Vetjakësia shqiptare, gjeni ose gjëma nga zanafilla - Burim Bardhari
- Published in Andej-Këtej
Lashtësia pa dyshim se ka rëndësi si rrënjët që ndërtojnë dhe mbështesin pemën, por edhe ardhmëria duhet si degët me gjethet që ushqejnë pemën me bekimin hyjnor/natyror të procesit të fotosintezës ose dritëngërthimit.
Zanafilltas, parashqiptarët ose të parët tanë pishtarë urtësisht nuk shpikën ndonjë fe fanatike në lashtësi por shpikën një të folme fisnore me gramatikë shkencore, mirëfilltas e mëvetësishme dhe e pavarur nga ndikimi i gjuhëve të tjera madhore evropiane, Shqipen e shenjtë për nga lashtësia që shërbeu edhe si mburojë kombëtare kundër ndikimeve të jashtme që të mos nënshtrohen pasardhësit vendas me dhurata kalatrojane si dogmat meslindore dhe idelogjitë fqinjore, por të qëndrojnë të bashkuar prapa shqytit të Shqipes. Kjo urtësi qëndrestarie i cilëson ata si pararendës risitarë edhe largpamës, sepse nuk ishte lehtë të ndërtohej një gjuhë burimore në agimet e para të qytetërimit njerëzor, kur njëmend disa ende jetonin nëpër shpella e shkretëtira. Gjuha amtare spikati ndër 5 gjuhët e mirëfillta madhore evropiane tok me gjuhët fqinjore greqishte dhe latinishten e cila u shartua me degë të tjera, si dhe gjuhët gjermanike e slave. Pasojësisht keltishtja u mbivendos nga anglishtja, njëra nga degët e gjuhës gjermane, po ashtu armenishtja e cila njihet si gjuhë evropiane, por Armenia gjendet në Azi, e baskishtja gjithashtu e lashtë nuk dallon si gjuhë evropiane.

Hiqja gjuhën serbëve dhe ata mund të flasin rusisht ose polonisht, sepse nuk kane gjuhë burimore por shartim të huazuar e ripërshtatur, ndaç hiqja gjuhën edhe hebraikëve e arabëve të cilit po ashtu mund të merren vesh me gjuhën e madhe semite e të lashtë si me aramaishten, parashembullin e degës së njohur biblikisht. Ndërsa shqiptari pa Shqipen burimore tretet me fqinjët ose pushtuesit, prandaj rilindasit farkëtuan shprehjen e urtë, filozofinë ose ideologjinë se “Feja e Shqiptarit është Shqip-taria”, ngase përkushtimi e besimi në Zot është bekim i lirë vullnetar e vetjak, pingul dhe falas, pa kushtëzime me anëtarësi pagestare ose ushtrivajtje për të tjerët, sepse Zoti vetë dhuroi vullnetin e lirë mbi drejtësinë e përzgjedhjes dhe përgjegjësisë.
Njeriu nuk lind e rritet vetë por në shoqëri, mirëpo drejtësia e përzgjedhjes është vetjake pasiqë edhe përgjegjësia bie mbi supet e tij për të mbijetuar ose ndihmesuar të tjerët, si rrjedhojë vjel edhe bekimet nga barazimi i mundësive si dhe bashkëndarja e burimeve të përbashkëta natyrore, por së pari afërmendsh se duhet t’i rreket pikëpyetjes qenësore se çfarë mund të bëjë për veten dhe pastaj pa harruar edhe atdheun prej ku përfiton.
Ndoshta nga ky këndvështrim Shqiptarët janë vetjakë në qasje sepse çajnë vetë duke pushtuar nga brenda kështjellat e mëdha të huaja, por janë edhe pishtarë e risitarë, që nga perandori romak Konstantini me prejardhje ilire, i cili vendosi rend dhe ua ndërroi fenë romakëve si dhe ngriti kryeqytetin e tij duke e “shpërfillur” largpamësisht selinë e Romulit përrallor. E deri te bashkëfistari pasardhës Justiniani ilir brenda kornizave të perandorisë së njëjtë, madje ky i dyti u njoh edhe si Rikthyes ose Restauratori i Perandorisë romake sepse kishin rënë e ishin rrënuar jo vetëm Siçilia e Dalmacia, por edhe Roma e madhërishme. Ai rivendosi sërish unazën e sundimit të tij rreth detit Mesdhe që atëbotë njihej si “liqeni latin”, ndërkaq thuhet se edhe pushtuesi i Konstantinopojës, Mehmeti II Fatih e kishte idhull Justinianin se zotëroi “unazën” e detit Mesdhe. Justiniani ngriti edhe kishën më të madhe të krishterimit në Konstantinopojë, në qytetin Stamboll të sotëm, torta e turqve, ndërsa pararendësi Konstantini e shndërroi një tempull romak në Jeruzalem në kishën më të njohur të krishterimit, Kisha e Varrit të Shenjtë, e Jezu Krishtit, ku sipas besimit përkatës hamendësohet se ishte varri i tij.
