Një ngjarje e vërtetë me Sulejman Pitarkën - Nga Përparim Kabo

Përparim Kabo
Ishte 2 shkurti i vitit 2004. Aso kohe, kisha fare pak ditë që kisha filluar punë si këshilltar për Arsimin, Kulturën, Pakicat kombëtare dhe Fenë, pranë kryeministrit të kohës. Atë ditë, Sulejmani i ndritur i skenës, mbushte 80 vjeç. Shkrova një letër në trajtën e draftit, të cilën Kryeministri ia niste këtij personaliteti të artit. Sipas rregullit, ajo kalonte te shefi i Kabinetit, i cili, për çudi, në telefon, më tha: - Po çfarë janë këto që po na sajon?
Unë, qetësisht, iu përgjigja: -Letra është institucion, ajo mbetet në familjen e personit, si një dokument. Kudo në botë, në të gjitha kohërat, letra dhe letërkëmbimi janë vlerësuar, shpesh madje, më shumë se takimet apo format e tjera të komunikimit…
Ai u tërhoq dhe draftletra i shkoi kryeministrit. Pasi ai e lexoi, jo vetëm teksti, por edhe ideja e një komunikimi të tillë, iu duk shumë i dobishme dhe interesante. Pas këtij rasti, pra, pas letrës së parë, kjo praktikë vijoi pothuaj për dy vjet.
Të kthehemi tek ngjarja. Bashkë me drejtorin e Teatrit Kombëtar të asaj kohe, zotin Kiço Londo, i shkuam në shtëpi. Zonja Meri, e shoqja e Sulejmanit, na hapi derën dhe na uroi mirëseardhjen. Ishte një grua shumë e rregullt dhe e kulturuar, por në fytyrën e saj vura re një lloj përzierje të ndjenjave dhe emocioneve. Nuk isha në gjendje ta shpjegoja këtë lloj situate. Na futi në një dhomë pritjeje, të vogël dhe të rregullt për bukuri. Nuk di sa pritëm, sepse çdo pritje është e gjatë, derisa në dhomë u fut Sulejmani.
U ul dhe na përshëndeti. Unë iu shpreha pse kishim shkuar dhe i dorëzova letrën zyrtare të kryeministrit. Ai e lexoi me vëmendje, aq sa m’u bë se e rilexoi. Pastaj e la mënjanë, si diçka që nuk kishte shumë rëndësi. Ndërkohë, zonja Meri po na gostiste me gjëra të rastit dhe hapi muhabetin se Sula nuk ishte mirë kohët e fundit, ishte dëshpëruar se djemtë kishin ikur larg, në SHBA, dhe ata kishin mbetur vetëm. Ndërkohë që ajo fliste, atij burri i rrodhën lotët, bashkë me ta, një lloj dhimbjeje dhe mallëngjimi i shkiste në faqet e tij.
Shumë larg, - foli Sula. Ishte një zë sa prindëror, aq edhe dramatik…
Kur e kujtoj sot, më duket sikur ai kishte nisur të luante në shpirt një dramë kombëtare, titulluar: “Ikja”…
E kam kujtuar këtë moment një ditë të mëvonshme, në Qafën e Muzinës. Edhe atë ditë shkurt ishte, binte shi dhe qielli në atë grykë ishte tejeanë me re të bardha, të zeza dhe gri. Ndalova makinën dhe iu afrova një bariu plak në krahë të rrugës. I kishte lënë të 80- at, siç më pohoi. Kishte dalë të kulloste dhitë. Mjekra e bardhë dhe ajo rroba në kokë, që të mos qullej, krijonte një lloj figure si ato të Shekspirit, natën e stuhisë, kur Mbreti Lir, mbetur vetëm me rrobat e trupit, i fliste qiellit.
Po fëmijë, ke? - e pyeta unë bariun plak.
Kam, - tha, - por nuk janë këtu.
Ku janë? - e vijova bisedën.
