Andej-Këtej

Tirana Gogoliane - Nga Roland Gjoza

Erdha në shtëpi më në fund. Peshon pluhuri? Jo, po ja ku po jua them, ai peshon. I neveritshëm sepse të kujton disi vdekjen. Dola pa fshirë kurrgjë, s’kisha fuqi, por shqiptarët janë ënderrimtarë (natyrisht dhe unë). Po përse janë të tillë? Ndoshta prej pamundësisë. Kur flitet për Europën ku duan të shkojnë janë mbetës, ende nuk e kanë kaluar filloren. Por ata jane racë krenare (dhe kokëbosh, thotë Fishta) dhe unë druhem ta pohoj, jo për gjë, por do të fusja dhe veten në këtë dualizëm absurd.

Ecja dhe ç’të shoh; shqiptarët e mi, që mezi prisja t’i takoja, ishin pa hundë. Kërkonin hundën si në një bolero ekzistenciale. Ishin vënë të gjithë, turmë e pafundme, në kërkim të hundës. A jam në vete? Vura dorën në hundë, po s’ndieva gjë, pra edhe unë s’kisha hundë. Nga një anë ishte mirë, se nuk nuhasja më duhmën e plehrave, kutërbimin mbytës të pluhurit dhe të oksid-karbonit të makinave. Nga ana tjetër, më shqetësonte se nuk nuhatja më aromën e blirit, as parfumin diskret të femrave të bukura. Miqtë e dikurshëm, barkalecë, me flokë të rënë, bënin sikur s’më njihnin dhe une ua ktheja me të njëjtën shpërfillje.

U ula të pija një kafe, hapa celularin dhe mora gruan në Amerikë. Më ka humbur hunda, i thashë. Të kam thënë, m’u përgjigj, mos shkruaj më se do budallallepsesh. Prit kur të humbasë dhe koka! Kishte të drejtë. Unë isha i harruari. Mungesa ime më dukej dramatike, sepse nuk takohesha më me miqtë e vjetër, nuk qanim hallet bashkë dhe shfaqja ime kështu papritur, atyre iu dukej shenjë fodullëku. Ç’kujton ai, ka shkuar në Amerike dhe ka ndryshuar? Vijnë të na shesin mend. Por nuk ua pret radakja se të gjithë ne i kemi djemtë dhe vajzat jashtë dhe e dimë mirë se ç’heqin atje. Këto mendoja, sepse mbeta vetëm fillikat. Ishte e vështirë të shikoje njerëz me hundë.

Hyra në një librari të madhe për të parë se ç’ish bërë me librat e mi. Por... asgjëkundi. Kërko andej, kërko këtej, edhe ata kishin humbur si hunda. S’më erdhi mirë, natyrisht, por ç’të bëja, tashmë nuk njihja njeri, se këtu gjërat bëhen me miq. Tërhoqa nga rafti “Tregimet e Peterburgut” të Gogolit dhe i hodha një sy tregimit Hunda. Pothuajse e kisha harruar. Aty ishte arsyeja e humbjes dhe mosgjetjes së hundës. Ishte një rrethanë e skajshme, e veçantë kjo e imja, e mynxyrshme, do ta quaja, por dhe e krrupshme. Më dukej se pas saj do të humbisja përfundimisht dhe tiparet e tjerë, shqisat, gjer dhe organet vitale. Frikë, stres, absurd; si ka mundësi të ndodhë kjo?

Heroi i Gogolit vrapon për ta gjetur, ndërsa këtu askush nuk lëviz, kafenetë cit me njerëz, rituali i filxhanit të kafesë kaq i përsëritshëm, sikur kjo ka mbetur më në fund për të harxhuar kohën. Gati shikoja gjak në ajër, gjak kohe të vrarë.

Sa herë vija në Shqipëri, pa kaluar një muaj, thoja me mërzi se do të kthehesha mbrapsht, por sa mbërrija në Amerikë, pas një muaji, pyesja veten, jo pa emocion: kur do të kthehem përsëri? Por tani kisha një arsye të fortë për të mos u kthyer; hundën, i sigurte që atje, në Nju Jork, në Forest Hills ku banoja, do ta kisha.

Njerëzit mbanin radhë, furnizoheshin me karburant. Njerëzit, por jo makinat. Ishin shumë pika kaburanti që nuk furnizonin me naftë apo benzinë, por me pordhë. Sa herë mbaronin punë, njerëzit e mbanin kokën lart, ecnin ndryshe, sikur po shkonin drejt ringut të ndesheshin me kundërshtarin. Kishin ndryshuar gjërat; çmimet, komunikimi, zyrat, trafiku, koncertet, teatrot, kinematë. S’kishte më pothuajse asgjë shqiptare, të merrte malli për mall vendi.

Fillova të flas anglisht, më përgjigjeshin anglisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, frengjisht (fjalë të thjeshta, me gabime, të përdorimit të përditshëm), pra merreshim vesh më mirë duke folur në gjuhë të huaj. Kur flisja shqip, s’ma varnin, megjithëse lija kudo bakshish. Po hunda, hunda, pse iu kishte humbur?

Ç’na duhet, tha njëri, tani kemi pikat e karburantit të pordhëve. Nuhatja, e ç’është nuhatja? A ka para? Jo! Ç’të nuhatim? Ore shok, ne hamë një vakt, a më kupton? Dy vaktet e tjerë i kemi kafené, mëngjes dhe mbrëmje.

Nuk po kuptoja asgjë. Hunda e Gogolit ishte rishkruar nga shqiptarët. Po ama, e kisha ngrenë dhe unë. Ç’mall që kisha patur për Tiranën, shtëpinë time që s’banohej më, cit me pluhur, për miqtë e paktë, se shumica kishin vdekur, mall të çuditshëm, që ishte zbrazur si një kupë me mjaltë dhe ishte mbushur me helm.

Dy policë më kapën nga krahët dhe më detyruan të vihesha në radhë si të tjerët. Ishin policë të Bashkisë së Tiranës, që unë i qerasa me birra dhe biftekë. Nuk kishte njerëz më të mirë. Vërtet ishin rob Zoti, siç shpreheshim dikur me zhargon. Pinë e hëngrën sa plasën, po nuk më hoqën nga radha e gjatë, veç më bënë një nder, më vunë të parin për t’u furnizuar te pika më e afërt e karburantit.

Të nesërmen u largova nga Shqipëria. Stjuardesat më shikonin me çudi, madje dhe qeshnin, por ngurronin të zgërdhiheshin, sepse unë s’kisha hundë, por kokën e mbaja përpjetë dhe askush nuk e mori mundimin të më afrohej, apo të më thoshte një fjalë.

© Roland Gjoza