Ja si e kanë uruar 1 Qershorin sot personazhe të ndryshme
Çapajev Gjokutaj- Publicist

Gëzuar, 1 Qershorin! Çdo festë është edhe ditë meditimi. Sot na bie të mendojmë më shumë për çamarrokët tanë. Por edhe për fëmijët pa fëmijëri të Bulqizës dhe të të gjithë Shqipërisë. Janë tanët. S’duan mëshirë, po drejtësi sociale.
Taulant Dedja-Botues Flasshqip

Kulmi i hipokrizisë me 1 Qershorin sot, është organizimi i takimit me fëmijët në Parlament. Të paktën dikush duhej t'u kërkonte falje për teatrin e shëmtuar që ofrohet çdo javë ... pa le për të tjerat... Ish-kolegë të nderuar mos e njollosni këtë ditë më shumë se ç’e kemi njollosur të gjithë bashkë për 28 vjet… kujtoni dhe fëmijët e Bulqizës apo zonave të tjera të braktisura që po helmohen apo rropaten për bukën e gojës! Nëse nuk ka ndjesë, marrja e nismave të vërteta në dobi të fëmijëve e pa bujë mediatike, jo në dobi të fushatave, është më e ndershme! Gëzuar gjithë fëmijëve shqiptarë kudo që janë festën e tyre!
Agim Cani-Punonjës Social, Gjermani

Miku im i vogël bulqizak...
Po të shkruan një bulqizak i përjetshëm që kudo që shkoi e mori Bulqizën me vete.
Se Atdheu është ndjenjë më shumë se tokë, shtëpi dhe njerëz. Ndjenjë për tokën që quhet Shqipëri, për shtëpinë që ka në mure ende frymën tënde, për të afërmit miq e shok me të cilët flet shqip.
Miku im i vogël!
Mund të them me mijëra fjalë për këtë foto, mund të citoj Migjenin dhe Ali Asllanin, por prapë nuk do t’i kisha thënë të gjithë pa sqaruar një detaj të vogël.
Me njërën dorën mban shportën e kromit, me tjetrën mban brekët të mos dalë përjashta byça jote e vogël.
Se të vjen turp.
Ti i turpshmi im!
Ti heroi im!
Ti dhimbja ime!
Ti që jeton në këtë shoqëri të turpëruar ku megjithëse politikanët vishen e kollarisen janë me të pasmen jashtë para popullit.
Ti që në darkë bashkë me bukën e tharë dhe pak djathë e çaj sheh në tv luksin që tregojnë televizionet “Made in Kazan”.
Ti që edhe ëndrrat i ke të thjeshta - një shkollë, libra, lodra, shtëpi të ngrohtë dhe bukë që të ngish barkun.
Shiheni këtë foto dhe kuptoni!

Kjo është ajo që bëmë 28 vite...Të tjerat...janë ata që ndihmuan dhe zbukurojnë këtë mjerim. A kam gojë e zemër të të uroj 1 Qershorin?
Ilir Çumani - Drejtor i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, pasi ka postuar një kolazh fotosh me fëmijë të epokave dhe realiteteve të ndryshme në vend shkruan:

"Realitete në dy kohë (Jo për nostalgji) Që në sytë dhe fytyrat e vogëlushëve tanë të shohim gjithmonë buzëqeshje, duhet që votuesi - popull të mos promovojë kurrë politikanë dhe qeveritarë të papërgjegjshëm që i vrasin ëndrrat dhe dëshirat e fëmijëve që sapo ata vijnë në jetë... Gëzuar 1 Qershorin!”
Edi Oga-Gazetar

Nëse ka një festë që më bën të ndalem e të reflektoj, është 1 Qershori. Është dita kur ndjehem më keq nga të gjitha ditët e vitit. Dita e hipokrizisë së madhe. Fëmijët besojnë pa kushte në fuqinë dhe dashurinë tonë, por ne të rriturit i kemi tradhëtuar ata. Ne të rriturit i kemi hyrë një lufte absurde, një lufte për sende, ndërkohë që fëmijët kanë nevojë për shumë dashuri dhe për pak sende, për të qenë të lumtur. Si pasoja të kësaj lufte ne gënjejmë, ulërasim, godasim, plagosim, ndosim, vrasim... kinse në emër të një të ardhmeje më të mirë për fëmijët tanë. Vetëm për fëmijët tanë? Për dy, tre apo pesë fëmijët e gjithësecilit?! Të duam vetëm fëmijët tanë, pa respektuar dhe dashur të gjithë fëmijët e tjerë, nuk vlen!
Alma Braja-Poete

Sa herë shoh fëmijë të vegjël me lot në sy?! E sa herë të tjera, fëmijë që rriten para kohe, e fëmijë që nuk dinë të luajnë, sepse thjesht nuk dinë lojë ç'do të thotë?
E fëmijë të tjerë, të qeshur, të gëzuar, që rrethohen me shumë dashuri.
Sa herë shoh të rritur që ndihen ende fëmijë, si vetja ime?
Për gjithë fëmijët, ka gjithmonë një 1 Qershor.
Gëzuar!
Ilir Meta-President
Të dashur fëmijë, Gëzuar 1 Qershorin!

Në këtë ditë feste për ju dhe prindërit tuaj, dua të bëj një apel të veçantë për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve, të ardhmen e kombit tonë.
Sot është një ditë reflektimi dhe sensibilizimi për të bërë ç’është e mundur për të parandaluar dhe për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe çdo formë abuzimi dhe shfrytëzimi të fëmijëve. Është e papranueshme që të kemi fëmijë që jetojnë ende në varfëri dhe familje që nuk i çojnë dot fëmijët në shkollë për shkak të pamundësisë ekonomike.
Raporti i 2018 i organizatës “Save the Children” është një këmbanë alarmi për të gjithë ne, institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe mediat, për të reflektuar në përmirësimin e menjëhershëm të problematikës tepër serioze.
Në këtë ditë, dua të theksoj rëndësinë dhe punën e vazhdueshme që duhet bërë për arsimimin e fëmijëve tanë. E ardhmja e sigurtë dhe integrimi më i shpejtë i Shqipërisë në familjen e madhe europiane varet nga edukimi, kujdesi dhe dashuria që ne u japim fëmijëve tanë!
Edi Rama-Kryeministër

Uron fëmijët duke postuar një video të korit të fëmijëve në Facebook:
"Mirëmëngjes
dhe me këtë finale drithëruese të garës së koreve të shkollave, në kuadrin e programit tonë “Edukim përmes kulturës” me besimin e fortë se çdo 1 Qershor do të jetë më i mirë se paraardhësi, ju uroj sot të gjithë prindërve gëzuar ditën e fëmijëve!"
©FlasShqip.ca












