Trashëgimi

Përkujtojmë reformatorin e madh të arsimit Mirash Ivanaj - Nga Saimir Kadiu

Mirash Ivanaj (12 mars 1891 - 22 shtator 1953)

- A e more vesh, mor ti?

- Jo mor zotni, ç’ka me marr vesh?

- Je i dënuar me 7 vjet burg!

- Po për ç’ka jam dënue mor zotni?

- Për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

- Po unë sa kam ardhë prej Turqie, s’kam folë me njeri, përveç punës arsimore.

- Po me atë mendim ke ardhur prej andej që të bësh propagandë.

- Po pse a ka ligje në botë zotni, që të dënojë mendimin?

- Mbylle gojën se je i dënuar!

Me këto dialogje, pjesë e farsës bolshevike, regjimi dënoi me 7 vjet heqje lirie kryereformatorin e arsimit kombëtar, Mirash Ivanajn...

Jeta e mjeruar dhe puna shumë e rëndë në burg si përkthyes sollën degradimin e shpejtë të shëndetit të Mirash Ivanajt. Thuhet se disa javë para ditës së lirimit nga burgu, ai i ka dërguar drejtorit një letër ku i kërkonte atij ta mbante në burg se nuk kishte ku të shkonte për të banuar dhe nuk kishte asnjë të ardhur për të jetuar.

Por, i dërrmuar nga puna e rëndë dhe kushtet e tmerrshme të burgut, më 22 shtator të vitit 1953, 12 ditë para mbarimit të afatit të dënimit të tij, mbylli sytë përjetë.  U shua në spitalin e Tiranes, pas një ndërhyrjeje të thjeshte kirurgjikale, në moshën 62 vjeçare.

Asnjë mëkat politik... intelektual klasi dhe patriot i vendit të tij. Shkrimtar, eseist, mësues, publicist, humanist...

U largua nga Shqipëria në vitin 1939, duke refuzuar pushtimin fashist të vendit.

I lauruar në Romë për Filozofi dhe Jurisprudencë, Ivanaj ishte edhe një poliglot me plot 7 gjuhë të "gjalla" dhe tre të "vdekura".

"Mëkati" i vetëm... i preu bursën në kohen që ishte Ministër i Arsimit "ngelësit" Enver Hoxha...

Thuhet që kur Mirash Ivanaj u kthye në Shqiperi u prit nga vetë Enver Hoxha, i cili me stilin e tij thumbues i thotë:

"Shiko si po të presim... jo si ty që më hoqe bursën".

Mund të qendronte në Turqi. Por erdhi për të bërë Shqipërinë... dhe u dënua nga gjykata e teneqexhinjve dhe harbutëve provincialë.

Në këtë mënyrë Shqipëria humbi ministrin më reformator të Arsimit që ka patur ndonjëherë në historinë 110 vjeçare të shtetit shqiptar.

Për ironi të fatit, asokohe, Ministër i Arsimit ishte një nga katilët e gjyqeve të pasluftës... Bedri Spahiu.

Vdiste i vrarë Mirash Ivanaj... dhe arsimin e "reformonte" Bedri Spahiu... dhe populli liridashës dhe arsimdashës "këndonte":

"Dridhen armiqte porsi miu, i gjykon Bedri Spahiu"

Një nga këta "armiq" ishte edhe Mirash Ivanaj... dhe "krimi" i tij ishte sepse donte Shqiperinë...

©Saimir Kadiu