Qyfyret e “Rilindjes” - Nga Dritan Goxhaj

Dritan Goxhaj
Vera këtë vit ka zënë mirë dhe me temperatura të larta. Normal në një kohë të tillë të gjithë kemi nevojë të shplodhemi e të qëndrojmë pak në hije. Dhe ku ka më mirë se sa këtij qëndrimi t’i shoqërosh edhe ca qyfyre. Se realisht qyfyret nuk na kanë munguar edhe në këtë kohë. “Rilindja” e Ramës si prodhuesi më i madh i qyfyreve në këtë vend, po na ndihmon që të “shtyjmë” vapën.
Le t’i shohim me radhë:
Qyfyri nr. 1
Në fillim të kësaj jave, kreu i Emergjencave Civile, ish kryepolici Haki Ҫako deklaroi në një televizion publik ku ishte i ftuar se “Emergjencat Civile të Shqipërisë janë në nivelin e standarteve europiane”.
Si duket Hakiu është nisur mbi bazën se edhe Emergjencat Civile Europiane kanë lopata. Pasi këto të tonat kanë vetëm lopata dhe nganjëherë gjatë detyrës shoqërohen edhe me degë pemësh për të fikur zjarrin.
Edhe në Evropë krerët e emergjencave lëvizin me helikopter si Hakiu, për të parë gjëndjen e zjarrit. Pavarësisht se ata e bëjnë njëkohësisht me helikopterët që fikin zjarrin, por Hakiu mund ta bëjë edhe për xhiro. Pra për Hakiun fakti që mund të shëtisi me helikopter mbi vatrën e zjarrit përbën standard evropian.
Uroj që udhëheqësi të jetë zbavitur nga qyfyret e Hakiut.
Qyfyri nr. 2
Dje një nga ministret e Karvanit “Rilindja” që tërhiqet nga globalisti rajonal Rama, ministrja e Financave deklaroi në Parlament: “Ju thoni që kemi krijuar disa borde të cilët janë fashistë, komunistë, të cilët kanë ndikuar negativisht në çmimin e karburanteve. E keni gabim. Bordet kanë bërë të mundur që marzhi i fitimit bruto përfshirë kostot operacionle, këtë vit, që nga fillimi i miratimit të bordeve të jetë 5-6%”.
Nuk e di se çfarë shkolle ka bërë kjo kukulla e “Rilindjes”, por të ndërhysh në marzhin e fitimit të privatit, nuk mund të jetë asgjë tjetër përveç se komunizëm ose fashizëm. Pasi qeveritë demokratike në një ekonomi tregu ndërhynë në taksim e jo në marzh fitimi, duke i caktuar privatit sa do jetë fitimi i tij.
Uroj që udhëheqësi të jetë zbavitur nga ky qyfyr i Delinës.
Qyfyri nr. 3
Sot po ministrja e Financave të Kartelit “Rilindja”, deklaroi se “në tre mujorin e parë të këtij viti Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike prej 6%. Rritje kjo edhe më e madhe se ajo e BE, e cila e ka pasur 5.2%”.
Kur dëgjon një gjë të tillë të bëhet zemra mal se ia paskemi kaluar edhe Evropës, dhe pastaj mendon që ka të drejtë udhëheqësi që po bën ç’është e mundur që mos të hyjmë në Evropë. Pasi duke dëgjuar Delinën, na rezulton se nuk përfitojmë asgjë prej Evropës, por ajo prej nesh. Dhe kështu ç’duam në Evropë, ndaj o burra të hyjmë në Serbi (Ballkani Hapur).
Kjo më kujtoi Berishën i cili vitin e fundit të mandatit të tij na thoshte se Shqipëria kishte arritur një rritje ekonomike prej 8%, por të paktën ai na krahasonte me Gjermaninë e jo me gjithë Evropën.
Ҫdo kohë ka të marrët e vet.
Kush e di sa do jet gëzuar udhëheqësi kur ka dëgjuar sot këtë qyfyr të Delinës.
Qyfyri nr. 4
Dje ministri i Mbrojtjes, Nikua i “Rilindjes” deklaroi në Komisionin e Mbrojtjes ku ishte i thirrur, misid të tjerave se “godina private brenda bazës ushtarako-detare në Shëngjin është ndërtuar nga të panjohur të cilët kanë hedhur beton nga jashtë rrethimit të bazës”.
Që fantazia në këtë epokën e “Rilindjes” së Ramës ka marrë majat është evidente, por që të arrinte deri në pikën që ngritjen e një godine tre katëshe brënda një baze ta portretizojnë sikur kemi të bëjmë me një hedhje guri nga jashtë rrethimit, kjo i kalon të gjitha.
Kur e sheh Nikon, nuk ta mbush mëndjen që është kaq qyfyrexhi.
Qyfyri nr. 5
Qeveria e udhëheqësit të madh e të lartë ka hedhur për konsultim publik projektligjin për dhënien e gradave honorifike deri në gradën kolonel, sportistëve elitarë, për efekt financiar. Sipas këtij projektligji, Shefi i Shtabit propozon dhe ministri me urdhër vendos t’i japë gradë kujt të duan ata të dy, në bazë të rezultateve sportive. Bashkë me gradat honorofike do shpërndajnë edhe uniformat.
Tashti që po ikën Likja (Ilir Meta), i cili shpërndante dekorata si të ishin kapaçka arançatash, po i japim të drejtën ministrit të shpërndajë grada ushtrie sikur të jenë kartpeceta tavolinash.
Kështu partia vret dy zogj me një gur, edhe i bën favor kujt të dojë për nevoja partie, por edhe e paraqit si shpenzim ushtarak të rritur, dhe kështu duket sikur po plotësojmë kërkesën e NATs, për të mbërritur te niveli 2% i GDP për nevoja ushtarake.
Qyfyret nuk kanë të sosur te “Rilindja” dhe të mendosh që është vetëm fillimi i verës.
Si thoshte udhëheqësi në fillim të qeverisjes së tij në 2013? “Prisni se nuk keni parë asgjë akoma”!
P.S. Qyfyret nganjëherë ndihmojnë të kalosh më lehtë tragjeditë.
©Dritan Goxhaj