Këto arritje nuk janë rastësi por edhe aftësi nga mendësia dhe mësime të trashëguara, zgjuarsi e shkathtësi, sepse shqiptarët ishin urëlidhja mes dy pushtuesve viganë të lashtësisë duke i dhuruar atyre me dhjetëra perandorë e prijës, perandorive të të dy krahëve. Si rrjedhojë pas tyre shkëlqeu edhe kryetrimi vendor Skënderbeu, i cili me “skënderbëmat” e tij zmbrapsi superfuqinë periudhore si profeti Mojsiu (Musai) fiktiv që shpëtoi popullin e tij nga faraoni i Egjiptit madhështor ndonëse për këtë prijës e kryengritës meslindor nuk ka dëshmi arkeologjike se kishte qenësuar dikur, por së paku miti i tij shërbeu për themelimin fisfetar si sot shtetformimi, rrëfim mitik i bashkimit qëndrestar për pavarësim të vegjëlisë nga zgjedha e madhërisë.

Rrjedhimisht, pas Skenderbeut dhe sërish jashtë atdheut, u dallua Mehmedaliu ynë në Egjiptin e lavdishëm, i cili si Leka e Çezari (Qesari) e nënshtroi vendin e mirënjohur pa superfuqi ushtarake por së bashku me shumicë shqiptarësh ngriti dinastinë e tij për rreth 150 vite, duke përfshirë edhe nënshtrimin e Hixhazit profetik (Meka e Medina) si dhe Sirinë e Sudanin. Ai nxiti përparimin e shtetit me të cilin udhëhiqte si mëkëmbës vali por i pavarur sepse i biri i tij Ibraim pashai e mposhti fushatën ndëshkuese të sulltanit dhe shpartalloi ushtrinë e Mahmutit të II në betejën e vitit 1832 në Konja. Pas tij edhe Kemali me prejardhje shqiptare u shqua si themelues atnor i shtetit bashkëkohor të Turqisë dhe si Konstantini mbivendosi ndryshime duke e ndërruar shkrimin arab me shkrimin latin Perëndimor, gjegjësisht evropian, ndonëse shqiptarët atdhetarë të Kongresit të Manastirit e bënë këtë kapërcim të “gërmatares” dekada para tij, njohje e drejtëpërdrejtë për rilindjen e Shqipes së shenjtë për nga lashtësia e cila është fryma që i mban të bashkuar shqiptarët, por edhe si tapi historike si dhe tërthoras pronësisë së lashtësisë.
Mjerisht, shqiptarët pasardhës dërmuesisht nuk vrasin mendjen me detyra shoqërore si pishtarët e parë ardhmëritarë, as sot me dy shtetucë e gjysmë sepse shkakësisht mungon ngrehina e infrastrukturës ekonomike dhe shtysat shoqërore për zhvillim e përparim, por spikat edhe mungesa e zellit për zbulim e shpikje për shtimin e vlerave të reja, ndërsa ndërkohë disi dinakërisht përçohet fajësimi tek të tjerët, pararendësit ose kundërshtarët dhe arsyetohet apo mbulohet dështimi me revizionizëm të pareshtur i cili lë përshtypje kinse vazhdon hakmarrja psikologjike e paradënuar me dështim si guri i Sizifit. Ndoshta tërthoras qëllimisht shfrytëzohet përfitimthi përpjekja për ngritje vetjake sepse shmanget e nuk pronësohet përgjegjësia personale dhe ajo kombëtare për mbarësi atdhetare; fatmirësisht se ende nuk na kanë hedhur në det që të vetëdijësohemi vrik ngase qëlloi plotëpërkimi i synimeve tona me Perëndimin si ndonjë shpëtimtar i shenjtë që ndërhyri edhe për veten ngase nuk e njohim vlerën e bashkimit dhe harrojmë se jemi të rrethuar nga fqinjët finokë dhe mashtrohemi mbrapsht e prapavajtësisht në mesjetë me dhurata kalatrojane të mykura dhe të privuara nga mendësia e Rilindjes periudhtas.
Zgjim e zgjuarsi, le të fitojë si prijës kush të dojë nëse fiton edhe jetësimi i mendimeve ngadhnjimtare!
© Burim Bardhari



