavlera dhe të rakorduara me ranianët po mundohen të zhvendosin vëmendjen nga e vërteta e hidhur. Do pyesni si të rakorduara?

Gjatë gjithë javës që lamë pas, amerikanët u kanë çuar mesazhe iranianëve nëpërmjet ambasadës zvicerane në Teheran, që iranianët të pranojnë që amerikanët të godasin disa baza ushtarake iraniane bosh, sa për të shpëtuar fytyrën. Në të njëjtën mënyrë siç ata lejuan iranianët që të godisnin dy baza amerikane në Irak, pas vrasjes nga ana e këtyre të fundit të gjeneralit të Forcave Kuds të IRGC Kasem Solejmani.

Por iranianët nuk kanë pranuar kategorikisht që të goditet territori i tyre. Ndaj në këtë vazhdë në mesin e javës që lamë pas, zyrtarë të lartë të CIA-s dhe të shërbimeve iraniane janë takuar përballë njëri tjetrit në Katar. Pas këtij takimi është rakorduar që të goditen baza ushtarake që u përkasin këtyre grupeve të mbështetura nga Irani, por me kusht që në to në kohën e goditjes të mos ketë trupa të IRGC-së.

Ndaj e gjitha kjo që po shohim nuk ka të bëjë aspak me hapjen e një lufte të re në Lindjen e Mesme ose me Luftën e Tretë Botërore. Është thjesht një spektakël armiqsh, të cilët e kuptojnë shumë mirë njëri-tjetrin dhe të vetëdijshëm që nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin, dhe në raste ekstreme të dhënies së leksioneve njëri-tjetrit, sërish mundohen t’i shpëtojnë fytyrën njëri-tjetrit.

Të vetmit që mbesin me gojë hapur në gjithë këto lojëra lufte gjigandësh, janë vetëm vende si puna jonë, të cilët kurrë nuk kanë arritur të shohin përtej fasadës.

© Dritan Goxhaj