Aktualitet

Protesta për Teatrin: Rrofshin mediat sociale se pavarësinë e mediave kombëtare e ka marrë lumi

Nga: Taulant Dedja

Nuk ngeli media në Shqipëri pa u marrë me atletet dhe brekushet e kryeministrit të vendit, ndërkohë që rrugët kanë muaj që vlojnë nga artistët në mbrojtje të shembjes së Teatrit Kombëtar dhe mediat rrinë indiferente. Janë ato media që për vite i kanë shërbyer çdo pushteti e partie, ato që marrin reklama, tendera e përfitime të tjera që publiku zor se do t’i marrë vesh ndonjëherë.

Artistë të njohur, me integritet profesional e qytetar, si Neritan Liçaj dhe Romir Zalla, bashkë me plot kolegë të tjerë, të shoqëruar nga qindra qytetarë, sot që prej orës 18.30 me orën e Tiranës, kanë marshuar duke protestuar nga Teatri te Kryeministria deri te Presidenca për mosshembjen e Teatrit Kombëtar.

Është vënë re se protesta është pasqyruar nga vetë pjesëmarrësit në mediat sociale, e tek-tuk ndonjë portal e ndonjë televizioni të ri si Fax-i. Ato që e kanë bojkotuar janë televizionet informative kombëtare, mos të flasim për RTSH që edhe pse mbahet në këmbë me paratë e shqiptarëve i mban pishën qeverisë. Siç e shihni në foton e mëposhtme të postuar në Facebook nga gazetari Bledian Koka, duket qartë “transparenca”,  njëlloj siç duket dhe kapja e mediave nga shteti dhe pushteti.

Në fakt pas zgjidhjes së problemit të Teatrit Kombëtar, shoqëria civile do duhet të protestojë kundër Radio Televizionit Shqiptar për mungesë transparence dhe shkelje të kontratës me taksapaguesit e tij.

Theksojmë se qëllimi i kësaj proteste, pas miratimit me shpejtësi të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re, mes kateve të së cilës do ketë hapësirë edhe për një teatër, shfaqet sot si një kërkesë ndaj presidentit Meta për të mos e dekretuar këtë ligj.  

Tani është në dorën e presidentit, por në të vërtetë, a ka presidenti gjë në dorë?? Mosdekretimi prej tij vetëm e rikthen ligjin në parlament, sepse kaq janë kompetencat kushtetuese të presidentit,  aq më tepër në një kohë kur Gjykata Kushtetuese ka rënë.

*Fotot janë marrë prej postimeve të aktivistëve të ndryshëm në Facebook

©FlasShqip.ca