Kosova në agjendë pozitive ndërkombëtare - Nga Xhevdet Nasufi
- Published in Bota Shqiptare
Xhevdet Nasufi
(Edhe pse shënimi ka mjaft personalizim, ndjesia ishte më e fuqishme se forca e përmbajtjes.)
Jo larg në kohë, ministri i Jashtëm i vëndit më të fuqishëm në Europë, Gjermanisë, vizitoi Kosovën. Ishte i pari zyrtar i lartë që e nderoi Kosovën dhe qeverinë e tanishme. Sa është e rëndësishme kjo për Qeverin e Kurtit, aq është e rëndësishme edhe për Ministren Gërvalla, e cila u rrit dhe edukua në egzil po në këtë vend, pse jo, edhe me nënshtetësinë e tij. Ata që nuk e kanë vuajtur tmerrin e Jugollavisë komuniste dhe serbomadhe, asnjëherë nuk do e kuptojnë drejt kombëtarizmin e tyre që u tmerruan, posaçërisht kur nuk e dëshirojnë mirekuptimin.
Vetëm për kujtesë, babën e ministres Gërvalla, Jusuf Gërvallën dhe vëllaun, pas largimit nga Shkupi (punuam bashkë në gazeten “Flaka e Vllazërimit”) dhe marrjes së strehimit politik në Gjermani e vranë mizorisht UDB-ashët e Jugosllavisë për motive politike. Kthimi i saj në politiken e Kosovës në këtë pozitë, nuk mund të cilësohet as si aksident politik që dikush e trajton, por edhe më pak si narracion politik serbo-rus. Është urrejtje patologjike të mendohet kështu.
Ministri kroat i Punëve të Jashtme, vëndi që u sponsorizua fuqishëm nga Gjermania jo vetëm për pavarësine e vet, por edhe për evropizimin dhe natoizimin e tij erdhi në Kosovë po ashtu këto ditë dhe kreut shtetëror të Kosovës i solli miqësinë si dhuratën më të çmuar të popullit të Kroacisë për popullin e Kosovës. Po ashtu, edhe dhjetmijë vaksina anti Covid-19 për të shpëtuar jetë. Këto vaksina nuk janë vetëm simbolikë e thjeshtë, por ripërsëritje e një miqësie që ka histori. Në këtë rrafsh, nuk është më pak i rëndësishëm edhe vendimi tejet mesazhdhënës se Kroacia në Kosovë do të ndërtojë një poligon ushtarak, pse jo edhe rajonal, në funksion të qëllimeve paqësore dhe të sigurisë.
Në vitet e hershme të dekadës 70-të, në Zagreb festohej përvjetori i 10-të i SHKA “Shkëndija”, qendër intelektuale, politike, artistike dhe çdo gjë tjetër patriotike për shqiptarët në Kroaci. Si gazetar i “Botës së Re” që isha, (gazetë e Universitetit të Prishtinës) dhe drejtues në bordin e SHKA “Ramiz Sadiku”, ishte kënaqësi që isha pjesë e atij evenimenti në Zagreb. Vendi i manifestimit solemn ishte Shtëpia e Armatës në Zagreb. Dekor i manifestimit ishte edhe flamuri kombëtar bashkë me himnin. Folës ishin edhe emra të shquar të Mas Pokut (Lëvizja Antikomuniste në Kroaci) të udhëhequr dhe frymëzuar në atë kohë nga kreu politikë i Kroacisë Mika Tripalo e Savka Dapçeviq-Kuçar.
Ndodhia në Zagreb për kah sensi dhe dekori, ishte e paimagjinueshme për Kosovën e atëhershme, për Maqedoninë e serbizuar dhe pjesët tjera të Jugosllavisë. Për veprime të tilla ishte i siguruar letërudhëtimi për në burg. Kujtesën për tërë këtë mund ta lexojnë si romantizëm nacional vetëm ata që janë të etshëm për pushtet.
Evenimenti i miqësisë së natyrshme, që po ashtu ndodhi në praninë time, u përsërit po ashtu në fillim të viteve 70-të. Nisën diskutimet për ndryshimin e Kushtetutës së Jugosllavisë. Në emër të studentëve kosovarë ndryshimin e Kushtetutës e përkufizova në takimin e studentëve të Jugosllavisë në Lubjanë (Azem Vllasi ishte në cilësinë e Kryetarit të rinë së Jugosllavisë) duke propozuar barazimin e Kosovës me republikat tjera.
Politika në Kosovë bashkë me Azemin dhe të tjerët na gjykuan rëndë për këtë qëndrim, por jo edhe delegacioni kroat me në krye Drazhen Budishën dhe Ante Paraxhikun. Po në këtë frymë miqësie kanë qënë edhe shumë individë dhe evenimente të tjerë të Kroacisë (shqiptarët dhe kroatët ishin dy popujt më të denigruar të ish-Jugosllavisë), përfshi në veçanti Stipe Mesiçin, ish-Kryetari i Jugosllavisë dhe Kroacisë së pavarur. Në atë kohë, pothuajse askush tjetër nuk na mbrojti si ata.
Fatmirësisht miqësia kroato-kosovare triumfoi edhe gjatë vizitës së Ministrit Radman në Kosovë. Ajo u rikonfirmua denjësisht edhe në këto momente të vështira pandemije, pasi Kosova është ndër vendet më të goditura për shkallen e ulët të imunizimit të popullsisë. Faleminderit Kroaci!
©Xhevdet Nasufi












