Andej-Këtej

Një reportazh mbi Pakistanin - Nga Enver Robelli

Reportazhi ëshë zhanri mbretëror i gazetarisë. Ndryshe nga raporti, reportazhi nuk i shikon gjërat nga distanca, por depërton në thelbin e ngjarjeve. Për të arritur këtë, gazetari raporton nga vendi i ngjarjes. Përmes përshkrimeve, citateve, qasjes krahasuese dhe perceptive, gazetari i ofron lexuesit e lexueses një qasje emocionale ndaj ndodhisë. Në reportazh gazetari dokumenton, nuk komenton.

Gazetaria e mirë nuk bazohen vetëm në ngjarje e fakte. Që pasqyra e ngjarjeve të jetë e plotë, duhen përshkruar aktorët, prapavija dhe arena e ndodhive. Kjo bëhet edhe përmes reportazhit. Një shembull i kultivimit të zhanrit të reportazhit është gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Në çdo numër të saj dhe çdoherë në faqen e tretë botohet një reportazh (më rrallë dy reportazhe). Tekstet vijnë si nga fundi i botës po aq edhe nga tenda e birrës në periferi apo në qendër të München-it, ku politikanët mbajnë fjalime dhe populli duartroket apo bërtet.

Nganjëherë, në pjesë të tjera të gazetës, botohen reportazhe që zënë prej dy deri në katër faqe të gazetës. Më 6 prill u botua një reportazh i formatit XXL, duhet gati gjysmë ore për ta lexuar. Dhe kush e lexon, mund të thotë se ka kuptuar diçka nga Pakistani. “Pse kam lindur?”, pyet me dëshpërim një mësues. “Njerëzit këtu s’kanë ndjenjë për autonomi”, thotë një psikoterapeute. “Dhimbjen time e bëj publike”, thotë një humorist. “Në Pakistan uji i pijshëm do të duhej të përmbante ilaçe antidepresive, që njerëzit të mos luajnë nga mendtë”, thotë shkrimtari Mohamed Hanif. E kështu me radhë.

Më 4 prill autori i këtij reportazhi madhështor nga Pakistani botoi një reportazh tjetër ku tregon sa i madh është hendeku mes ndalimit të alkoolit dhe realitetit në Pakistan. Reportazhi fillon me një citat historik. “Po, pi alkool”, kishte thënë Zulfikar Ali Buto, “por së paku nuk e pi gjakun e të varfërve”. Buto ka qenë politikani më i rëndësishëm i Pakistanit në vitet 1970-të. Së pari qeverisi si president, pastaj si kryeministër. Më vonë e bija e tij Benaziri u bë kryeministrja e parë e një kombi mysliman.

Ndonëse ishte politikan laik, më 1977 Zulfikar Ali Buto u dorëzua përballë fanatikëve myslimanë dhe ndaloi alkoolin. Por as kjo s’e shpëtoi. Diktatori ushtarak Zia Ul-hak e rrëzoi Buton nga pushteti me grusht shteti dhe dy vite më vonë (1979) urdhëroi varjen e tij. Pastaj reportazhi vazhdon me pronarin e fabrikës së vetme të birrës që i përket një pakistanezi. Ajo themelua më 1860 për të shuar etjen e britanikëve, të cilët atëbotë ishin sundimtarë të Pakistanit…

© Enver Robelli