Bota Shqiptare

Pse nuk u përzgjodh Kruja për kryeqytet? - Nga Mehmet Elezi

Mehmet Elezi

Nga kati i dytë i aeroportit “Nënë Tereza” po kundroja malet përballë. Gjelbërim i thellë, harlisje e papërmbajtur maji, zbardhëllime shkëmbinjsh nëpër të. Dhe aty, në parzmin e malit Skenderbej, Kruja e fildishtë. Varur në qiell, mbështetur në gushë të malit.

Më shprushet një pyetje e vjetër: pse ata burra të mençëm, të vënë në shërbim të Shqipërisë, nuk përzgjodhën Krujën për kryeqendër të vendit? Po i rikthehem kësaj pyetjeje thjesht “për gjimnastikë truri”, meqë tashti, në fund të janarit, është 100-vjetori i shpalljes së Tiranës kryeqytet, nga Asambleja Kushtetuese. Propozimi ishte bërë pesë vjet më parë, në Kongresin e Lushnjës.

Gazeta franceze “Le Siècle”, 23 maj 1924, shkruante se “njëzet e gjashtë deputetë të kryesuar nga Gurakuqi, kreu i opozitës, dhe peshkopi Fan Noli” e duan Shkodrën si kryeqytet. Për kryeqytet Shkodra ishte diskutuar shumë herë, Kruja, me sa dimë, jo.

Kruja kryeqytet? Çfarë përparësish do të kish pasur!

Kryeqytet i vjetër, pesëqindvjeçar.

Kryeqytet me histori të madhe, për Shqipërinë e për Europën. Nga Kruja Gjergj Kastrioti me arbërit kishin zmbrapsur njëzet e pesë vjet rresht një superfuqi që sundonte në tri kontinente.

Kryeqytet në skajim strategjik shumë të përshtatshëm:

- kala natyrore në shkëmbinjtë rrokë me re;

- ndërtuar në brendësi të vendit, larg kufirit;

- në qendër të Shqipërisë, duke i mundësuar lidhjet me krahinat e tjera të vendit.

Kryeqytet në peizazh mahnitës:

- në shpatulla majat deri në qiell, në prehër fusha e butë;

- pi ujë nalt në cicë të borës dhe laju në det.

Një Krujë me popullsi sa Tirana e sotme, do të shtrihej nga kalaja në supe të malit deri në breg të Adriatikut, në ujërat e kripura.

Në pellgun përreth rrjedhin degë të Ishmit e të Erzenit: Tërkuza, Zeza, Droja, deri te Lumi i Tiranēs. Një sistemim i njërit syresh, i Drojës ndoshta, a bashkimi i disave, do të përftonte një lumë vezullues përmjedis kryeqytetit.

Kruja kryeqytet do të kishte disa të veçanta, si asnjë kryeqytet në kontinentin e vjetër.

Për ç’arsye nuk u përzgjodh?

U mungoi vizioni atyre burrave të kombit?

U dukej e thyer Kruja, jopraktike, nuk u shkoi mendja se qendra mund të ndërtohej në rrafsh, në Fushë-Krujë? Dhe qyteti i vjetër krye shpateve, me kalanë e me ndërtime të traditës si lagjet e Beratit e të Gjirokastrës, do të shërbente kurorë në ballë të saj?

U dukej e vogël Kruja?

Edhe Tirana e atëhershme e vogël ishte.

Mungonin do ndërtesa të thjeshta për institucionet qeverisëse?

Kjo mund të ishte vështirësi e ditës, por në vështrim afatgjatë rrëzohet. Kryeqyteti është për shekujt, për historinë.

Ani pse çështje e mbyllur, pyetja intrigon. Thjesht për të zhbiruar në kundrojat e kohës.

© Mehmet Elezi