Kujtojmë sot At Anton Harapin - Nga Ndue Ukaj
Ndue Ukaj
Ta kujtojmë sot At Anton Harapin, të cilin para 75 vjetëve, mizorisht e në emër të ideolgjisë së çmendur komuniste, e pushkatuan predikuesit e ferrit, ata që duke e vendosë me dhunë "drejtësinë" dhe "lumturinë komuniste", popullit shqiptar i shkaktuan tmerre dhe vuajtje pafund.
Shkrimtari Anton Harapi ishte frat i ditur, njeri i vlerave të mëdha kulturore e shpirtërore - me një fjalë një iluministi i madh.
Ernest Koliqi thoshte për të se ai ishte "nji ndër njerëzit mâ të kulturuem të Shqipnís."
Ai ka shkruar tekste në prozë dhe u shqua veçmas në publicistikë, duke u lanë shqiptarëve një vepër shumë të pasur diturore e me vlera të tejkohshme.
Ai ka mbajtë ligjerata monumentale për çështje shoqërore, për naltimin e ndërgjegjës dhe kështu krijoi monumentin e bashkimit shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve.
Vepra e tij, edhe sot, në kohë shtërngatash të frikshme ideologjike, është ushqyese për kombin e tij, të cilin e këshilloi se: "çdo ndërtese i vihen themelet në dhé", që domethanë se pa kulturë e pa traditë, asnjë komb s'mund të shkojë përpara e as të hyjë në rrugën e qytetnimit.
Porosia e Harapit se "pa kênë nierz kulture, nuk kemi si e krijojm kulturen shqyptare, Shqypnín ideale..." tingëllon akutuale edhe sot, në Tiranë dhe në Prishtinë, ku helmi i gjuhës së egër, ka ngulfatë kulturen shqiptare dhe po e pamundëson naltimin tonë kombëtar.
©Ndue Ukaj