“Ikën me erën”, - u gjegj bariu në mes të shiut.
Eh, ja pra, se lotët e 2 shkurtit, 2004, që rridhnin nga shpirti i Sulejman Pitarkës, paralajmëronin “ikjen me erën” të një populli.
Biseda jonë vijoi duke kujtuar dramën historike “Epoka para gjyqit”, ku ai luante Sulejman Vokshin dhe Kadri Roshi luante Abdyl Frashërin. Folëm për filmin e Liri Begejës, me titull: “Larg barbarëve”, në të cilin kritika franceze e kishte vlerësuar në nivele shumë të larta rolin e Sulejman Pitarkës.
Në këto ujëra ai u ndje mirë, doli nga ai lloj depresioni që kishte filluar ta mundonte. Z. Londo, me shumë takt, i tha: - Z. Sulë, do ju dërgoj makinën çdo ditë, t’ju marrë dhe të vini në Teatër, të pini kafen atje dhe të rrini disa orë. Ne kemi nevojë për ju, për fjalën dhe këshillën tuaj.
Por edhe për artin tuaj, - shtova unë.
Ju mund të luani ndonjë rol që përputhet me moshën që ju keni. Skena ju do dhe ju jeni skena.
Këtu Sula na mbuloi me një heshtje, na vështronte me atë pozicionin e tij karakteristik, duke mbajtur qafën pak të mënjanuar. Më pas e hodhi shikimin mbi gruan e tij, Merin, e cila kishte mbetur si e ngrirë në këmbë, me duart e mbledhura. Komunikuan në heshtje… Sula dukej sikur, me gjuhën që e dinte vetëm ai dhe e kuptonte vetëm ajo, po i thoshte: - Po ti, si thua?
Meri derdhi një shikim të ëmbël e të ngrohtë, dhe ajri i saj feminil, shkroi: “Shko!”…
Kështu, z. Londo e risolli Sulën në Teatër dhe Gëzim Kame e risolli në skenë tek drama sociale “Pjata e drunjtë”, që u vu në skenë në vitin 2005. Aso kohe Sula ishte 81 vjeç.
Drama e autorit amerikan, Edmond Morris, u realizua në Teatrin Kombëtar, nga regjisori Gëzim Kame, skenografi Agim Zajmi, e u interpretua nga aktorët:
Sulejman Pitarka, Bujar Asqeriu, Reshat Arbana, Rajmonda Bulku, Luftar Pajo, Agim Qirjaqi, Ermela Teli. Në qendër të dramës është figura e një plaku, të cilin duan ta heqin qafe e ta degdisin në një azil pleqërie bijtë e vet dhe një nuse e re, fati i së cilës bëhet edhe më i dhimbshëm se fati i këtij njeriu. Dikur një burrë i lumtur, tani ai duhet të pinte kupën e hidhur të helmit të pleqërisë. Pas gati 20 viteve, diçka më pak, kjo gjendje shoqërore me pasoja sociale, është kaq e pranishme dhe tronditëse për vatrat tona, të mbushura me drama të tilla të përngjashme…
Sot, Sulejman Pitarka do mbushte 99 vjeç…
Mbase, meqë vitin tjetër bëhen 100, do kenë mendje dhe zemër që të nisin një projekt për nder të tij.
Ai ishte artist që u shndërrua në institucion…dhe institucionet respektohen.
Në librin tim “Antropologjia e Artit”, ka disa dedikime për Sulejman Pitarkën, por ka edhe një shkrim të gjatë, gati-gati si një dramë, që titullohet: “Bisedë mes Parajsës dhe Ferrit”. Është një ndodhi imagjinare, biseda mes Sulës dhe Kadriut, veshur me kostumet e “Epokës para gjyqit”, të cilët telefonojnë nga Parajsa, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, ditën e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar…
Faleminderit dhe adhurim për Ju, Sulejman Pitarka!
© Përparim Kabo - 2 shkurt 2023



