Andej-Këtej

Blloku i avokatit

Trashëgimtarët e një avokati të moshuar, pas vdekjes së tij, sot e njëzet vjet më parë, teksa po çmontonin mobiljet e zyrës për t'i shitur, vunë re që poshtë tavolinës së punës, bazamenti prej druri, ku për pesëdhjetë vjet ishte vendosur kolltuku, nga përbrenda ishte bosh dhe i ujdisur nergut për të shërbyer si skutë e fshehtë. Pasi e thyen, brenda kësaj strofke gjetën, ngjeshur njëra mbi tjetrën, një tufë letrash të ruajtura me shumë kujdes: letra dashurie, testamente, dokumente kompromentuese dhe fotografi të vjetra, me ca pamje të pahijshme. U bëri përshtypje, sidomos, një bllok shënimesh i lëverdhur, që fillonte me një tregues alfabetik, ku ishin shënuar emrat e gjithë magjistratëve të qytetit, të ndarë gjyqtarë e prokurorë veças, secili i shenjuar me një numër, i cili të orientonte drejt një faqeje të caktuar.

Çdo faqe përmbante një lloj skede jetëshkrimore: emri, mbiemri, atësia, vendbanimi; të njëjtat të dhëna edhe për gruan dhe për fëmijët. Pastaj ishin hedhur të dhëna shumë më të sakta dhe të detajuara: adresa e berberit dhe e rrobaqepësit, rrobaqepësja e zonjës së magjistratit, emri e mbiemri i shërbyeses, shkollat që ndiqnin fëmijët dhe profesorët e tyre. Në vazhdim, shënohej në cilën parti bënte pjesë, nëse ishte besimtar (këtu shënohej edhe emri i priftit ku rrëfehej), a frekuentonte ndonjë rreth miqsh apo ndonjë kafene, nëse vuante nga ndonjë sëmundje (këtu edhe emri i mjekut kurues), a e kishte pasion shahun apo futbollin, cilat gazeta lexonte, çfarë librash blinte, ku shkonte për verim, kush ishin miqtë dhe bashkëfshatarët e tij, nëse kishte ndonjë vëlla deputet apo ndonjë kushëri peshkop.

Një punë e bërë me zell të madh, që avokati plak ishte kujdesur ta përditësonte deri në fund, siç shihej nga shtesat e bëra, kohë pas kohe, shkruar me tjetër bojë.
Mbi kapakun e këtij regjistri lexohej një titull shumë interesant: "Jetëshkrimet".

[Piero Calamandrei, Elogio dei giudici..., Ponte alle Grazie, 2008] 

Shqipëroi: H.Ligori