Përkujtojmë kompozitorin e madh Ҫesk Zadeja - Nga Përparim Kabo

Përparim Kabo
Sot, ne 95- vjetorin e lindjes së kompozitorit të madh, Çesk Zadeja, dëshiroj të shpreh disa mendime, ndjenja dhe respektin e thellë. Një kompozitor i madh karakterizohet nga një prodhimtari e madhe në total dhe ajo që e bën një prodhim të madh, nuk është një grusht kryeveprash të shkëlqyera, por gjithçka ai krijon.
E madhja, si vepër e plotë e tij, duhet të jetë më e madhe se shuma e pjesëve të saj, e të krijojë vend për dëshmi heroike, por edhe për vogëlsira dhe eksperimente, qoftë edhe jo të përkryera, si edhe kryevepra.
Pra, si të thuash, kompozitori i madh lëvron të gjitha gjinitë muzikore; Çesk Zadeja ishte i tillë! Ai kompozoi pothuaj në të gjitha gjinitë dhe zhanret, duke filluar nga muzika simfonike orkestrale, deri te muzika për valle, skica muzikore dhe këngë. E veçanta e muzikës së tij është se ajo ka shpirt, aromë, ngjyrim shqiptar.
Ndryshe, pas vitit 1990, nëse ajo muzikë do ishte produkt propagande, do të humbiste e do të injorohej. Ndodh e kundërta; ajo është e gjallë, e freskët, frymëzuese, madje tejet befasuese për të huajt, specialistë të muzikes dhe muzikologjisë, për instrumentistë dhe kompozitorë.
Cili mendohet se është elementi kyç për t’u bërë një kompozitor i suksesshem? Kompozitorët duhet të kenë një kuptim tërësor e të plotë të aspekteve të shumta muzikore. Kjo perfshin njohuri të thella pune të teorisë muzikore, e cila studion metodat, si dhe konceptet që lidhen me kompozimin muzikor. Një kulturë e tillë ndihmon gjithashtu, nëse ata kanë një kuptim bazë të instrumenteve ose këngëtarëve, për të cilët e shkruajnë pjesën muzikore.
Zadeja ynë ishte i tillë! Djaloshi që u edukua qysh fëmijë në korin e Kishes Françeskane, me një sfond familjar të njerëzve të lidhur me muzikën, më vonë i shkolluar në një universitet shumë të njohur të muzikës, udhëtoi në shekullin XX me muzikën dhe e identifikoi atë me emrin dhe me punën e tij.
Mirënjohje!
©Përparim Kabo, 08 qershor 2022



