Trashëgimi

Një vizitë e domosdoshme në Muzeun Historik Kombëtar

E keni vënë re se kur jeni me pushime ndodh të kujtoheni më shpesh edhe për objektet historike, monumentet apo institucionet kulturore? Dhe kjo është normale, pasi në gjendje të relaksuar, truri dhe trupi duan aktivitete argëtuese pa vrarje mendjeje. Ndërsa për emigrantët vizitat në muze janë gjithmonë në axhendë për t’u treguar fëmijëve të lindur jashtë atdheut historinë e vendit të origjinës. Nga ana tjetër, për turistët e huaj, muzetë janë si një Wikipedia që preket me dorë.

Muzeu Historik Kombëtar duhet të jetë një nga vizitat që duhen kryer patjetër.

Numri i vizitorëve në këtë muze është rritur ndjeshëm, gati me dyfishim, gjatë këtij viti krahasuar me një vit më parë.

Sipas informacionit të shpërndarë nga punonjësit e muzeut, një ndër pavijonet më të pëlqyera nga turistët është Pavijoni i Ikonave Postbizantine, i cili u ngrit në vitin 1999, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës.

Koleksioni prej 70 objektesh ikonografike të pavijonit i përket periudhës nga shekulli XVI deri në fillimi të shekullit XIX. Në Pavijonin e Ikonave është ekspozuar ikona “Hyrja e Shën Marisë në Tempull” e ikonografit Onufri.

Në pavijon gjenden edhe disa ikona të Onufër Qipriotit (shek XVI-XVII), si “Krishti Pantokrator”, “Shën Maria me Krishtin” e të tjera. Në pjesën ballore të pavijonit është ekspozuar ikonostasi i kishës së manastirit të Gjon Vladimirit në Elbasan, i cili daton në shekujt XVIII-XIX dhe është punuar nga mjeshtri Dhimitër Koleci.

Gjithashtu, gjenden ikona të autorëve të shekullit të XVIII-XIX si: Kostandin Jeromonahu, Kostandin Shpataraku, David Selenica, vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi, të vëllezërve Çetiri (Katro) etj.

Mos u ndalni vetëm këtu. Shëtisni gjithçka mundeni dhe me lejen e punonjësve mund edhe të fiksoni ndonjë moment nga historia juaj.

 ©Flasshqip.ca